Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Lifestyle » Nga hajdute xhepash ne banda kriminale

Nga hajdute xhepash ne banda kriminale

Nga hajdute xhepash ne banda kriminale

Rreth një vit më parë, pranë pallateve “Agimi” në Tiranë në trotuar, një grua gjeti vdekjen pasi një person me motor tentojë të merrte çantën, në ecje e sipër e tërhoqi zvarrë.

Ky është rasti më fatal që ka përfunduar me vdekja gjatë një tentative vjedhje. Por kjo nuk do të thotë që vetëm kur numërohen raste të tilla ka vjedhje.

Nga hajdute xhepash ne banda kriminale

Shumë prej jush kanë parë me sy një pamje të tillë; ndonjë çunak të tërheqë çantën e një femre, të fusë duart në xhepat e ndonjë të moshuari dhe të grabisë në mes të tregut… Dhe pas atij gjesti që shpesh shoqërohet me thirrje për ndihmë dhe mallkime, shumëkush mund të jetë ndjerë keq, pasi pre e këtyre vjedhjeve mund të jetë çdonjëri nga të afërmit tanë.

Ky është ai krimi i vogël, që kryhet nga të vegjlit, por që alarmin e sjell në prag: Grupe të miturish dhe adoleshentësh po bashkohen në banda kriminale dhe organizohen në grabitjet e tyre me dhe pa dhunë. Shifrat flasin për shtimin e këtyre grupeve deri në 30 për qind më shumë se dy vite më parë. Ndërsa duket ashiqare se të miturit dhe adoleshentët po krijojnë “kupolën” e tyre, aq sa janë kthyer në problem real për t’u zbuluar nga strukturat e policisë dhe prokurorisë. Shumë prej të miturve e nisin me grabitje personale dhe pas dy a më shumë vitesh bëhen pjesë e grupeve të organizuara. Tashmë kjo formë më fine e tyre po e vë policinë dhe prokurorinë para fakteve që më parë nuk i kishin hasur në punën e tyre.

Sipas burimeve nga policia e Tiranës mësohet se; pjesa më e madhe e atyre që vjedhin janë përdorues të lëndësh narkotike dhe zonat ku lëvorojnë më shumë janë rrugicat e errta, ku ka mungesë ndriçimi. Kryesisht veprojnë në lagjet rreth unazës. Sipas të njëjtave burime, muajët e parë të këtij viti në kuadër të masave parandaluse ka pasur një ulje të vjedhjeve.

Shifra alarmante vijnë nga raporti vjetor për vitin e kaluar në Prokurorin e Tiranës, bëhet fjalë për 8948 kallëzime të mbërritura nga policia, por edhe dorazi në organin e akuzës.

Janë vjedhjet e thjeshta, vjedhje me thyerje dhe grabitjet me dhunë. Pikërisht kjo e fundit ka marrë tjetër rrjedhë në mënyrën si ndodhin dhe formën e organizmit. Të miturit të moshave 12-14 vjeç bien shpejt pre e grupeve më të rritura, kryesisht adoleshentë.

Ata nuk janë vetëm

Gjithmonë sipër këtyre të miturve është dikush më i rritur dhe që mundohet të mos ketë kontakte të drejtpërdrejta me adoleshentët, pavarësisht se i ka të “punësuarit” e vet. Adoleshentë dhe të mitur pikasen më parë në lagje të ndryshme dhe përderisa njihen si kontingjent krimi, nisin kontaktet për t’i përfshirë në grupet e tyre, duke i përdorur jo vetëm si shpërndarës të lëndëve narkotike, por shpesh edhe transportues të saj nga një zonë në tjetrën në sasira relativisht të mëdha të drogës.

Kjo mënyrë e të organizuarit ka bërë që si policia ashtu edhe prokuroria t’i marrë seriozisht në konsideratë, pasi nëse nuk arrihet që të shkatërrohen që në embrion, krimet e tyre shtohen në mënyrë më të sofistikuar. Kjo është ajo pjesë që nuk ndihet drejtpërdrejt nga qytetarët, por krimet e tjera të të miturve dhe adoleshentëve prekin shumëkënd që raporton se në iks rrugë u grabit nën kërcënimin e armëve, apo banesa e tyre është shqyer duke u marrë sendet me vlerë.

Ku vidhet?

Harta e krimit ka ndryshuar. Zonat më problematike çuditërisht nuk janë më ato tradicionale si lagjia e Alliasit, Kombinati, Shkolla e Bashkuar dhe Porcelani. Tashmë ajo është përqendruar më në periferi. Kamza dhe Bathorja janë zonat e populluara me një miks të ardhurish, kryesisht nga Veriu i vendit. Bashkohen në grup 4-5 persona dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjejnë mënyra të ndryshme për të ndaluar në rrugë personat që do të grabisin. Pas disa fjalëve nxjerrin armët e ftohta dhe nën kërcënimin e tyre kryejnë grabitjet dhe largohen me shpejtësi. Të paktën tre grupe të miturish kanë vepruar në këto zona, ku vetëm njëra prej tyre është mundur që të shkatërrohet pas një pune gati 3-mujore të policisë së Tiranës.

Sipas statistikave të policisë së Shtetit për vitin e kaluar janë evidentuar 10143 vepra penale të lehta. Në këto përfshihen edhe grabitjet e qytetarëve, banesave dhe dyqaneve të vogla. Ndonëse janë zbuluar 74 për qind të këtyre veprave, përsëri shumë prej tyre kanë mbetur pa autor.

“Hajdut të vegjël”

E nisin “karrierën” e tyre si hajdute xhepash të vegjël, por me kalimin e kohës përveçse janë kontigjent i mundshëm për të kryer vepra më të rënda penale, organizohen në grupe.

Ende nuk janë ngritur sektorë të mirëfilltë për të analizuar fenomenin e përfshirjes së të miturve dhe adoleshentëve në vepra kriminale, por gjithsesi kur ndalohen me ta merren persona të specializuar si në marrjen në pyetje, ashtu edhe në grumbullimin e provave të tjera. Për nga mënyra si funksionon policia, pas çdo vepre penale personi i parë që vihet në dijeni është inspektori që mbulon zonën.

Ai të jep një listë me emrat që i ka të skeduar dhe më pas kryhet shoqërimi i tyre në komisariate. Por edhe pse të rinj në moshë, nuk thyhen kollaj, pasi e kalojnë me sukses procedurën e marrjes në pyetje duke ngritur alibi të “qëndrueshme” për të treguar se nuk janë ata autorë të një vepre penale.

Problemet sociale

Dhe jo rastësisht, pjesa më e madhe e tyre vijnë nga familje me probleme nga familje të divorcuara, familje me shumë fëmijë, ose me prindër të cilët shpesh ushtrojnë dhunë mbi ta. Duke u larguar nga banesat ata bien shpejt në “rrjetën” e më të rriturve të cilët nuk ngurrojnë t’i përfshijnë në bandat kriminale e tyre. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për xhepistë të shkathët që të “shuajnë” portofolin apo tufën me para në pak sekonda, por për grupe që nën kërcënimin e armëve të detyrojnë të japësh gjithçka. Mirëpo kjo është vetëm njëra anë, sepse ka edhe më rëndë. Të mitur dhe adoleshentë pikasen nga rrjete të trafikut të lëndëve narkotike dhe më pas përfshihen në aktivitetin e tyre.

Në fillim i joshin me shuma të vogla parash, duke u kërkuar që të kryejnë disa porosi të vogla, më pas kalojnë drejt e në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Shumë nga adoleshentët tërhiqen nga trafikantët e rritur për faktin që edhe nëse ndalohen kanë lehtësira në gjykim. Përfitojnë një të tretën e dënimit dhe nëse pranojnë akuzën, mund të shpëtojnë vetëm me pak muaj burgim. Kur joshja nuk bën më punë, trafikantët e lëndëve narkotike i kërcënojnë me jetë, madje edhe me familjen, se nëse tregojnë mund të përfundojnë keq. Gjithashtu një nga metodat e ndjekura është që t’i shtyjnë drejt përdorimit të lëndëve narkotike dhe për pasojë policia shpesh detyrohet t’i lërë të lirë edhe nëse i ndalojnë.

Makina të vjedhura? Lapraka kryeson listën

Vjedhja e makinave është më problematike në zonën e Laprakës, Rrugine burgut 313, lagjen e Alliasit, pohojnë burime nga policia e Tiranës. Këto janë zonat më të evidentuara megjithëse nuk ka një hartë më konkrete të zonave ku vidhen automjetet. Autorët tregohen të kujdesshëm për të mos vjedhur disa herë në të njëjtat zona për të evituar mundësinë e të rënit në grackat e policisë.

Autobusët

Gjithmonë e më shumë linjtë e autobusëve urban kanë qenë nën shënjestrën e xhepistëve. Për shkak të fluksit të madh të njerëzve që e frekuentojnë atë terreni është me i thjesht për vjedhësit. Të lakmuara janë çantate grave dhe portofolat e burrave. Linjat më të të “dashura” për ta janë; Insituti, Kinostudio, Unaza. Orari i përshtatshëm është mëngjesi dhe ai i pasdrekes. (Shekulli / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress