Gjuha mandarine kundër anglishtes. Perëndimi dhe Lindja nuk garojnë vetëm në tregjet financiare apo për armatime. Kina tashmë e ka lënë pas SHBA-në dhe Europën.
Ajo po dominon dukshëm në tregti, po përgatitet të zëvendësojë euron dhe dollarin me juanin (valuta e ardhshme botërore rezervë), por para së gjithash synon të pushtojë komunikimin e shekullit. Dhjetë vjet më parë askush nuk e kishte imagjinuar që “puntnghua” do të merrte një vrull kaq të madh. Në vitin 2011, pa e kuptuar askush, rekordi i radhës u thye: nga fillimi i tetorit, e ashtuquajtura kinezishtja është gjuha që numri më i madh i të huajve ka nisur të studiojë.
Gjuha kineze, gjuhe globale
Një bum i paprecedentë, për nga sasia dhe shpejtësia. Në vitin 2000 ishin pak më shumë se 2 milionë, jokinezët që përpiqeshin të mësonin ideogramet e gjuhës mandarine. Sot janë 50 milionë dhe kërkesa është aq e madhe, sa shkollat dhe universitetet po ndihen të papërgatitura për këtë tendencë. Kina është fuqia e dytë ekonomike e planetit, ndërsa kinezishtja është fuqia e parë linguistike. Ajo është gjuha nënë e 850 milionë individëve dhe 190 milionë të tjerë e flasin në mënyrë perfekte, shifër kjo e barabartë me 70 për qind të kinezëve. Anglishtja, gjuha që ka dominuar shekullin e fundit, sot përbëhet nga 350 milionë njerëz që e kanëgjuhën e nënës dhe nga 510 milionë që nuk janë anglofonë. Për qeveritë dhe shoqëritë shumëkombëshe, problemi nuk është vetëm krahasim absolut numrash.
Ajo që ka rëndësi është tendenca dhe në pesë vitet e fundit gjithçka të bën të mendosh se brenda vitit 2015 gjuha mandarine, më shumë se spanjishtja, do të do ketë bërë një ngjitje spektakolare si në fushën kulturore, ashtu edhe në ekonomi dhe politikë. “Rezultati është historikisht dhe deri diku i pritshëm. Kush dominon ekonominë, imponon edhe gjuhën. Tashmë është e qartë se Kina do të ketë fuqinë tregtare për një kohë të gjatë dhe Perëndimi do të ndiejë nevojën për ta kuptuar se si funksion. Ngjitja e gjuhës mandarine dhe perëndimi i anglishtes janë pasqyra popullore e realitetit”, – thotë profesor Li Quan, në Universitetin Renmin të Pekinit. Jo se Kina i është besuar kuriozitetit të njerëzve dhe nevojës së tregjeve. Asnjë qeveri nuk ka investuar kaq shumë për t’i imponuar gjuhën e saj të tjerëve. Instituti i parë “Konfuci” jashtë vendit u hap në vitin 2005.
Në pesë vjet pasuan 315 të tjerë në 94 vende dhe këtë vit të huajt e regjistruar në kurset e gjuhës mandarine e kanë kaluar shifrën 230 mijë. Një ekzibicion impresionues i pushtetit i të ri të Pekinit: 5 mijë mësues të punësuar dhe të sponsorizuar në çdo cep të planetit, me ambicien për të hapur mijëra shkolla “Konfuci” brenda vitit 2015. Në SHBA flitet që tani për ethet kineze dhe e djathta konservatore ka hedhur alarmin për “rrezikun e shkëputjes nga kontinenti i vjetër”, por vetë Europa duket se tashmë i ka drejtuar sytë drejt Lindjes. Një raport i Bankës Qendrore Europiane ka treguar se gjuha mandarine është ajo më e kërkuara nga kompanitë. Sipas saj, të rinjtë që e njohin kanë më shumë mundësi për punë, ndërsa shoqëritë shumëkombëshe gjermane e kanë futur atë në listën e gjërave që një aplikant duhet të dijë mirë për të fituar një takim për punë. Por do të ishte një gabim i madh ta kufizoje “shikimin” vetëm drejt Perëndimit. Në Azi dhe vendet e tjera në zhvillim, gjuha e funksionarëve antikë perandorakë po konfirmohet ashtu si gjuha frënge, si gjuha alternative e anglishtes.
Pakistani prej këtij viti e ka bërë të detyrueshme nëpër shkolla. Presidenti rus, Medvedev e ka cilësuar 2010-n si vitin e gjuhës kineze në Rusi. Në Korenë e Jugut dhe Japoni, të regjistruarit në kurset për gjuhën mandarine u rritën me rreth 400 për qind këtë vit, ndërsa ish-satelitët sovjetikë të Azisë Qendrore po e zëvendësojnë rusishten me kinezishten. Kazakistani, Turkmenistani dhe Azerbajxhani, furnizuesit energjetikë të Pekinit, që prej 2012-s do i ofrojnë studentëve leksione dhe provime si në gjuhën kombëtare, ashtu edhe në atë mandarine, ndërsa në çdo kryeqytet afrikan ekziston nga një institut “Konfuci”. Por simbol i këtij ndryshimi në renditjen e gjuhëve, më shumë se të tjerat është Britania e Madhe. Deri dy vjet më parë, 300 mijë kinezë emigronin mes Oksfordit dhe Kembrixhit për t’u diplomuar në anglisht. Sot janë më shumë se gjysmë milioni që mund t’i përfundojnë studimet në gjuhën mëmë, ndërsa të gjitha institucionet arsimore më prestigjioze punësojnë mësues për mësimin e gjuhës mandarine me një pagë goxha të kënaqshme. “Jemi përpara një revolucioni epokal të gjuhës që flet njerëzimi. Por vështirësitë janë ende të pranishme: gjuha kineze është shumë e vështirë dhe jo çdokush që nis ta mësojë, arrin ta përvetësojë atë”, – thotë Zheng Wei, docent në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin. Vetë kinezët pritën deri në 1956-n për t’u dorëzuar.
Para urdhrit të Mao Ce Dunit për të forcuar identitetin kombëtar kinez, në vend fliteshin shumë dialekte të ndryshme krahinore. Por Partia Komuniste ishte gjithmonë në favor të gjuhës mandarine dhe shekullin e kaluar, dialekti mandarin u vendos edhe në Tajvan, në Singapor (ku flitet nga një e katërta e popullsisë), por edhe në Kombet e Bashkuara, mes gjashtë gjuhëve zyrtare. Por shqetësuese janë vështirësitë e ndryshme. Pa alfabet, e paorganizuar me ideograme, gjuha e zakonshme e kinezëve të detyron të memorizosh mijëra terma dhe shenja, secila prej tyre e pajisur me katër domethënie të ndryshme sipas intonacionit me të cilën thuhet. Art dhe krijim, për kaligrafistët, të mësuar për të matur inteligjencën dhe kulturën e çdo individi në bazë të hijeshisë së shenjave. “Industria e komunikimit po ndryshon. Kinezët po shkruajnë gjithmonë e më pak me dorë, ndërsa të huajt kanë marrë në dorë penelat. Brenda dhjetë vjetëve, çdo model kompjuteri personal do të ketë tastiera me shkronja të dyfishta mandarin-kinezisht. Por nuk është aspak e gabuar nëse themi se brenda një shekulli do të jetë vetë njerëzimi që do të thjeshtëzojë mënyrën e komunikimit, duke i reduktuar vetëm në dy, dialektet e përdorura më mënyrë korrekte”, – thotë profesori Wang Ying. Gjuha mandarine kundër anglishtes, me pak fjalë nuk është vetëm një diferencë kulturore. Që prej këtij viti, e para ka marrë rekordin e një rritjeje të paimagjinueshme në Japoni, Korenë e Jugut, SHBA, BE, Afrikë dhe Brazil. Nga ana tjetër, anglishtja ka humbur terren edhe në favor të spanjishtes, në Europë asiston në rikthimin e gjermanishtes, ndërsa shtëpitë botuese ankohen për mungesën e librave, mësueseve dhe burimeve për mësimin e gjuhës kineze. UNESCO vlerëson një nevojë globale për rreth 20 mijë docentë në vit dhe Pekini javën e kaluar u kërkoi emigrantëve që të mbajnë kurse mbrëmjeje në shkollat e vendeve ku ata punojnë. “Problemi është se nuk ka asnjë garë mes pasionit të kinezëve që studiojnë anglishten dhe atyre që duan të mësojnë gjuhën mandarine. Rezultati është që Kina e kupton Perëndimin, por jo e kundërta. Është koha për të certifikuar ndërkombëtarisht nivelet progresive të njohjes së gjuhës mandarine, ashtu siç ndodh me anglishten”, – thotë profesor Li Quan.
Të mos dish gjuhën mandarine është ankthi i ri i biznesmenëve dhe profesionistëve të sotëm, ndërsa për Kinën, një tjetër sukses i paprecedentë. Madje, dhe kontratat kanë nisur të “adoptojnë” ideograme dhe në tratativat politike dhe tregtare. Shpesh delegacionet e Pekinit pretendojnë të flasin në gjuhën mëmë. Ky është skenari i vitit 2050: 2 milionë njerëz që do të flasin gjuhën mandarine, përkundrejt 500 mijë anglofonëve. Sot shumë pak mund të dinë të thonë faleminderit në gjuhën kineze, por thuajse të gjithë e dinë se çdo të thotë “thank you”. Por, nuk do të jetë më kështu. Leksioni numër një: “Xie Xie”. Tani do jetë më mirë të mbani me vete dhe një manual për mësimin e shpejtë të gjuhës kineze nëse vendosni të keni një vend të ri pune, të blini diçka apo për të porositur qoftë edhe një kafe në bar. (G.Shqip / Lezha.eu)


