Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Art & Kulture » Monumenti i 100-vjetorit te pavaresise, vendoset ne parkun Rinia

Monumenti i 100-vjetorit te pavaresise, vendoset ne parkun Rinia

Monumenti i 100-vjetorit te pavaresise, vendoset ne parkun Rinia

Komiteti për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, miratoi vendin përfundimtar ku do të vendoset monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë tek Parku Rinia me pamje nga bulevardi.

Boceti fitues i arkitektëve Visar Obrija dhe Kai Kiklas do të vendoset te parku “Rinia”, Monumentin e 100 vjetorit te Pavaresise me pamje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes.

Monumenti i 100-vjetorit te pavaresise, vendoset ne parkun Rinia

Në arsyetimin e komisionit, ky vend plotëson të gjitha parametrat për vendosjen e këtij monumenti dhe merr në konsideratë kërkesën e artistëve për ta vendosur këtë monument në një mjedis të gjelbër, si pjesë shumë e rëndësishme e monumentit. Parku “Rinia” ishte diskutuar që në fillim si një pozicion i mundshëm, pavarësisht se shumë artistë e kundërshtuan monumentin e përzgjedhur dhe kanë paralajmëruar se i vendosur në ambiente publike, do të ndërrojë funksionin.

Po në këtë mbledhje, komiteti vendosi që shtatorja për Ahmet Zogun të vendoset te sheshpushimi në fund të bulevardit “Zogu i Parë”, ajo për Hasan Prishtinën te sheshi “Paris”, kurse shtatorja për Ismail Qemalin do vendoset në lulishten në kryqëzimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me Rrugën “Ismail Qemali”. Ndonëse vendosi për vendet, komiteti kërkoi rishikimin e monumenteve të Ismail Qemalit dhe Ahmet Zogut, pasi vazhdimisht është folur në shtyp për cilësinë e dobët artistike. “Në këtë 100-vjetor duhet të çlirohen nga balta e pamerituar të gjitha figurat e shtetit, si një akt qytetar, por edhe si një detyrim madhor atdhetar ndaj tyre. Ata ishin burra dhe gra që përballeshin me kohën dhe pa kontributin e tyre ne nuk do të ishim këtu sot. Është i domosdoshëm një vështrim më gjakftohtë, më i ndershëm, më i qytetëruar i historisë sonë”, theksoi Berisha në këtë mbledhje. Komiteti diskutoi edhe për monumentit e Kongresit të Lushnjës dhe caktoi vendosjen e tij në sheshin në lulishten qendrore të qytetit. Komiteti la si detyrë që ministri i Turizmit dhe Kulturës t’i përcjellë kryetarit të Bashkisë së Lushnjës dhe kryetarit të Këshillit Bashkiak propozimin e Komitetit dhe të diskutojnë për këtë vendvendosje. “Monumenti i Kongresit të Lushnjës është një monument i shkëlqyer dhe do të doja t’ju sugjeroja që sheshi qendror i qytetit ta kishte këtë monument.

Në qendër është një monument, për të cilin unë nuk kam qortime, por ka pasur një djallëzi të madhe me vendosjen e tij atje. Monumenti i kallinjve të grurit, për të cilin nuk mund të ketë objeksion, pasi edhe gruri, edhe punonjësit e tokës, edhe fermerët meritojnë nderimin më të madh, por e vërteta është se ai monument u vendos aty vetëm për të errësuar Kongresin e Lushnjës. Një ngjarje kjo që de facto është shpallja e dytë apo materializimi, jetësimi i pavarësisë së Shqipërisë, i kësaj Shqipërie që kemi sot. Deri atëherë flamuri ishte shpallur, por përpjekjet ishin të jashtëzakonshme për ta shuar Shqipërinë dhe faktikisht, ajo nuk ekzistonte në territorin e saj”, ka thënë Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha propozoi që filmi “Besa”, një dokumentar mbi virtytet morale, guximin dhe sakrificën e familjeve shqiptare për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe dokumentari i aktores me origjinë shqiptare Eliza Dushku mbi promovimin e Shqipërisë turistike të përfshihen në kalendarin e aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të mundësohet shfaqja e tyre edhe për publikun europian e më gjerë.

Duke e vlerësuar edhe një herë si një akt guximi, por edhe nderimi për vendin, ngjitjen në majën Everest të grupit të alpinistëve shqiptarë, propozoi që edhe ky event të konsideroj në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin dhe të mundësohej mbulimi nga qeveria, i shpenzimeve të bëra për realizimin e këtij misioni. Gjatë kësaj mbledhje, Kryeministri propozoi gjithashtu që Teatri i Kukullave t’i kalojë bashkisë si një miniparlament për këshillin bashkiak, kurse fëmijëve t’u ndërtohet një tjetër teatër kukullash. “Të mendojmë për një teatër kukullash në qendër, do të ishte mirë që në atë sallë, që është salla e madhe e Parlamentit të Kuvendit ta rindërtonim dhe t’ia kthenim Bashkisë së Tiranës për Parlamentin e Tiranës.

Sepse Bashkia e Tiranës, sallën që ka për parlamentin e vet e ka për kryetarin dhe këshilltarët dhe qytetari nuk mund të ulet aty. Në çdo qytet parlamentet e kryeqytetit kanë lozha dhe marrin pjesë qytetarët që ndjekin mbledhjen e këshillit. Por kjo do bëhet pasi të gjendet ku mund të ndërtojmë një teatër të ri kukullash. Ndaj bashkia të kërkojë vendin, ta blejë vendin e përshtatshëm”. Berisha ka theksuar se do të ketë një kalendar të gjerë aktivitetesh, por në fakt deri më tani nuk është bërë publike asnjë listë veprimtarish të mirëpërcaktuara. (Gazeta Shqip / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress