Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Aktualitet » Kush eshte Daut Kadriovski, kercenuesi i Braces

Kush eshte Daut Kadriovski, kercenuesi i Braces

Kush eshte Daut Kadriovski, kercenuesi i Braces

Ditë më parë Berisha paralajmëroi kërcënimin / “Ujku i drogës” Daut Kadriovski dërgon një CD ku kërcënon krerë dhe deputetë të opozitës. Rama dhe Braçe akuzohen për trafik dhe vrasje.

Kërcënime edhe për politikanët në Kosovë dhe Maqedoni

Daut Kadriovski, një emër i vjetër i trafiqeve të drogës dhe i njohur si anëtar i bandës së “Ujqërve Gri” në Romë ka postuar në adresa politikanësh një video-intervistë, ku akuzon thuajse të gjithë ata që kanë qenë në pushtet në vitet 2001-2002 në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Shqiptaro-maqedonasi Kadriovski i drejtohet nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, dhe kreut të PS-së Edi Rama duke i kërkuar që të ndërpresin fushatën e tyre politike kundër qeverisë Berisha për aferat e korrupsionit. Në intervistën e tij përmenden gjithfarë emrash të tjerë socialistë të periudhës 2001-2002 si Fatos Nano, Makbule Çeço etj. Ndërkohë në Maqedoni dhe Kosovë i drejtohet Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit të PDK-së dhe Menduh Thaçit, kryetarit të PDSH-së.

Kush eshte Daut Kadriovski, kercenuesi i Braces

CD-ja e çuditshme ka mbërritur në Tiranë ditën e hënë më 20 dhjetor. Edhe më i habitshëm rezulton fakti që Sali Berisha në një nga momentet e tij të nervozizmit në Kuvend, paralajmëroi 25 ditë më parë me fjalë krejtësisht të ngjashme CD-në e Kadriovskit . Në pjesën shqiptare, Braçe dhe Rama kërcënohen se do bëhet publike një ngjarje ku ata sipas dërguesit të CD-së akuzohen për vrasje dhe trafik droge.
Ishte nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe që bëri publik dje kërcënimin. Kadriovski që njihet me disa emra është një prej eksponentëve kryesorë të mafies në Europë. Më poshtë, denoncimi i Erjon Braçes..

“…Siç ju e dini një grup i madh deputetësh të grupit parlamentar të PS, por një numër akoma më i madh ekspertësh të pavarur janë angazhuar në një proces serioz, konkret dhe pa diskutim efikas të transparencës ndaj akteve të qarta të korrupsionit qeveritar, të përfaqësuara denjësisht dhe të udhëhequra nga Sali Berisha.
Ky proces po tregon Shqipërinë dhe shqiptarët që vidhen 24 orë të çdo dite të vitit.

Sali Berisha në cilësinë e Kryeministrit të Republikës është angazhuar drejtpërdrejtë në relativizimin e kësaj fushate historike transparence, natyrisht është angazhuar drejtpërdrejtë dhe në ndërprerjen e saj, duke sulmuar, atakuar, shpifur dhe kërcënuar drejtpërdrejt.

Sali Berisha po e bën këtë gjë, duke mos kursyer në asnjë minutë të veprimtarisë së tij politike dhe shtetërore edhe bashkëpunimin direkt me krimin e organizuar, madje së fundi duke njehsuar struktura të posaçme të qeverisë, struktura okulte të Ministrisë së Brendshme dhe policisë së shtetit pikërisht në këtë bashkëpunim kriminal me krimin e organizuar, kundër përfaqësuesve të opozitës.

Ditën e hënë, pas një mbledhje pune këtu në selinë e PSSH, personeli më ka vënë në dispozicion këtë zarf, shërbyer në selinë socialiste të Shqipërisë nga Posta e Tiranës. Brenda tij është një kartolinë dhe brenda kësaj kartoline është një CD. Nga ana e pasme të së cilës është materializuar ky tekst: “Ke 24 orë kohë ndryshe kanalet televizive do ta publikojnë”. Në fund fare është lënë një numër celulari, që nga prefiksi duket që është numër i Maqedonisë, në fund fare ka emrin Daut Kadriovski.

Në përmbajtje të kësaj CD shtetasi Daut Kadriovski, i njohur për CV e tij kriminale, i kërkuar në më shumë se 13 shtete, i përfshirë në aferat më të ndyra të krimit të organizuar dhe korrupsionit, “dëshmon” se kryetari i PSSH Edi Rama dhe unë personalisht në cilësinë e deputetit, jemi përfshirë në përdorim dhe në trafik droge dhe në fund fare në dy vrasje. Njëri këtu në Tiranë dhe tjetri duke e hedhur nga kati i tretë apo i katërt në Shkup të Maqedonisë.

Njëherazi në përmbajtje të kësaj CD-je përmendet gjithë klasa politike shqiptare në rajon, duke përfshirë Hashim Thaçin, për të vijuar me Jakup Krasniqin, Ramush Haradinaj dhe familjen e tij. Për të zbritur deri tek klasa politike shqiptare në Maqedoni, duke përfshirë Mendu Thaçin dhe partinë e tij, apo më tutje edhe Imer Selmanin e partinë e tij. Pra është një CD komplekse ku një prej përfaqësuesve më të regjur të krimit të organizuar, mesa duket së fundmi i lirë, shfaqet i përdorur politikisht nga Sali Berisha dhe strukturat e tij okulte, për të përfolur, për të shpifur, për të atakuar, për të sulmuar, për të njollosur pothuajse përfaqësuesit kryesor të politikës shqiptare, jo vetëm në Tiranë por edhe në rajon.

Natyrisht gjithsecili mund të pyes sot se përse po e atashon këtë çështje me Sali Berishën. Në momentin e parë që jam njohur me përmbajtjen e kësaj CD-je kam çuar në mendje seancën parlamentarë të diskutimit të buxhetit për vitin 2011. Seanca është e datës 25 nëntor 2010 dhe menjëherë mbas fjalës sime, në emër të grupit parlamentar të PS, në sallën e kuvendit Sali Berisha më është shprehur saktësisht kështu:

“..Pse nuk e thua? Jo more zotëri, ti je i keqpërdorur. Një njeri nuk keqpërdor një njeri që ka një histori shumë të dhimbshme personale, një histori të dhimbshme sociale dhe politike. Ti i di shumë mirë lidhjet e tij me Kadriovskin, se janë edhe të tuat. Po, po janë edhe të tuat se janë me dëshmi. Ti di shumë mirë historinë e të ndjerës Din, se është historia jote dhe e Edi Ramës. Ti i di shumë mirë historitë e Ginës, ti je zëvendësi i tij këtu sot prandaj edhe ti nuk vuan as përpara shpirtrave të katër foshnjave…”

Ky është procesverbali i seancës plenare. Këto që sapo citova janë fjalët e Sali Berishës, të thëna në datën 25 nëntor të këtij viti, ndërkohë që kjo CD me “dëshmi të Daut Kadriovskit” ka patur në sfond një pemë krishtlindjesh. Që do të thotë që kjo ka ardhur në kohë pas një urdhri verbal të Sali Berishës në krye të strukturave oklute, që bashkëpunojnë sot me krimin e organizuar për ti mbyllur gojën PS, kryetarit të saj, deputetëve të angazhuar në luftën kundër trafikut dhe korrupsionit të qeverisë së Sali Berishës.

Pikërisht të njohur me këto fakte gjykuam qartësisht gjatë këtyre dy ditëve se po kalojmë nga një fazë e shpifjeve politike për konsum publik të Sali Berishës bërë anë e kënd Shqipërisë nga salla e Kuvendit, në një fazë të re. Sali Berisha po bashkëpunon me krimin e organizuar, po zëvendëson krimin e organizuar, po përdor krimin e organizuar tashmë jo për akuza dhe shpifje banale politike, por për akuza të rreme penale. Që tregon më së miri se Sali Berisha po prek fundin, por edhe se Sali Berisha po bëhet shoqërisht i rrezikshëm për çdo shqiptar që refuzon ti nënshtrohet.

Duke gjykuar këtë moment të rëndësishëm dje kryetari i PS Edi Rama dhe unë në cilësinë e deputetit i Republikës së Shqipërisë kemi marrë kontakt me Presidentin e Republikës, e kemi informuar për gjithçka po ndodh, i kemi vënë në dispozicion këto dokumente dhe këto fakte. Natyrisht që kemi paralajmëruar se ne jemi në dijeni të qartë dhe të plotë të një angazhimi serioz të Sali Berishës për të vijuar këtë veprimtari kriminale përkundrejt opozitës politike në Shqipëri dhe me të tjera raste përmes një strukture okulte brenda radhëve të policisë së shtetit, që po shëtit qeli më qeli të këtij vendi, madje dhe jashtë tij për të gjetur njerëz të inkriminuar dhe për të mbledhur “dëshmi” të rreme, qartësisht të rreme përkundrejt përfaqësuesve të opozitës për ti mbyllur gojën.

Menjëherë pas kontaktit me Presidentin e Republikës, në vijim të angazhimeve tona institucionale sot në mëngjes kam marrë dhe kam vënë në dijeni prokurorin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Për sa kohë që vepra penale e shpifjeve dhe shantazhit të drejtpërdrejtë kundër deputetit të Kuvendit dhe kryetarit të partisë për shkak të detyrës është kryer në territorin e Tiranës. Menjëherë pas këtyre kontakteve do të depozitojmë sot pa u vonuar asnjë minutë kallëzimin penal.

Për ta mbyllur do doja të vija në dijeni të gjithë opinion publik se i gjithë qëllimi i kësaj historie është që opozita të ndërpresë fushatën e saj të mirëpritur, të shumëkërkuar në këtë vend kundër korrupsionit.

Sot po ju them që Sali Berisha është në dijeni të plotë të publikimeve shumë të rënda dhe serioze që do të kulmojnë ditët në vijim dhe të cilat nuk e mbajnë më dot në këmbë qeverinë e Sali Berishës. Po ju them nuk e mbajnë dot më në këmbë qeverinë e Sali Berishës.

Do doja ta mbyllja gjithë këtë denoncim duke dërguar një mesazh të qartë, jo vetëm timin personal por secilit prej deputetëve të PS: Shprehim neverinë e qartë përkundrejt këtyre akteve të drejtuara nga Sali Berisha dhe krimi i organizuar. Refuzojmë kategorikisht ti nënshtrohemi këtyre praktikave kriminale tipike mafioze të një qeverie të korruptuar dhe në ikje. Garantojmë çdo shqiptar se fushata jonë e transparencës përkundrejt akteve korruptive, përkundrejt zyrtarëve të korruptuar, përkundrejt produktit kriminal të korrupsionit nuk do të ndalet. Ne nuk jepemi, ne do ta çojmë deri në fund këtë fushatë kundër korrupsionit për të çliruar njëherë e mirë Shqipërinë nga njerëzit e korruptuar, nga pushtetarët e korruptuar dhe për ti dhënë lirinë shqiptarëve të jetojnë në këtë vend jetën e tyre, të ardhmen e tyre të ndershme dhe me djersën e ballit…”
Kryeministri Berisha e dinte përmbajtjen e intervistës që më datë 25 nëntor, rreth tre javë përpara se të zhvillohej

Berisha e përmendi Kadriovskin 25 ditë më parë
Më datë 25 nëntor 2010, 25 ditë para se CD-ja të dorëzohej në Tiranë, Sali Berisha ka folur në Kuvend për këtë çështje duke kërcënuar Erjon Braçen dhe duke i përmendur atij Kadriovskin. Menjëherë pas fjalës së Braçes për Buxhetin dhe korrupsionin, Berisha është përgjigjur me këto fjalë:
“Pse nuk e thua? Jo more zotëri, ti je i keqpërdorur. Një njeri nuk keqpërdor, një njeri që ka një histori shumë të dhimbshme personale, një histori të dhimbshme sociale dhe politike. Ti i di shumë mirë lidhjet e tij me Kadriovskin, se janë edhe të tuat. Po, po janë edhe të tuat se janë me dëshmi. Ti di shumë mirë historinë e të ndjerës Din (Dile Mirashi, femra që bashkëjetonte me Kadriovskin), se është historia jote dhe e Edi Ramës. Ti i di shumë mirë historitë e Ginës, ti je zëvendësi i tij këtu sot..”.
Në videon e dorëzuar të hënën, Daut Kadriovski ka një bredh (nga ato të Vitit të Ri) të zbukuruar pas vetes. Ky detaj tregon se intervista është bërë ditët e fundit në atmosferën e festave të fundvitit. Fjala e Berishës është më datë 25 nëntor, pra shumë ditë përpara se të nisë atmofera e festave. Llogjikisht Berisha i ka thënë ato fjalë përpara kohës kur është dhënë kjo intervistë.

Pyetja që ngrehet me bazë logjikën e thjeshtë është: Si e dinte kryeministri i Shqipërisë përmbajtjen e intervistës përpara se ajo të bëhej?!
Vetë S.Berisha nuk ka bërë dje ndonjë koment për këtë ndërsa Braçe është shprehur: “Do të thotë që xhirimi i kësaj interviste ka ardhur në kohë pas një urdhri verbal të Sali Berishës në krye të strukturave okulte, që bashkëpunojnë sot me krimin e organizuar për ti mbyllur gojën PS-së”.

Bosi i drogës u arrestua në Golem në 5 shtator 2001. Biznesi i tij lulëzoi pas vitit 1992
Kadriovski: Politikanët shqiptarë i njoha nga kriminelët
Daut Kadriovski ka qenë i arrestuar në Gjermani në vitin 1985. Në vitin 1993, ai arriti të dalë nga burgu. U arrestua sërish në Shqipëri në Golem, më 5 shtator 2001. 52-vjeccari shkupjan ishte ndaluar ndërsa kërkohej nga Interpoli në 184 shtete, me akuza nga Italia, Gjermania e deri nga Australia. Cilësohej si “peshkaqeni” i narkotrafikut. Mbi vete kishte një skedë të mbushur kriminale.

Policia e Tiranës e arrestoi për llogari të Interpol Romës, pasi ishte dënuar me 12 vjet burg. Do të ekstradohej në janar 2002. I njohur me emrin e rremë, Mehmet Ajdini ai kërkohej edhe nga Gjermania e Hungaria për një numër të madh akuzash, ku kryesorja është ajo e drogës, e më pas vrasje e arratisje nga vendi i dënimit.

Në gjykatë tha: “Në gati dhjetë vjet të aktivitetit tim në Shqipëri jam njohur e kam pasur marrëdhënie me njerëz të të gjitha kategorive, përfshi edhe ministra e politikanë. Kam ardhur në Tiranë duke filluar nga viti 1992. Në atdheun tim, në Maqedoni, nuk mund të shkoja lirshëm pasi kisha bërë burg për shkak se u rraha me një polic, prandaj preferova Tiranën”.

I veshur si bamirës, dhe me emrin Daut Kadriu, ai gjeti shumë shpejt pikat e dobëta për të krijuar rrjetin. Sponsorizon në vitet 1992 dhe 1994 udhëtimet e grupit folklorik në Australi, ku kish kaluar një pjesë të jetës. Merr në pronësi ambiente bingosh në Berat, Fier dhe shumë rrethe të tjera. Vijoi i qetë nën emër të rremë aktivitetin e tij në Shqipëri, ku e kishte gjetur edhe gruaja australiane dhe fëmijët në vitin 1998.

“RD” botoi letrat anti-Rama të Kadriovskit
Kadriovski dhe dëshmitë e tij nuk janë të panjohura për Berishën, ndaj lidhja mes Berishës e Kadriovskit në këto rregistrime ka gjasa të jetë e vërtetë. Që në gusht 2008 organi i PD-së, “RD” nis një cikël shkrimesh me “rrëfimin e Daut Kadriovskit”. Sipas saj, baroni i drogës flet për lidhjet e tij me funksionarë të lartë socialistë. Gazeta botonte edhe letrën e tij, ku përshkruan veprimtarinë e vet, miqtë, armiqtë, trafikun, njerëzit e pushtetshëm që u njohën dhe u lidhën me të, si e nxirrnin në Greqi kokainën dhe heroinën me makina me targa RSH. Sipas RD-së, i ashtuquajturi “Ujku gri”, e dërgonte letrën nga një burg Italian, ku vuante dënimin me 12 vjet heqje lirie për trafik ndërkombëtar droge dhe të gjitha akuzat lidheshin me “politikën e re” që po bënte Edi Rama në krye të PS-së.

Arrestimi i qetë i bosit të mafias
Daut Kadriovski ka qenë një person i kërkuar pothuajse në çdo shtet të botës por edhe një mit për policinë. E vetmja fotografi e tij e tregonte një djalë të ri ndërsa ai ishte 52-vjeç. Të vetmit persona që e njihnin ishin dy agjentë të shërbimeve sekrete maqedonase, edhe këta shqiptaro-maqedonas. Këta dy njerëz zbarkuan në Shqipëri verën e vitit 2001 në kërkim të Kadriovskit. Në bashkëpunim edhe me Shërbimet Sekrete shqiptare ata e mbajtën nën vëzhgim për një kohë të gjatë në plazhin e Golemit ku bënte një jetë “pensionisti” së bashku me Dile Mirashin. Pasi mblodhën të gjitha të dhënat, agjentët maqedonas dhe ata shqiptarë i kërkuan policisë arrestimin e tij. Një grup special u nis nga Tirana pa ditur se kë arrestonte, por të armatosur rëndë sepse dihej që ishte i rrezikshëm. Në të vërtetë në momentin e arrestimit Kadriovski ishte shumë i qetë. Rreth orës 20.00 të pesë shtatorit 2001 ai po pinte një gotë birrë në plazh kur pa veten të rrethuar nga policia. Shumë qetë ai ka zgjatur duart për ti vënë prangat.

Kadriovski zëvendësoi kockën me shufër platini
Në vitin 1985 Daut Kadriovski është arrestuar nga policia gjermane me akuzën e trafikut të drogës. Shqiptaro-maqedonasi punonte prej shumë vitesh me bosët e mafias italiane dhe ishte bërë një nga pikat kyçe të trafikut të heroinës nga vendet e lindjes. Por teksa ishte në pritje të nisjes së gjyqit ai arriti që të arratisej nga burgu. Policia e ndoqi nga pas dhe e plagosi, por nuk mundi ta kapë. Goditja e plumbit i kishte shkatërruar të gjithë femurin, por për bosin e drogës nuk kishte asgjë të pamundur. Ai ka zëvendësuar kockën më të gjatë të trupit të një njeriu me një shufër të shtrenjtë platini. Pas arrestimit tha se ishte i vetmi material që nuk i bënte alergji me mishin. 15 vjet më pas, nga kjo histori atij i kishte mbetur vetëm një shenjë e vogël dhe fakti që çalonte.

Vrasja e kirurgut që i bëri operacion plastik
Pas arratisjes nga burgu gjerman Daut Kadriovskit i duhej të fshihej sërish. Urdhër-arrestet në emër të tij ishin shtuar dhe shumë vende të botës e kishin vënë në krye të listës së tyre. Zgjidhja që gjeti bosi i mafias ishte një operacion plastik. Kirurgu që bëri operacionin e tij u vra pak kohë më pas. Policia gjermane akuzoi Daut Kadriovskin si autorin apo urdhëruesin e vrasjes, por kjo nuk u provua asnjë herë.

20 identitete të rreme
Daut Kadriovski lëvizte në Europë duke përdorur 20 emra të ndryshëm. Dy nga identitetet e tij më të përdorura ishin Daut Kadriovski dhe Mehmet Ajdini. Në banesën ku jetonte u gjetën tre pasaporta, shqiptare, turke dhe jugosllave me emrat Daut Kadriu, Daut Kadriovski dhe Daut Kadrijevski. Në gjykatë ai paraqiti edhe një pasaportë të nxjerrë në Bulqizë me emrin Ismet Caka.

Dënimi me 12 vjet burg në Itali
Origjina e aktivitetit të Kadriovskit ishte Turqia, ku 52 vjeçari kishte lidhje të fuqishme, që e bënë të famshëm në fushën e drogës. Ndërsa Italia ka dhënë për të vendimin e formës së prerë me 12 vjet burg, si një nga anëtarët e bandës “ujqërit gri”, të njohur në lagjen “Maniglia” të Romës. Një bandë prej 20 personash, veprimtaria e të cilëve u shkatërrua në vitet 1994-1995.

Lidhja me Dile Mirashin
Bosi i heroinës, Kadriovski, kishte zgjedhur Shqipërinë si një vend “pushimesh të qeta”. Në vitin 1998 një mik në ish-lokalin “Kumanova” e prezanton me kamarieren Dile Mirashi, gjellët e së cilës i pëlqenin shumë. Nuk kalon shumë kohë dhe Kadriovski vendoset në shtëpinë e saj (jetonte e vetme në një banesë në lagjen “Niko Avrami”). Që nga ai moment ata fillojnë të bashkëjetojnë. Së bashku kanë qenë edhe në plazhin e Golemit në momentin e arrestimit. Në sallonin e shtëpisë policia gjeti 25 gramë heroinë të pastër për të cilën shqiptaro-maqedonasi tha: e përdor kur kam dhimbje të këmbës. Dile Mirashi ka lindur në fshatin Fushë-Kuqe të Laçit.

Vdekja misterioze e Dile Mirashit
Dile Mirashi provoi për 30 ditë të ftohtin e qelive shqiptare dhe më pas rifitoi lirinë me vendim të gjykatës së lartë. Por njeriu që jetoi për disa vite me bosin e heroinës nuk mundi ta gëzonte lirinë për shumë kohë. Pak kohë më pas ajo vdiq. Zyrtarisht shkaku i vdekjes ishte hemorragjia cerebrale, por mbi pak njerëz e besuan këtë version zyrtar. Dile Mirashi dinte shumë gjëra për Kadriovskin dhe miqtë e tij. (Shekulli / Lezha.eu)

3 Comments

  1. ismail says:

    ky eshte daut kadriovski nga fshati saraj

  2. […] 20 different names and three passports and is wanted in more than 13 countries […]

  3. salah says:

    he lives in Macedonia and is a drunken sick old man

Leave a Reply

© 2010 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress