Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Aktualitet » Berisha: 29 Janar manifestim kunder dhunes

Berisha Konference per shtyp

Berisha Konference per shtyp

Kryeministri i vendit Sali Berisha ka paralajmëruar se demonstrates së dhunshme të organizuar me 21 Janar nga opozita do t’i përgjigjet me një miting paqesor diten e shtune.

“Njoftoj mbajtjen e një mitingu paqesor diten e shtune, për të dhënë mesazhin që pret bota e qyteteruar nga Shqiperia dhe që aktet e shëmtuara të ditës së djeshme të fshihen sa më shpejt nga memorja”, ka deklaruar Berisha.

Berisha: 29 Janar manifestim kunder dhunes

Duke folur në një konference per shtyp, Berisha ka paralajmëruar lidershipin e opozitës se do të përballet me pasojat për organizimin e dhunës së ditës së premte, që u mbyll me tre viktima.

“Dje, Edvin Kristaq Rama, pasi dështoi të merrte pushtetin me dhunë, u paraqit në orën 1 të natës disa herë në mediat e vendit duke u përpjekur të lajë duart për krimin e tij të shëmtuar. Unë jam sot këtu për t’i thënë Ramës, Rucit dhe Gjinushit, autorë të vërtetë të krimit të shëmtuar të djeshëm, se akti juaj antikushtetues ka vetëm emrin tuaj dhe për këtë ju do të përballeni me të gjitha pasojat”, ka pohuar Berisha.

Berisha ka theksuar se aktet e dhunës kanë qenë një skenar i organizuar nga Edi Rama dhe njerëzit e afërt me të, të cilët rekrutuan sipas tij kontigjente të krimit të organizuar.

“Zoti Rama, skenari i pucit të djeshëm, sulmi për të pushtuar kryeministrinë u projektua dhe u pagua vetëm nga ti dhe lejtnantët e tu, Ruci dhe Gjinushi. Je ti zoti Rama që je vërsulur i tërbuar pas karrikes së pushtetit për të pushtuar kryeministrinë dhe ke drejtuar të gjithë sulmin nga lokalet e Fidelit”, ka theksuar Berisha.

Kreu i qeverisë e ka akuzuar më tej liderin e socialistëve se ka manipuluar mediat, duke i përdorur ato për të montuar videon Meta-Prifti dhe për të mos treguar pamjet reale të demonstratës.

“Je ti zoti Rama shkelja e parimeve kushtetuese që montove videon për të akuzuar kryeministrin. Je ti Edvin Kristaq Rama që drejtove sulmin para kryeministrisë dhe që më pas mediat, të kthyera në hanxharin tënd, dhanë pjesë të tjera”, ka theksuar Berisha, i cili ka paralajmëruar të gjithë “mercenarët” e akteve të dhunës se do të përballen me drejtësinë.

“Për cdo shkelje ligji të gjithë mercenarët do të marrin përgjigjen dhe dënimin e merituar. Nuk ka forcë në botë që të pushtojë demokracinë e Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s”, ka shtuar Berisha.

Kreu i qeverisë ka mohuar kategorikisht të jetë qëlluar me armë zjarri nga zyrat e kryeministrisë, duke nënvizuar se policia dhe garda kanë zbatuar vetëm ligjin. (Top Channel / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2011 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress