Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » ShowBiz » Oni Pustina fiton “Dancing with the Stars”

Oni Pustina fiton "Dancing with the Stars"Gara ku artistët shqiptarë vunë në provë shpirtin e konkurrencës në balet dhe nxorri më shumë në pah karakterin e tyre ambicioz, ka mbaruar.

Por shpallja si fitues të modelit Oni Pustina, ka qenë një surprizë jo e këndshme për fansat e “Dancing with the stars”, të cilët ishin të bindur se më e mira e 12 javëve ishte këngëtarja Genta Ismajli, dhe këtë “reality show” prisnin ta fitonte ajo. Në fakt gjatë gjithë garës së transmetuar në ekranin e “Vizion Plus”, u duk se nga 12 personazhet VIP, ajo që nuk e kishte problem fare kërcimin ishte pikërisht Genta, e cila dhe natën finale bëri më shumë publik për vete me perfomancën e saj ndërsa këndoi në kolazhin e këngëve të Majkëll Xhekson.

Oni Pustina fiton “Dancing with the Stars”

Edhe pse u hodhën ide se ajo mund të kishte marrë mësime kërcimi më parë dhe për rrjedhojë nuk e kishte filluar garën në kushte të barabarta me personazhet e tjerë konkurrentë, publikut kjo pjesë nuk i intereson përderisa pëlqeu perfomancat e saj. Modeli Oni e fitoi këtë garë me partnere Lindën, pas largimit nga gara të partneres së tij të parë Greta, e cila nuk dha asnjë shpjegim në media për arsyet e largimit, edhe pse sipas thashethemeve arsyeja ishte për shkak xhelozie.

Pas kësaj u duk sikur Oni nuk do të mund të ambientohej shpejt me partneren e re, gjë që ai e kapërceu edhe pse konkurrenca po bëhej më e fortë. Kështu Oni e gjeti veten në finale së bashku Landin dhe Gentën. Landi u pozicionua i treti në këtë garë, ndërsa Genta e dyta pas Onit. Të dy kishin marrë pjesë në këtë garë, pas dy disfatave në jetët e tyre private, Genta u nda nga Miloti dhe Oni nga Anbeta, dy lidhje të gjata dhe të komentuara në media. Në garë për 12 javë morën pjesë; Viktor Zhusti, Eli Fara, Julian Deda, Landi Hysi, Nik Xhelilaj, Vasian Lami, Soni Malaj, Klodiana Shala, Jonida Shehu dhe Ligia Zacarias.

Fiton pak ditë pas padisë së Anbetës
Pustina, i cili festoi 40 vjetorin në prill, nuk ka pranuar të flasë deri tani për detajet e ndarjes nga balerina e njohur me të cilën bashkëjetonte prej katër vitesh. Por pak ditë para mbylljes së spektaklit, Anbeta ka depozituar në gjykatë një tjetër padi ndaj tij. Pesë muaj pasi e paditi në gjykatë e motra e Anbetës, për një konflikt për çështje parash në shumën 45 mijë euro, balerina e famshme i është drejtuar sërish gjykatës me një padi kundër ish-të fejuarit të saj. Objekt i padisë janë paratë por jo në formën kesh (cash), por në aksionet e pronësisë së një shoqërie, të cilat balerina e njohur pretendon se i janë vjedhur.

Sipas padisë së regjistruar në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë, Anbeta Toromani, e njohur për publikun për famën e saj në programin “Amichi” në Itali, pretendon se nëpërmjet veprimeve mashtruese, i padituri Oni Pustina ka arritur të kalojë në mënyrë të paligjshme në emër të tij aksionet që i takonin Toromanit. Edhe pse për këtë ishte nënshkruar një marrëveshje më parë, sipas paditëses Ambeta Toromani, kalimi i aksioneve është bërë në mënyrë të jashtëligjshme në një kohë që ajo ishte jashtë Shqipërisë. Për këtë balerina Toromani i kërkon Gjykatës së Tiranës pavlefshmërinë absolute të aktit që ka “ligjëruar” kalimin e aksioneve nga zotërimi i saj, në zotërimin e Pustinës.

PADIA
Në kërkesë-padi sqarohet se paditësja Anbeta Toromani ishte zotëruese e 2 kuotave të shoqërisë “EU 2008” sh.p.k, me vlera 5 753 906 lekë secila, nga 19 kuota në total që kishte shoqëria. Në një asamble të shoqërisë është miratuar transferimi i këtyre kuotave nëpërmjet shitjes nga paditësja Toromani, tek i padituri Oni Pustina. Për këtë në vijim mes palëve është lidhur një “marrëveshje shit-blerje kuotash”, e cila mundësonte kalimin e pronësinë. Për paditësen, marrëveshja është nënshkruar nga motra e saj, Bujana Toromani, e cila kishte një prokurë të posaçme me anë të së cilës mund të përfaqësonte balerinën në këto veprime. Nga padia mësohet se kjo prokurë, e cila mbante si datë përpilimi 15 tetor 2009, i ishte paraqitur Bujana Toromanit nga i padituri Oni Pustina. Sipas Anbeta Toromanit, në këtë datë ajo ndodhej jashtë Shqipërisë, pra nuk e ka kryer veprimin që është bërë në emër të saj në Tiranë.

“Nëpërmjet veprimeve mashtruese, i padituri ka arritur të marrë specimenin e nënshkrimit paditëses dhe më pas këtë specimen të firmës e ka përdorur për të hartuar tekstin e prokurës së posaçme, të cilës i është dhënë forma ligjore nga noteri, siç pretendohet në padi, në mënyrë të paligjshme. Në prokurë pretendohet se Ambeta Toromani është paraqitur personalisht para noterit në datën 15 tetor 2009, kur nga vulat në pasaportë vërtetohet se në këtë datë ajo ka qenë në Itali. Sipas aktit noterial, noteri pasi ka ‘konstatuar’ këtë fakt, ka përpiluar prokurën, me anë të së cilës Pustina realizoi transferimin e 2 kuotave në zotërim të tij”, thuhej në padi. Andeta kërkon dhe rregullimin e pasojave që i kanë sjellë aktet e mësipërme. Oni Pustina prej 5 muajsh ndodhet në Tiranë, ndërkohë që ende nuk dihet se nëse do të vazhdojë të jetojë në Shqipëri apo do të rikthehet në Itali. (Panorama / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2010 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress