Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Art & Kulture » Kalaja e Lezhes te mos kthehet ne qebabtore

Kalaja e Lezhes te mos kthehet ne qebabtore

Kalaja e Lezhes te mos kthehet ne qebabtore

Para disa kohësh “Gazeta Shqiptare” referoi disa projekte që drejtori i Institutit të Monumenteve të Kultures kishte prezantuar gjatë analizës vjetore të institucionit të tij në mjediset e MTKRS-së.

Dy ilustrimet që Fatmira Nikolli botoi për të shpjeguar përmbajtjen e ndërhyrjeve të planifikuara për Kalane e Lezhes u bënë shtytja për këtë shkrim. Së pari, duhet të sqaroj se projekti i përmendur për Kalane e Lezhes nuk është as i ri, e as prezantohet për herë të parë.

Kalaja e Lezhes te mos kthehet ne qebabtore

Ai është diskutuar dhe konsideruar si i papranueshëm që në 2007 nga Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kultures dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Apollon Baçe, atëherë drejtor i IMK-së, e ka rinxjerrë mesa duket edhe një herë tjetër nga sirtari të njëjtin projekt, por këtë radhë gjithçka i ka kaluar mirë. Asnjë kundërshtim as nga Këshilli i tanishëm Shkencor i IMK-së, as nga Këshilli i tanishëm Kombëtar i Restaurimeve.

Ç’të ketë ndodhur vallë me këto 2 forume që kanë mbajtur qëndrime të kundërta për të njëjtin projekt në këto 4 vjet? Ç’ka ndryshuar në parimet që udhëzojnë vendimmarrjen e këtyre forumeve për të vlerësuar projektet e ndërhyrjeve në monumente? Padyshim që është rrënuar profesionalizmi i forumeve të reja mendoj unë, së bashku me rritjen e intolerancës për pikëpamjet alternative. Por, më shumë se analizën e profesionalizmit të institucioneve, ky shkrim synon të argumentojë pse projekti i miratuar për Kalane e Lezhes përfaqëson një qëndrim të papranueshëm ndaj monumentit të kulturës.

Ilustrimet e botuara edhe më parë nga Gazeta Shqiptare tregojnë qartë se vizioni i ri që do të na shfaqet para syve në kalanë e Lezhës është jo ai që jemi mësuar të shohim deri tani. Intimiteti dhe atmosfera krejtësisht magjike e hapësirës së brendshme të kalasë, do të zëvendësohet nga një pamje ‘shumë dinamike’ me ndërtesa një e dykatëshe ku do të ofrohen shërbime bari, restoranti, po edhe disa dhoma hoteli. Ndërtimet do të shfrytëzojnë rrënojat ekzistuese dhe do t’i plotësojnë ato për të ngritur muret mbajtës të ‘vizionit të ri’ me kafe, qofte e motel brenda. Me pak fjalë, edhe një nga vendet e pakta që na ka mbetur ku qetësia, natyraliteti dhe kontakti me autenticitetin e të kaluarës ende mbretëron, rrezikon ta humbë këtë magji dhe të shndërrohet në një restorant më shumë. Nëse ka një vlerë që objektet dhe sitet e trashëgimisë kulturore mbartin dhe transmetojnë në qeniet dhe mendësitë tona dhe të shoqërisë bashkëkohore, është pikërisht ndjesia e pastërtisë, qetësisë, reflektimit, thjeshtësisë, origjinales, harmonisë së objekteve të njeriut me mjedisin natyror. Për cilën arsye madhore do të na duhet të heqim dorë prej këtyre vlerave që kalaja e Lezhës i mbart në mënyrën më dinjitoze ashtu siç ruhet sot?

Përgjigjen na e jep drejtori i aktual i IMK-së: “sepse duhet t’u ofrojmë një kafe vizitorëve kur arrijnë atje lart”!!! Po a nuk po investon Bashkia e Lezhës, me mbështetjen e qeverisë për të përmirësuar rrugën që të çon nga qendra e qytetit në Qafën e Kalasë vetëm për pak minuta me automjet? A nuk mund të një kafe apo pije freskuese në mënyrë shumë modeste dhe në respekt me mjedisin diku jashtë mureve të kështjellës? A nuk e ka kuptuar ende drejtori i IMK-së dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve se magjia dhe shpirti i hapësirës brenda mureve të kalasë është pasuria më e madhe që duhet të administrojmë atje? Një mejhane më shumë në morinë e investimeve, disa herë mjaft serioze, në zonën e Lezhes dhe Shengjinit nuk do të sillte asgjë më shumë për rajonin, përkundrazi.

Arsyet e kundërshtimit
Po arsyet pse projekti i propozuar është i papranueshëm janë të shumta. Ruajtja e xhevahireve të pasurisë kulturore që kemi trashëguar (si Kalaja e Lezhes) duhet të bëhet jo thjesht mbi bazë opinionesh apo interesash individuale, por mbi bazën e disa parimeve të restaurimit që janë transferuar nga eksperienca botërore dhe shqiptare dhe janë mishëruar në legjislacionin tonë për Trashëgiminë Kulturore. Dhe ligji ynë për Trashegimine Kulturore i referohet Kartës Shqiptare për Restaurimin si dokumenti bazë që përcakton këto parime. Drejtori i IMK-së, anëtarët e Këshillit Shkencor dhe ata të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve e kanë për detyrë të kujdesen që çdo vendim që marrin të jetë në përputhje me parimet e cituara aty. Këta individë dhe forume, si përfaqësuesit më të lartë profesionalë të shoqërisë shqiptare në problemet e trashëgimisë kulturore, kanë për detyrim edhe përditësimin e tyre më debatin bashkëkohor dhe zhvillimet e kohës në fushë të restaurimit dhe administrimit të trashëgimisë. Sa përputhet ky projekti i Kalase së Lezhes me këto parime? Nuk puth gjëkundi! Përkundrazi, është në kundërshtim flagrant me to, sikurse edhe me interesin afatgjatë të shoqërisë shqiptare për ruajtjen e trashegimisë së saj. Karta Shqiptare e Restaurimit thekson se nuk lejohen “plotësimet në stil, ose ndërhyrjet e ngjashme me këtë edhe kur ato, në dukje, mund të udhëzojnë apo ndihmojnë të kuptojmë se si ka qenë dhe duhet shfaqur pamja e veprës/monumentit pas përfundimit të ndërhyrjes.” Më tej Karta Shqiptare e Restaurimit thekson se nuk lejohen “ndërhyrje në ambientin shoqërues apo plotësues në të cilin është vendosur dhe ka ardhur vepra deri në ditët e sotme, si p.sh. të kompleksit monumental ose ambiental, kompleksit të mobilimit, kopshtit, parkut, etj.” Çfarë propozon projekti i IMK-së për Kalane e Lezhes? Pikërisht atë që nuk lejon Karta e Restaurimit: plotësimin e monumentit kur nevoja e tij për ti rezistuar kohës nuk e kërkon një gjë të tillë. Po ç’rëndësi ka kjo për Baçen e kompani? Monumenti nuk duhet të plotësohet për të ndihmuar vizitorin ta perceptojë atë më mirë, por mund të plotësohet për t’u kthyer në mejhane!

Sidoqoftë rrënojat e Kalase së Lezhes, për t’u plotësuar dhe për t’u vendosur mbi supe peshën e mejhanes së re, duhen përforcuar me elementë bashkëkohorë, ndërkohë që konservimi i tyre në gjendjen aktuale kërkon në rastin më ekstrem ndërhyrje fare minimale. Projekti i prezantuar nga IMK prek në këtë mënyrë thelbin e atyre rrënojave si dëshmi historike të një kohe të largët, të teknikave, materialeve dhe njohurive të asaj kohe dhe i përzien ato me shijet e mejhanendërtuesve të ditëve tona. Ruajtja e autenticitetit dhe integritetit të monumentit është detyrim profesional, atdhedashës, kulturëdashës, por edhe ligjor i IMK-së dhe Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Vendime për ndërhyrje të tilla më efekt të thellë transformues për monumentet e kulturës nuk mund të merren në mënyrë kaq sipërfaqësore. Çdo të bëhet ditën e nesërme të realizimit të projektit të propozuar? Turma turistësh do të dynden të shijojnë erën e dhjamit të djegur të mejhanes? Apo të frymëzohen për traditën historike shqiptare në shoqërinë e pompës hidraulike, magnetofonit të çjerrë, qyfyreve të mejhanes dhe shkarkimit të mbetjeve njerëzore nga kati i dytë i motelit drejt qytetit të poshtëm? E keqja e madhe është se ‘proçka’ që Baçe e të tjerë na lënë pas, do të na duhet ta durojmë edhe pas shumë kohësh, kur shqiptarët e qytetëruar ta prekin përditë kotësinë e saj. Ajo është e pa rikthyeshme, ose nuk mund të zhbëhet pa dëme serioze për rrënojat arkeologjike që sot i kemi monument kulture nën mbrojtjen ligjore të shtetit. Parikthyeshmëria e ndërhyrjes në monument është një tjetër shkelje flagrante e parimeve të restaurimit. Absurde pafund! Dhe dikush duhet të na shpjegojë pse e gjithë kjo?

Jo shumë kohë më parë qendra arkeologjike e Lezhës dhe kalaja e saj u shpallën Park Arkeologjik nga Qeveria shqiptare dhe ky është hapi i parë i rëndësishëm drejt një administrimi korrekt e të përditshëm të saj. Ajo që MTKRS dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve duhet të kërkojnë nga administratorët e parkut është një plan menaxhimi bashkëkohor, që të përpunojë një vizion koherent dhe afatgjatë për zhvillimin e tij. Në vend që kalaja të investojë për të pritur frekuentues mejhanesh, duhet të përgatitet të presë grupe nxënësish dhe vizitorësh që presin të magjepsen nga një eksperiencë unike në kala; që pretendojnë të edukohen me të kaluarën shqiptare dhe të zbulojnë vlerat e qytetarisë, qetësisë, reflektimit dhe respektit për mjedisin natyror e kulturor. Kjo është e lidhur ngushtë edhe me të ardhmen ekonomike të parkut arkeologjik dhe komuniteteve përreth tij.
Duke vrojtuar me kujdes mbroçkullat e deritanishme (qëndrimi ndaj ndërhyrjeve në Kalanë e Tiranës, zonën rreth saj dhe sheshin qendror në Durrës, idetë mahnitëse për mbulimin me xham të strukturave dhe mozaikut në Elbasan, heqjen nga lista e monumenteve të ish-Shtëpisë së Pionierëve në Shkodër dhe piramidës, idetë konfuze dhe tërësisht jashtë kohe për ‘reformimin’ e sistemit të trashëgimisë, etj.) Nuk kam ndonjë shpresë në koherencën profesionale apo gjykimin racional të drejtuesit të IMK-së dhe anëtarëve të tjerë të sërës së tij në Këshillin Shkencor dhe Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. Por dua të pretendoj që monumentet të ruhen nga absurditeti individual nëpërmjet forcës së ligjit. Apelimi si i paligjshëm i vendimit për ndërhyrjen në Kalanë e Lezhës mbetet hapësira e vetme qytetare për mbrojtjen e saj nga ata që i kemi vënë të na mbrojnë monumentet!

Fati i keq deshi që muajin e kaluar të prekej edhe një tjetër kështjellë e rëndësishme për historinë e shqiptarëve në rajon. E kam fjalën për kalanë e Shkupit që u bë arenë e një absurdi tjetër me shije tepër të rëndë e të përzierë politike, nacionaliste, kompleksi inferioriteti dhe përdhosje profesionale. Në mes të natës filloi të mbijë në Kalanë e Shkupit një kishë ortodokse. Por shqiptarët reaguan në bllok ndaj përpjekjeve patetike të qeverisë ‘për ndërtimin e kësaj trashëgimie të re kulturore’. Ky koncept për trashëgiminë kulturore lë pa fjalë cilindo që i njeh sadopak këto çështje. Sidoqoftë, është e qartë për të gjithë se pas përpjekjeve të qeverisë maqedonase për të “prodhuar trashëgimi kulturore” qëndron axhenda e saj nacionaliste. Shndërrimi i trashëgimisë në një burim kontestimi dhe konflikti është një nga ‘peshqeshet’ e qeverisë maqedonase për të gjithë popujt e rajonit. Kjo është intelektualisht e korruptuar dhe moralisht e patolerueshme. Përveç shumë argumenteve të tjera, shqiptarët e Shkupit kanë edhe një arsye të fortë profesionale me vete. Ata nuk mund të lejojnë trajtimin e pasurisë kulturore (që nuk është vetëm e tyrja, por e të gjithë njerëzimit) me injorancë dhe pa respektin minimal për vlerat e shoqërisë bashkëkohore! Një ndërtim i ri i çfarëdo karakteri, që nuk ka të bëjë me ruajtjen e monumentit, në një qendër historike e kulturore si kështjella e Shkupit është në kundërshtim flagrant me çdo parim restaurimi dhe administrimi të pasurisë kulturore. Është në kundërshtim me çdo konventë a dokument të pranuar ndërkombëtarisht për trashëgiminë dhe diversitetin kulturor. Shpresoj që shqiptarët e Shkupit t’ia dalin ta ndalojnë projektin e marrë të ndërtimit të kishës së re në mes të Kalasë së tyre. Shpresoj gjithashtu që shqiptarët e Shkupit të frymëzojnë edhe shqiptarët e tjerë për më shumë vëmendje, më shumë respekt dhe më shumë interes për pasurinë e trashëguar nga të parët e tyre.

Me gjithë veçoritë evidente të dy rasteve të përmendura këtu, ka diçka të përbashkët në këto histori. Të dyja të kujtojnë praktika që vijnë drejtpërdrejtë nga shekulli i 19-të kur disiplina e restaurimit dhe qëndrimit ndaj monumenteve të kulturës ishte jo vetëm e padisiplinuar, por edhe shpesh e prirur nga ndërhyrjet tërësisht transformuese të dëshmisë historike që monumentet mbartin. Monumentet tona nuk e meritojnë këtë lloj qëndrimi në shekullin e 21-të. Shoqëria shqiptare jam i bindur se ka shumë më tepër potencial se kaq. Kalaja e Lezhës duhet të mbetet e respektuar në magjinë e saj. Kalaja e Shkupit është transformuar boll, nuk ka nevojë për ‘monumente të rinj’!
*Profesor i Arkeologjisë dhe Administrimit të Trashëgimisë Kulturore. Universiteti i Tiranës
Titujt e detajet janë të redaksisë (Nga Prof. As. Dr.Lorenc Bejko)

Leave a Reply

© 2011 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress