Posts Google+ Youtube

You Are Here: Home » Lifestyle » Si mjekohen guret ne veshka

guret ne veshka 300x227 Si mjekohen guret ne veshka

Si mjekohen guret ne veshka

Dyshoni për gurë në veshka apo keni dijeni se keni të tillë, atëherë në të dyja rastet do të ishte mirë një vizitë tek mjeku nefrolog, për të përcaktuar gravitetin e gjendjes.

Diagnostikimi sa më i shpejtë i kësaj sëmundje bënë të mundur trajtimin, ndërsa nuk shton rrezikun për përkeqësimin e shëndetit të veshkave.

Si mjekohen guret ne veshka

Në një intervistë doktoresha nefrologe Ariana Strakosha shpjegon mënyrën e diagnostikimit të gurëve në veshka, ekzaminimet e domosdoshme dhe trajtimet mjekësore.

Diagnostikimi

“Kur pacienti ka dhimbje të forta therëse dhe ka konstatuar një urinë me ngjyrë të kuqe, veprimi i parë është t’i drejtohet qendrave të urgjencës për të marrë ndihmën e parë. Nëse mjeku dyshon për një gurë në veshka atëherë lokalizimi, përmasat dhe përbërja e tij janë shumë të rëndësishme për të përcaktuar më tej strategjinë e mjekimit”, – kështu shprehet Ariana Strakosha, doktoreshë nefrologe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ekzaminimet laboratorike

Sipas doktoreshës e domosdoshme për diagnostikimin e gurëve në veshka janë edhe ekzaminimet laboratorike dhe  ato radiologjike. Kështu në fillim kryhet ekzaminimi mikroskopik i urinës i cili tregon praninë e shumë elementëve të rëndësishëm për diagnozën, po kështu edhe urokulturën, për të parë praninë e infeksionit apo jo. E domosdoshme është edhe kryerja e analizës së gjakut komplet, pasi prania apo jo leukocitoze, është shenjë kjo e infeksionit. Analiza të plota për të parë funksionin renal dhe nivelin e kalciumit në gjak. Mbledhja e urinës së 24 orëve për të vlerësuar sasinë dhe ekzaminuar praninë e Mg, Na, acidt urik, kalciumit, citrateve, oksalateve dhe fosfateve. Mundësisht ruajtja e gurit kur del për ta analizuar përbërjen në laborator.

Ekzaminimet radiologjike

Gurët e heshtur, të cilët nuk paraqiten me shenja apo simptoma të dukshme,  vizualizohen nëpërmjet një radiografie, ultrasonografie (EKO), pielografie intravenoze apo skaneri.

Grafia direkte

Është ekzaminim i shpejtë dhe rezultativ në rastin e gurëve me përmbajtje të rritur të kalciumit duke eksploruar gjithë traktin urinar.

Pielografia intravenoze

Është një metodë tjetër ekzaminuese e cila bazohet në injektimin e një lënde kontrasti që eliminohet me veshkat shoqëruar me bërjen e grafive të njëpasnjëshme. Pielografia intravenoze lejon zbulimin e lokalizimit të gurëve me saktësi të lartë.

Ultrasonografia (EKO renale)

Ekoja është një mënyrë e shpejtë dhe e padhembshme ekzaminimi nëpërmjet së cilës marrim imazhe të sistemit urinar, në rastin e gurëve në veshka arrijmë të dallojmë hydronefrozen (zgjerimin e rrugëve urinare) si pasojë e bllokimit të rrjedhjes se urinës nga guri. Është ekzaminim me vlerë të veçantë sidomos gjatë gravidancës kur grafia apo skaneri kanë kundër indikacion.

Skaneri pa kontrast

Është konsideruar metoda ekzaminuese me efikase për detektimin e gurëve të aparatit urinar. Ky ekzaminim jep të dhëna të sakta për formën dhe vendosjen e gurit. Ka vlerë të madhe kur është e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale.

Parandalimi i gurëve të veshkave

Parandalimi i gurëve përmbledh modifikime në dietë dhe trajtim medikamentoz me qëllim të pakësimit të ekskretimit urinar të substancave shkaktare të agregimit të kristaleve në urine. Pirja e mjaftueshme e lëngjeve në mënyrë të arrihet eliminimi i 1.5-2 litra urinë/ditë. Dietë hipoproteinemike, hyposodike. Studiuesit kanë konkluduar se një grup ushqimesh mund të favorizojë formimin e gurëve tek çdo individ, por tek disa individë dieta e pasur me proteina mund të shoqërohet me krijimin e gurëve të veshkave. Pacientët me infeksione urinare të përsëritura me çrregullime metabolike të trashëguara, me veshkën polikistike janë më të predispozuar për krijimin e gurëve urinarë. Tek disa nga këta pacientë  ushqimet e mara mund të influencojnë në krijimin e gurëve. Në këto kushte iu rekomandohet kufizimi i ushqimeve me përmbajtje të rritur të oksalateve si çokollatat, lajthitë, spinaqi, soja. Dieta shoqërohet dhe me suplemente kalciumi i cili ndihmon eliminimin e oksalateve. Lëngu i portokallit, boronica e kuqe, rrushi i zi, mund të përdoren për të ulur faktorët e riskut për disa tipe gurësh respektivisht lëngu i portokallit për të eliminuar krijimin e gurëve me përmbajtje oksalati të kalciumit, rrushi i zi kundër krijimit të gurëve nga acidi urik, boronica e kuqe nga gurët e krijuar në terren të infeksioneve urinarë. Rekomandohet përdorim i kufizuar i lëngjeve me përmbajtje kafeine si p.sh kafja, evitimi i pirjes së koka-kolës, i marrjes së dozave të larta të vitaminës C.

Trajtimi mjekësor

Trajtimi mjekësor ndahet në trajtimin konservativ dhe intervenist. Ku i pari nënkupton përdorimin e një sërë medikamentesh të cilët ndërhyjnë në korrigjimin e shumë faktorëve shkaktarë për krijimin e gurëve në veshka. Kundër gurëve nga oksalatet e kalciumit përveç dietës së sipërpërmendur vlen të përmenden dhe disa klasa medikamentesh efikase si diuretikët tiazidikë, të cilët përveç efektit diuretik influencojnë në reduktimin e ekskretimit urinar të kalciumit. Kujdes! Përdorimi për një kohë të gjatë e humb efikasitetin. Duhet pasur kujdes se mund të shoqërohen dhe me hypokalemi. Allopurinoli (Zyloprim) është një tjetër medikament që ka dhënë rezultat në evitimin e krijimit të disa gurëve kalcike. Ai interferon në prodhimin hepatik të acidit urik. Hyperurikozuria është faktor risku për gurët kalcike. Allopurinoli redukton formimin e gurëve tek disa pacientë.

Ky preparat përdoret dhe tek të sëmurët me gout apo me hyperuricemi. Megjithatë kjo situatë nuk paraqet rrezik për krijimin e gurëve të acidit urik në terrenin e një urine me Ph alkalin. Gurët me përmbajtje të acidit urik krijohen kur krahas hyperuricemisë kemi prezencën e një urine me Ph acid. Trajtimi bëhet duke alkalinizuar urinën me citrate si sodium bikarbonat, sodium citrat etj. Përdorimi i llojeve të ndryshme të citrateve parandalon në situata të caktuara krijimin e gurëve të oksalateve të kalciumit. Akoma ka debate mbi efikasitetin e terapive të përdorura për parandalimin e formimit të gurëve sidomos tek pacientët me recidive. M.gj.th. përfundimin e deri tanishëm është se kjo kategori pacientësh do ndjekje të kujdesshme duke përfshirë ushqimin, hidrimin dhe përdorimin e medikamenteve përkatëse.

Në shumë raste kur gurët janë të vegjël dhe asimptomatikë pritet deri në katër javë për të parë rezultatin e mjekimeve të përmendura më sipër. Ndërhyrja urgjente mund të kërkohet në situata të caktuara si në personat me veshkë unike, në rastet e një obstruksioni bilateral, dhimbjeve të zgjatura të padurueshme apo në situatat kur bllokimi rrezikon dhe gjendjen septike. Në rastet kur guri nuk ka zbritur në ureter i lejon kirurgët të veprojnë me metoda jo invazive, konkretisht me Litotripsi e cila fragmentizon gurin duke krijuar mundësinë e eliminimit të tij në rrugë natyrale. Në situata të caktuara metodat invazive janë të domosdoshme. Mund të përmendim fragmentimin e gurit nëpërmjet ureteroskopise, nephrolitotomine përkutane.

Një nga metodat bashkëkohore është dhe stenti ureteral (një tub i hollë midis vezikës urinare dhe veshkës) i cili realizon çlirimin e menjëhershëm të veshkës së bllokuar. Kryesisht janë më të përdorshëm në rastet e kalkulozave ureterale. Qëllimi i gjithë trajtimeve të përmendura deri më sipër është ndërhyrja në kohën e duhur për të ruajtur sa më gjatë funksionin normal të veshkës. (Lezha.eu)

1 Comment

  1. rudina says:

    pershendetje un jam nje pacientee nga elbasani qe per gati 15 vjet kam vuajtur nga guret ne veshka. ne fillim kisha vetem njeren veshke me nje gure dhe pasi e bombardova ato nuk dolen madje gjate kesaj kohe mu shtuan akoma me shume dhe guret i kam ne tul te veshkes jo ne kanalet e saj. por tani 2 muajt e fundit me ka prodhuar gure edhe veshka tjeter…edhe pse kam ndjekur gjithmon kurat me antibiotik dhe lengje te ndryshme bimore.ju lutem un kerkoj ndihmen tuaj qofte me keshillim ose te me jepni adresen tuaj per nje takim mjeksor.faleminderit

Leave a Reply


Copyright © 2006 - 2014 Lezha Online All rights reserved. · Privacy Policy
Site Map · Contact Us · Links · Marketing · Terms Of Use · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress