Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Aktualitet » Lokal ne Kalane e Lezhes?

Lokal ne Kalane e Lezhes?

Lokal ne Kalane e Lezhes?

Në Kalane mesjetare të Lezhes dhe në atë të Ndroqit do të ngrihen lokale. Lajmi u bë i ditur dje nga vetë drejtuesi i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe.

Në analizën vjetore të institucionit që ai drejton, teksa fliste për arritjet e vjetshme dhe projektet e sivjetshme, Baçe tha se në bashkëpunim me subjektet private do të rivitalizohet Kalaja e Lezhes dhe Kalaja e Ndroqit. Ndërkaq u shpreh se është në përfundim projekti për rikonstruksionin e hyrjes kryesore të Via Egnatias në Kalanë e Elbasanit. Kuriozë se në çfarë konsistonte bashkëpunimi me privatët, Gazeta e pyeti atë se mbi ç’bazë bëhej ky bashkëpunim dhe ç’përfitonin palët.

Lokal ne Kalane e Lezhes?

Duke iu përgjigjur pyetjes, Apollon Baçe tha: “Do të riformulohen muze dhe do të ketë edhe ndonjë kafene. Do të ngrihen disa prej mureve të rëna. Turistet e kanë të nevojshme një kafe kur ngjiten atje lart”. Në fakt, miratimi i këtij projekti që parashikon ngritjen e një lokali në Kalanë e Lezhës është miratuar në muajin dhjetor nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, këshill i përbërë nga emrat kyç të trashëgimisë. Baçe, duke e sqaruar më tej këtë ndryshim tha se “karakollet dykatëshe turke të viteve 1900, që gjenden në kala, do të ribëhen dhe do të shërbejnë si muze e kafene. Nuk duhet ta keqkuptoni këtë sepse në vende të ndryshme jashtë Shqiperisë ka ambiente të tilla çlodhëse tek monumentet”.

Përveç përfitimit që ka shteti, a ka në këtë rast monumenti nga ngritja e bizneseve private në to, siç pritet të jetë mirëmbajtja apo ngritja e mureve të rëna, pasi në raste si ky ngrihen edhe pikëpyetje. A do kujdesen vërtet subjektet private për monumentin? A do të ruajnë ato të paprekur pjesë të monumentit, në rastin kur planet e privatit bien në kundërshtim me atë të objektit? A mund të ndodhë që nga ndërtimet që do bëhen, qoftë për themelet, qoftë për kanalizimet, do të dëmtohet ndonjë mur mesjetar i Kalasë së Lezhës? A do të ruhen vërtet monumentet? Kjo mbetet për t’u parë në vazhdim. Megjithatë, gjatë takimit të djeshëm për analizën vjetore, Gazeta pyeti vetë Baçen, nëse do të ketë kontrolle ndaj bizneseve private në monumente. Siç pritej, përgjigja ishte pozitive. “Sigurisht që do të ketë kontrolle sepse na intereson mirëmbajtja e monumentit”, – tha Baçe pasi u shpreh se ky projekt është miratuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimit. Si për të përforcuar idenë e Baçes dhe për të dhënë ende më shumë siguri, fjalën e mori ministri Xhaferaj, i cili si në përgjigje të pyetjes sonë tha se “Ministria e Kultures i ka objektiv parësor monumentet dhe se garanton kujdes ndaj tyre me paketa për kushte specifike”.

E meqenëse po flitej për Lezhën, interesit të Gazetës mbi ndërtimet pa leje në zonën arkeologjike pranë Kalase dhe rreth Varrit të Skenderbeut, drejtuesi i IMK-së iu përgjigj kështu: “Ne kemi kontaktuar me Gjergj Bojaxhinë dhe po përpiqemi t’i heqim prej aty, por nuk është e lehtë sepse aty banojnë fëmijë të vegjël e familjarë”.

Analiza e projektet
Takimin e djeshëm e hapi ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, i cili në fjalën e tij kërkoi të punohet shumë në mënyrë që të arrihen objektivat. Pasi foli për reformën e trashëgimisë që do të vijë në jetë sivjet, ai tha se “reforma do të vazhdojë me miratimin e ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore, ku krahas përqasjes me direktivat e BE-së do të përvijohet edhe më qartë dhe saktë reforma e institucioneve të trashëgimisë kulturore”. Në fakt, Xhaferaj u tregua dje jo pak i ashpër ndaj atyre që nuk do ta kryejnë punën si duhet, kur tha se “nga ana jonë nuk do të tolerohet dhe do të qëndrohet ashpër nëse do të konstatohet një shërbim jo korrekt në parqet dhe muzetë tona. Ajo që ndodhi sezonin e kaluar në Butrint nuk duam të përsëritet dhe për këto po ju porosisim qartë që tani”. Sipas Xhaferajt, një dimension i rëndësishëm i zhvillimit të turizmit është trashëgimia kulturore.

“Kërkohet një angazhim i përgjegjshëm për të pasur një ecuri pozitive të projekteve të rehabilitimit të qendrave historike nëpërmjet bashkëpunimit me delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë me fonde të CARDS 2006 dhe IPA 2009. Më pas fjalën e mori Apollon Baçe, i cili tha se “në listën e UNESCO-s, numri i monumenteve të veçanta “Pasuri Botërore” është 731, por sitet e ruajtura në tërësinë e tyre, si Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë vetëm 15. Turizmi kulturor i sjell Shqipërisë respekt për historinë, kulturën dhe kualitetin artistik të Kombit dhe i siguron 26-28% të GDP-së (rreth 8 miliardë dollarë). Sipas tij, këtë vit do të ketë veprimtari konservuese ­ restauruese. “IMK ka hartuar 15 projekte për 50 milionë lekë nga MTKRS dhe 35 milionë lekë nga pushteti lokal. Këto shkojnë për Teatrin e Adrianopolit, kishën e Shën Mërisë në Labovë, kishën e 40 Shenjtorëve Sarandë, kalanë e Bashtovës, kishën e Serxhit dhe Bakut Himarë, kishën e Shën Mëhillit, kishën e Shën Spiridhonit Vuno, kishën e Shën Mërisë Zvërnec, shëtitoren e Apollonisë, kishën e Shën Mërisë Ristoz, kalanë e Durrësit, Termat Bradashesh, kalanë e Elbasanit, Bazilikën e Ballshit dhe Kalanë e Tepelenës”, – tha Baçe.

Ai shtoi se jashtë detyrave funksionale, IMK ka hartuar një projekt për rihapjen e muzeut të Apollonisë (110 mijë$/UNESCO), projekt për rivitalizimin e muzeut të Durrësit (fond i MTKRS 35 milionë lekë) dhe projektin e kthimit në gjendjen fillestare dhe rivlerësimit të sheshit “Nënë Tereza”. Sa i takon fondit prej 3.6 milion eurosh akorduar nga KE-ja, IMK ka menduar të shpenzojë për projekte mbi: Pazarin e Korçës, infrastrukturën e Dekumanos dhe Bazilikën paleokristiane në Elbasan. Ndërkaq do të punohet për infrastrukturën e rrugës “Kardinal Mikel Koliqi” në Shkodër. “1.2 milion euro të kursyera nga këto projekte iu kaluan Kalasë së Beratit. IMK hartoi projektet për 500 mijë eurot e pushtetit lokal për restaurimin e fasadave të siteve të mësipërme”, – tha dje Baçe. (Gazeta Shqiptare / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2011 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress