Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Aktualitet » Behxhet Pacolli zgjidhet President i Kosoves

Behxhet Pacolli zgjidhet President i Kosoves
Behxhet Pacolli zgjidhet President i Kosoves

Kuvendi i Kosoves në seancën e sotme të jashtëzakonshme zgjedh si President kandidatin e vetëm Behxhet Pacollin. Presidenti mori votat e nevojshme, vetëm në raundin e tretë.

Kuvendi i dha votëbesimin edhe qeverisë së re të propozuar nga kryeministri Thaci. Betohet Pacolli: Do vazhdoj vizionin e ish-presidentit Rugova.

Behxhet Pacolli zgjidhet President i Kosoves

ORA 19:37- VOTOHET QEVERIA THACI
Kuvendi i Kosoves ka votuar kabinetin e ri qeveritar të udhëhequr nga Hashim Thaçi, në seancën e sotme të jashtëzakonshme. Para se të votohej për qeverinë, u zgjodh si president i ri i Kosoves, kandidati i vetëm Behxhet Pacolli. Për përbërjen e re qeveritare kanë votuar 65 deputetë, një ishte kundër dhe asnjë abstenim. Qeveria e re do të ketë në përbërjen e saj 5 zv/kryeministra. Ndarja e posteve në kabinetin e ri qeveritar është bërë në bazë të marrëveshjes së arritur midis PDK-së, AKR-së dhe partive minoritare. LDK, Vetevendosje dhe AAK nuk votuan as për qeverinë e re.

I rizgjedhuri në postin e kryeministrit, Hashim Thaçi, u zotua për një qeverisje të mirë, që do t’i sjellë Kosovës zhvillim ekonomik, demokratizim të brendshëm dhe perspektivë euroatlantike. “Nëse mandati ynë i parë ishte shpallja e Kosovës shtet i pavarur e sovran, njohjet që arritën numrin 75, konsolidimi dhe forcimi i shtetit tonë, ne do të vazhdojmë tani me reformat e thella demokratike. Mandati i parë, pra, ishte mandati i pavaresisë, e mandati i dytë do të jetë mandati i Kosovës evropiane”, deklaroi Thaçi. Pas konstituimit të Kuvendit një ditë më herët, me zgjedhjen e presidentit dhe Qeverisë përmbyllet cikli i konstituimit të institucioneve të reja të Kosoves të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Kabineti qeveritar:
Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme;
Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve;
Rame Buja, ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë;
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë;
Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme;
Sasha Rashiq, ministër i Kthimit dhe Komuniteteve;
Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor;
Memli Krasniqi, ministër për Kulturë, Rini dhe Sport;
Fehmi Mujota, ministër për Infrastrukturë;
Radojica Tomiq, ministre e Pushtetit Lokal;
Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike;
Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë;
Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik;
Bedri Hamza, ministër i Financave;
Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë;
Agim Çeku, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës;
Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale;
Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

ORA 18:35- PACOLLI ZGJIDHET PRESIDENT
Bexhet Pacolli merr votat e duhura për tu zgjedhur President i Kosovës. Me 62 vota për, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme, Kuvendi i Kosovës ka votuar Behxhet Pacollin, kryetarin e deritashëm të Aleancës Kosova e Re, për postin e presidentit të Kosovës.

Pacolli ka bërë betimin para deputetëve duke premtuar të kryejë me përgjegjësi detyrimet e tij si kryetar shteti. Gjatë fjalimit të tij me pas, ai tha se “e sotmja është një ditë e madhe, dhe se deputetët e zgjodhën atë President për të vazhduar vizionin e ish-presidentit Rugova. Duke iu drejtuar qytetarëve ai tha se përulet para tyre, dhe se ndjehet i emocionuar për këtë përgjegjësi dhe besim që i jepet sot. U ktheva në Kosovë sepse këtu e kam vendin, mes njerëzve të mi”- tha Pacolli duke thënë se do të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt integrimit të saj në Perëndim.

18:00- DESHTON RAUNDI I DYTE
Nuk kanë qënë të mjaftueshme edhe 58 votat pro që kandidati për President i Kosovës, Behxhet Pacolli, mori në raundin e dytë të votimit. Edhe në këtë raund kanë votuar 67 deputetë, prej të cilëve 58 pro e 7 kundër, ndërsa dy fletë votimi përsëri ishin të pavlefshme. Beteja e Pacollit në raundin e tretë bëhet më e vështirë  pasi i nevojiten 61 vota.

17:40- DESHTON RAUNDI I PARE
Dështon raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Pacollit në krye të shtetit të Kosovës. Në këtë votim ku morën pjesë rreth 67 deputetë, votuan pro 54 ndërsa kundër 11. Ndërkohë që dy vota janë shpallur të pavlefshme, duke qënë kështu të pamjaftueshme pë zgjedhjen e tij.

Ndërkohë deputetët kanë filluar të votojnë për raundin e dytë. Nëse nuk votohet edhe në raundin e dytë me dy të tretat e votave, atëherë në raundin e tretë do të nevojitet 61 votë. Opozita braktisi seancën parlamentare.

16:00- PACOLLI KANDIDATI I VETEM
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës është nominuar Behxhet Pacolli kandidat për president. Në emër të AKR-së, nominimin e bëri deputeti i kësaj partie Ibrahim Makolli.
Ndërkohë është mbledhur Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe imuniteteve që të vërtetojnë të dhënat për kandidatin për president.

Pas pauzës prej 10 minutave do të dal me vlerësim komisionit dhe më pas do të votohet kandidati i vetëm për president. Në parlament mbetën vetëm 67 deputetë pas refuzimit të LDK, Vetvendosje dhe AAK për të votuar Pacollin. Sipas Vetëvendosjes, Pacolli ka qenë në shërbim të Hashim Thaçit dhe i qëllimeve të tija politike edhe kur ka qenë në opozitë.

Ardian Gjini në emër të AAK tha se nuk do të merr pjesë as në votimin e presidentit, e as në votimin e qeverisë. “AAK nuk do të jenë dëshmitare e një marrëveshje të tillë dhe një qeveri të tillë”, tha Gjini.
SLS dhe Grupi 6 Plus kanë bërë të ditur se do ta votojnë Pacollin për president.
Paraprakisht Komisioni i përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandateve dhe imuniteteve konstatoi se kandidati Behgjet Pacolli i plotëson kushtet për të qetë president, në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për president.

ORA 15:00- KUVENDI VOTON SOT PRESIDENTIN DHE QEVERINE E RE
Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, u mblodh sot pasdite në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar presidentin dhe qeverinë e re “Thaci 2”.

Vendimi është marrë sot paradite nga kryesia e Kuvendit, ndërsa seanca parlamentare nisi në orën 15.00.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se një vendim i tillë, u mor pas kërkesës së PDK-së për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Ndërkohë, Krasniqi, nuk ka folur nëse ai do të votojë për Behgjet Pacollin si president, bëjnë të ditur sot mediat kosovare.
I pyetur nëse Pacolli plotëson kriteret për të qenë president, pasi është shtetas zviceran, Krasniqi tha se një gjë të tillë do të verifikojë komisioni për mandate dhe imunitete i Kuvendit të Kosovës dhe ai do të dal me një qëndrim (BalkanWeb / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2011 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress