Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Aktualitet » Lezhe, babe e bir plumba mbi policine

Lezhe, babe e bir plumba mbi policine

Lezhe, babe e bir plumba mbi policine

Policia do të verifikonte një mjet të dyshuar. Asnjë i plagosur nga breshëritë. Arrestohen pasi qëlluan me 17 plumba kallashi efektivat.

Dy persona, të cilët pas arrestimit rezultuan të ishin babë e bir, qëlluan me kallash drejt policisë në momentin kur pikasën praninë e këtyre të fundit. Të arrestuarit janë shtetasit
Mark Lleshi, 63 vjeç dhe djali i tij, 24-vjeçar Altin Lleshi, të dy banues në fshatin Kallmet i Vogël, komuna Kallmet në Lezhë.

Lezhe, babe e bir plumba mbi policine

Burime të Policisë së Lezhës bënë të ditur se ngjarja e ka zanafillën pasi një patrullë me katër efektiva kishin pikasur rreth orës 23:45 të së shtunës një automjet “Audi 80”, me targa SH 3778 C, i cili ishte e ndaluar në një cep rruge në aksin e vjetër Lezhë-Kallmet, në vendin e quajtur Ura, që ndan fshatin Kallmet i Vogël me fshatin Ungrej. Efektivat kanë dyshuar, ndaj e kanë mbajtur për së largu në vëzhgim mjetin. Por makina e ndaluar në cep të rrugës ka vijuar të qëndrojë në vend, ndërsa brenda saj vihej re prania e dy personave.

Pasi kanë pritur për më shumë se 30 minuta, grupi i gatshëm i Policisë ka kërkuar përforcime, me qëllim për të kryer kontroll në automjetin e dyshuar. Frika se personat brenda mjetit mund të paraqisnin rrezikshmëri, ka bërë që efektivat e grupit të gatshëm të mos ndërhynin të vetëm. Gjashtë efektiva të tjerë të Policisë së Lezhës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, duke rakorduar me kolegët e tyre edhe veprimet që duhej të kryenin në rast të një reagimi të mundshëm të personave që gjendeshin në makinën me targa të Shkodrës. Dhe parashikimi i efektivave se gjatë aksionit mund të përballeshin me agresionin e personave në mjet, rezultoi i saktë. Sapo personat kanë konstatuar mjetin e policisë, kanë qëlluar me armë, fillimisht në ajër, e më pas drejt tyre. Fatmirësisht plumbat nuk shkaktuan viktima apo të plagosur. Burime të Policisë bënë të ditur se të shtënat nisën kur ata ndodheshin në një distancë prej rreth 100 metrash larg veturës.

Blutë arritën të neutralizojnë ngjarjen dhe të arrestojnë dy personat që gjendeshin në mjet kur ata tentuan të largoheshin. Gjatë verifikimit të të arrestuarve, rezultoi se ata ishin babë e bir. Policia ende nuk ka një pistë konkrete, por dyshohet se dy të arrestuarit mund të kishin planifikuar një vrasje të mundshme, ndonëse nuk dihet ndonjë konflikt i familjes. Gjithashtu, dyshohet se ata mund të kenë pasur konflikte pronësie, pistë në të cilën po hetohet. “Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën 17 gëzhoja mod.56, kurse pranë mjetit u gjend një gëzhojë pistolete. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tyre u sekuestrua një armë zjarri mitraloz, gjithashtu u sekuestrua edhe mjeti “Audi 80”, me targë SH 3778 C. (Panorama / Lezha.eu)

1 Comment

  1. Landi says:

    Ja futni kot edhe ju bab e bir!!!!!,skish pun baba me policine edhe ska gjujt fare po hiceni kete text.

Leave a Reply

© 2011 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress