Kërkesat e shqiptarëve për azil në Belgjikë kanë dërguar për ndjekje penale dy kryetarë të pushtetit vendor në vendin tonë.
Kryetari i Bashkisë së Koplikut dhe kryekomunari i Postribës janë denoncuar nga Drejtoria Kundër Krimit Ekonomik, pasi dyshohen se kanë falsifikuar dokumente për shtetas të ndryshëm, sikur kishin probleme gjakmarrje në vendin tonë. Bëhet fjalë për shqetësimin e ngritur nga autoritetet belge gjatë një vizite në vendin tonë. Problemi u ngrit nga gazeta “Shqip” rreth dy javë para se të zhvillohej kjo vizitë, ku shumë shtetas shqiptarë nuk lejoheshin të vizitonin Belgjikën, pavarësisht se kishin të gjithë dokumentacionin e rregullt.
Azil politik, ndjekje penale kryebashkiakut
Në lidhje me këtë problem, Policia e Shtetit deklaroi dje zyrtarisht se nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar, pranë Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës në ngarkim të dy zyrtarëve. Sipas të dhënave, materialet janë referuar për Faz Tahir Shabajn, 62 vjeç, me detyrë kryetar i Komunës Postribë të Shkodrës dhe Ramadan Rexhep Likajn, 45 vjeç, me detyrë kryetar i Bashkisë së Koplikut, rrethi i Malësisë së Madhe. Burimet zyrtare thanë se ata akuzohen se duke qenë në detyrat e mësipërme, kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për persona të ndryshëm se janë në hasmëri, me qëllim që ata të aplikonin dhe të përfitonin në mënyrë të padrejtë azil në Belgjikë, duke konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
“Bazuar në informacionet e administruara nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pranë Policisë së Shtetit, ka rezultuar se persona të ndryshëm, duke përfituar nga lëvizja pa viza, pasi kanë shkuar në vendet e zonës ‘Shengen’ kanë aplikuar për azil pranë organeve kompetente në këto vende. Kërkesat e tyre për azil kanë qenë të shoqëruara me vërtetime nga komuna të ndryshme, kryesisht të Qarkut të Shkodrës, ku vërtetojnë se janë në konflikte dhe në gjakmarrje”, thuhet në kërkesën e policisë pranë prokurorisë. Më tej, sqarohet se pas verifikimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me organet policore belge, ka rezultuar se praktikat e dorëzuara nga shtetasit shqiptarë për të përfituar azil ishin vërtetime të lëshuara nga Bashkia e Koplikut, nga Komuna e Postribës dhe nga shoqata “Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë”, me qendër në Shkodër.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këto vërtetime janë lëshuar nga personat e sipërpërmendur, pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore dhe në shumicën e rasteve të falsifikuara, pasi personat për të cilët ishin lëshuar këto vërtetime nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje. Burimet thanë se nga grupi hetimor janë administruar të gjitha dokumentet e sekretarit të shoqatës “Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë”. Aktualisht strukturat e policisë vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjithë personave të implikuar dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre. Rreth një javë më parë, në Shqipëri erdhi kreu i Çështjeve të Imigracionit dhe Azilit në Ministrinë Federale të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës,
Freddy Rosemont, i cili deklaroi se vetëm gjatë tetorit, shqiptarët kanë bërë 240 kërkesa për azil, kryesisht për probleme gjakmarrje. Duke i cilësuar shumicën e kërkesave si mashtrime, ka lënë të kuptojë arsyen pse janë nuk lejuar në këtë vend shumë shtetas shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar pas liberalizimit të vizave. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Rosemont tha se çuditërisht numri i kërkesave për azil filloi në muajin gusht, e më pas të shtohej gjatë shtatorit, kur u regjistruan 44 kërkesa për azil. “Ndërsa, muaji tetor na ka vënë para një problemi të madh. Numri i azilkërkuesve gjatë muajit tetor llogaritet në 240 veta. E kam fjalën për personat e moshës madhore, pa përfshirë fëmijët. Në qoftë se ky trend do të vazhdojë me këtë ritëm, mendojmë që ky muaj do të mbyllet me 300-400 azilkërkues nga Shqipëria”, ka alarmuar Rosemont. (G.Shqip / Lezha.eu)


