Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Art & Kulture » Huazimet, problemet per gjuhen e sotme shqipe

kolec topalli 150x150 Huazimet, problemet per gjuhen e sotme shqipe

Kolec Topalli: Huazimet, problemet per gjuhen e sotme shqipe

INTERVISTA/ Flet Akademiku Kolec Topalli: “Problem për gjuhën e sotme është globalizmi, ndikimi i gjuhëve të mëdha”

Kohët e fundit është folur në shumë media për ristandardizimin e gjuhës shqipe, cili është mendimi juaj për këtë problem? A duhet ristandardizuar gjuha shqipe në këto momente kur ka shumë probleme të tjera?

Fjala ristandardizim nuk është e përshtatshme për atë që mendojnë të bëjnë gjuhëtarët e intelektualët e tjerë. Nuk bëhet fjalë për të ndryshuar standardin. Këtu bëhet fjalë për të shikuar se si standardi i sotëm e kryen funksionin e tij dhe cilat janë rrugët nëpërmjet të cilave do të pasurohet më tej ky standard, do të bëhet më funksional dhe do ta kryejë më mirë funksionin e tij për të cilën është krijuar. Prandaj këtu nuk ka ndonjë ndërrim të standardit për të krijuar një standard tjetër, sepse ne po shkojmë drejtë Europës dhe Europa do një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët, me të cilën të komunikojë me ne.

Huazimet, problemet per gjuhen e sotme shqipe

Ku konsistojnë këto rregullime dhe përmirësime?

Jo e gjithë pasuria leksikore dhe gramatikore është e përfshirë në këtë standard, sidomos dialekti i Veriut nuk e ka ingranuar të gjithë pasurinë e vet. Dihet se shumë shkrimtarë të mëdhenj, që kanë shkruar në dialektin e Veriut, kanë qenë të diskriminuar politikisht, duke filluar me At Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Ndre Zadejën, Vinçenc Prendushin, Lazër Shantojën dhe shumë të tjerë, veprat e të cilëve nuk janë njohur dhe kanë mbetur të panjohura, si rrjedhim, nuk është shfrytëzuar pasuria e tyre leksikore. Një arsye tjetër është se vetë zhvillimi i standardit që nga periudha kur ai përcaktoi konturet e tij e deri më sot ka bërë të nevojshme që të rishikohen disa probleme. Po jap vetëm një shembull. Sipas Kongresit të Drejtshkrimit emrat e festave fetare duhet të shkruhen me shkronjë të vogël. Ky ishte një qëndrim diskriminues që i bëhej fesë nga shteti diktatorial, që e quante veten shteti i parë ateist në botë. Sot kanë ndryshuar këto mentalitete. Në një shtet demokratik nuk mund të lejohet të vazhdojë ajo që është vendosur një herë nga pozita të caktuara politike. Në atë kohë edhe emrat Zot e Perëndi shkruheshin me shkronjë të vogël, gjë që shprehte qëndrimin e shtetit komunist ndaj fesë. Por sot nuk mund të vijohet më me këtë mënyrë. Një arsye tjetër është se edhe normat e drejtshkrimit kanë shumë përjashtime, aq sa për disa raste nuk e di a mund të qëndrojë vetë fjala rregull. Duke i mënjanuar këto përjashtime, duke i futur ato brenda sistemit, drejtshkrimi merr një formatim më të sigurt, gjë që fuqizon standardin.

Vërehet se edhe në institucionet shtetërore ka gabime në përdorimin e gjuhës dhe shpërdorime të saj. Cili është mendimi juaj për këtë problem, si mund të shmanget kjo dukuri negative?

Për këtë është e nevojshme që aty, ku lëvrohet gjuha shqipe, në institucionet, ku botohen libra e ku punohet me media elektronike, të kenë patjetër redaktor dhe korrektor me eksperiencë, që e njohin mirë gjuhën shqipe; sepse mungesa e tyre sjell dëm të madh, meqenëse një gabim i tyre gjen udhën e përhapjes nëpër libra, gazeta e revista. Prandaj duhet të ketë një kontroll shumë të fortë që të mënjanojë çdo gjë që është në kundërshtim me rregullat e përcaktuara dhe në kundërshtim me logjikën e evolucionit të gjuhës shqipe.

Cili është mendimi juaj mbi reformimin e Akademisë së Shkencave?

Është ndërmarrë një reformë, në bazë të së cilës Akademia është ndarë nga institutet e ndryshme studimore, të cilët krijuan Qendrën e Studimeve Albanologjike. Nga kjo qendër varen: Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë, Instituti i Historisë, i Arkeologjisë, i Kulturës Popullore dhe i Arteve, domethënë institutet që vareshin nga Akademia. Por reformimi i Akademisë mund të vijojë edhe në të ardhmen, me qëllim që ky institucion shkencor të jetë sa më funksional, të lidhet më tepër me institutet studimore të vendit tonë, për një koordinim më të mirë me qendrat shkencore të profileve të ndryshme dhe me universitetet. E rëndësishme është që të gjithë këto institucione të ecin në një drejtim dhe të kenë të njëjtën busull orientuese, zhvillimin e shkencave shqiptare dhe lidhjen e saj sa më ngushtë me jetën.

Në tekstet shkollore vërehen gabime drejtshkrimore, gjë që ka ndikuar për keq në edukimin gjuhësor të nxënësve dhe studentëve. Si mund të korrigjohen këto gabime?

Problemi mund të zgjidhet vetëm me vendosjen e korrektorëve dhe të redaktorëve të përgatitur, që duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për të gjitha gabimet që bëhen. Është vërtetë e pafalshme që një tekst shkollor, që duhet të shërbejë si model nga çdo anë, të ketë gabime. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.

Në ditët tona ka një lumë botimesh, nga të gjitha gjinitë. A është në interes të shkencës dhe letërsisë shqiptare ky numër i madh librash që botohen?

Botimet nuk mund të ndalohen më si dikur në kohë të diktaturës. Unë vetë e kam vuajtur këtë ndalim, sepse për shumë vite nuk më kanë lejuar të botoj qoftë edhe artikuj të thjeshtë. Kjo ka ndodhur në periudhën e monizmit në vitet 1973-1978. Kur dërgova në Institutin e Gjuhësisë punimin e parë me titull “Koha e ardhshme e foljeve në gjuhën shqipe”, pesë vjet me radhë nuk ma botuan. Dhe nuk ma thonin arsyen. Herë më thonin “kemi pasur punë”, ose “kemi pasur shumë artikuj për të botuar”, ose “do të thërrasim vetë”, dhe vetëm pas disa vjetësh e mora vesh se e kisha pengesën nga rrethi. Në Institut e kishin zakon që për bashkëpunëtorët e rinj kërkonin nja autorizim nga rrethi ku punon, dhe rrethi kishte dërguar përgjigje negative për arsye të biografisë sime. Në të vërtetë, familja ime nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar politikisht, por im atë ka qenë tregtar dhe ka pasur një dyqan. Kjo ka qenë e mjaftueshme që unë të isha i padëshirueshëm për regjimin komunist të asaj kohe. Më vonë, pas shumë takimesh, letrash e ndërhyrjesh, më dhanë një leje për të botuar kur ta shikonte të arsyeshme Instituti dhe aq sa e shikonte të arsyeshme ai. Dhe ky institucion e mbajti këtë porosi të rrethit duke më botuar vetëm një artikull në dy vjet edhe atë me shumë shkurtime. Vetëm mbas shembjes së komunizmit dhe ardhjes së demokracisë e kam ndier lirinë e plotë të botimit dhe nuk më janë shkurtuar më artikujt dhe as nuk kam pasur kufizime. Madje, puna e re si sekretar i përgjithshëm i Presidentit, më krijoi mundësi të mëdha për t’u lidhur me shumë qendra studimore e universitete jashtë Shqipërisë në shumë vende të Europës, sidomos me arbëreshët e Italisë e shqiptarët e Kroacisë. Frut i kësaj lirie janë botimet e shumta, që arrijnë në 15 libra me më shumë se 5 mijë faqe, si edhe një numër i madh artikujsh e kumtesash, që e kapërcejnë shifrën 150.

Problem mbeten huazimet

Duhet vetëm kujdes për gjuhën. Problem për gjuhën e sotme është globalizmi, ndikimi i gjuhëve të mëdha, të gjuhëve që përhapin shkencën, teknikën, letërsinë, artin. Ky është një proces i pandalshëm. Prandaj edhe gjuha shqipe do të jetë gjithmonë nën një ndikim të tillë. Por ajo për të cilën duhet të kujdesemi është që shumë fjalë të huaja që kanë hyrë në gjuhën shqipe e mund të hyjnë në të ardhmen, të zëvendësohen me fjalë të gjuhës shqipe. Për këtë është e nevojshme të studiohen edhe shkrimtarët e mëdhenj që kanë qenë të ndaluar për të nxjerrë në dritë pasurinë leksikore e frazeologjike. Edhe dialektet e shqipes, sidomos ai i Veriut është shumë i pasur, por duhet që kjo pasuri të bëhet pronë e standardit, me qëllim që me anë të saj të zëvendësohet një pjesë e fjalëve të huaja të panevojshme. Një kujdes më të madh duhet të kenë zyrtarët, politikanët dhe punonjësit e mediave, shembulli i mirë i të cilëve ndikon pozitivisht në zhvillimin e standardit dhe në pasurimin e tij me brumin e gjuhës shqipe.

Aty ku lëvrohet gjuha shqipe, në institucionet, ku botohen libra e ku punohet me media elektronike, të kenë patjetër redaktor dhe korrektor me eksperiencë, që e njohin mirë gjuhën shqipe; sepse mungesa e tyre sjell dëm të madh, meqenëse një gabim i tyre gjen udhën e përhapjes nëpër libra, gazeta e revista (Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2010 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress