Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Lifestyle » Permbytja e trete, ç’indiference e turpshme!

Përmbytja e tretë, ç’indiferencë e turpshme!

Përmbytja e tretë, ç’indiferencë e turpshme!

Eshtë hera e tretë që banorët e zonës së Shkodrës , por dhe disa fshatra të tjerë në Lezhë dhe në Kukës përmbyten.

Hera e tretë e tyre brenda katër muajsh, për koincidencë ka përkuar me fillimin e shpërndarjes së dëmshpërblimeve të përmbytjes së parë. Ato ishin aq të vogla sa dikush, me humorin e krizës që i karakterizon shkodranët, i përdori paratë për të qerasur me karamele bashkëfshatarët e tij të vegjël.

Por kjo hera e tretë duket me të vërtetë diçka e ndryshme nga qasja me të cilën e kanë përballur qoftë autoritetet shtetërore, qoftë opozita. Angazhimi shtetëror duket më i kufizuar, të paktën në planin propagandistik. Nuk ka vizita të nivelit të lartë – Kryeministër apo President.

Permbytja e trete, ç’indiference e turpshme!

Po ashtu dhe nga opozita nuk ka vizita në nivel të lartë. Tema në media gjithashtu trajtohet me njëlloj bezdie, hiq Portokallinë, dhe nuk është më lajm i parë. Vërtet nuk jemi në situatën e 3 apo 4 janarit 2010, kur Kryeministri deklaronte se jemi në buzë katastrofe, por mbi 1000 hektarët e përmbytur, ata dhjetëra njerëz që janë evakuar apo numri i shtëpive të përmbytura për herë të tretë meritojnë vëmendje. Duket patetike të formulosh disa arsye pse kjo përmbytje meriton vëmendje, por më mirë të jesh patetik sesa të jesh indiferent.

Përmbytja e tretë në 4 muaj pra meriton vëmendje sepse është përmbytja e tretë në llojin e vet. Siç pranohet sinqerisht nga ato autoritete që janë marrë me të, sepse Kryeministri madje nuk ka shpenzuar në publik asnjë fjalë, përmbytja e tretë, si e dyta dhe e para kanë shkaktar të ashtuquajturën hapje të detyruar të portave të hidrocentraleve mbi lumin Drin. Pra shkaktari direkt i përmbytjes së tretë, është subjektiv, njerëzor. A ishte kjo hapje e detyruar vërtet, kjo është çështja për të cilën klasa jonë politike duhet të vazhdonte të na jepte shpjegime. Gjë që nuk po e bën, dhe e gjitha kjo është tronditëse.

Përmbytja e tretë në 4 muaj pra, është pjesë e një sërë përmbytjesh të detyruara, të paprecedenta në historinë e hidrocentraleve mbi Drin, dhe kjo është një arsye tjetër pse qoftë Qeveria, qoftë opozita duhet të merren seriozisht me të, gjë nuk që po e bëjnë akoma. Nuk kanë ndodhur më parë. As dhe mediat nuk po merren seriozisht me të tretën, pasi që axhenda e tyre përcaktohet thuajse në të gjithë kuptimet nga politika. Meqenëse politika nuk po merret me përmbytjen, edhe mediat nuk po merren aq sa duhen me përmbytjen.

Për shkak të këtyre veçorive të mësipërme, këto përmbytje duhet të ishin kryetema e politikës sonë. Përkundrazi, ky injorim i përmbytjes na çon në përfundimin se kjo klasë politike, Qeveria dhe opozita po e konsiderojnë atë si diçka normale. Pra përmbytja tri herë rresht e një zone, e një qarku, po konsiderohet diçka brenda normave. Sa edukative kjo për ne njerëzit meskinë, që tronditemi nëse na pikon sadopak shtëpia, apo shtohet lagështia e mureve ndërsa fshatarët e gjorë nuk qajnë hallin e shtëpive me lagështirë, por shkatërrimin e arave të mbjella!

Po nëse dy krahët e politikës e konsiderojnë normale përmbytjen tri herë të qarkut të Shkodrës, a duhet ta pranojmë ne të tjerët, ne të zakonshmit? Kjo përmbytje do të ishte normale, nëse do të na argumentohej se në të trija rastet përqendrimi i reshjeve në atë zonë dhe në ditët e përmbytjes apo para saj, do të ishte më i larti në të gjitha kohërat. Pra shkaku i parë, ose shkaku i shkaqeve do të ishin reshjet, ngrohja globale, etj.

Do të duhej të na argumentohej gjithashtu se liqenet ishin administruar në mënyrën më perfekte të mundshme me prodhim energjie maksimal, me derdhje të vogla të shtrira në kohë dhe në këto kushte, hapja e portave do të duhej të ishte e vetmja zgjidhje. Por nëse kjo gjë u bë në mënyrë shurdhuese herën e parë, kjo nuk ndodhi herën e dytë dhe aq më tepër në përmbytjen e tretë. Është pikërisht ky element që të trondit. Pse askush nuk mundohet të na mbushë mendjen se hapja e portave ishte e pashmangshme? Pse nuk po dëgjojmë se reshjet ishin unikale dhe s’kishte asnjë zgjidhje tjetër? Ndërkohë që të vetmet ndryshime që shohim ne jo profesionistët, në raport me vitet e tjera janë privatizimi i OSSH-së, pra prishja e zinxhirit shtetëror të pronësisë në ndërmarrjet e prodhim- transmetimit të energjisë dhe pasja në krye të KESH-it e një drejtori të ri. Dhe një pyetje tjetër. Pse askush s’po na garanton se Shkodra që po përmbytet tri herë brenda katër muajsh, nuk do të përmbytet më gjatë këtij viti?

Nëse Qeveria nuk e vret mendjen të na bindë për pashmangshmërinë e hapjes së portave të hidrocentraleve, duket më e çuditshme pse opozita hesht dhe e trajton me indiferencë. Opozita nuk e sheh të arsyeshme të kërkojë një seancë parlamentare ad hoc për përmbytjet dhe ta trajtojë këtë çështje dhe me ndihmën e ekspertëve. Opozita nuk po thërret në protestën e vet viktimat e përmbytjes, ata që morën dëmshpërblimet e mjera, apo ata që nuk morën fare për shkak të gabimeve burokratike, siç njoftojnë mediat për dikë që pa t’i shkatërrohej shtëpia në përmbytjen e parë dhe s’fituan asgjë. Pse kjo mungesë largpamësie e opozitës?

Dua të bëj një provokim me shkaqet e kësaj indiference. Dikush që ka shoqëruar kryetarin e PS-së, Edi Rama në vizitën e parë në zonat e përmbytura në janar 2010 tregon dy episode prej te vetmes vizite. I pari kur dikush me një thes ushqim për kafshët në qafë, i zhytur në ujë deri në brez, sa pa Edi Ramën, i ushqyer me propagandën antiopozitë, i tha atij: “çfarë do këtu ti? Pse nuk ikën në Parlament?” Ndërsa episodi i dytë tregon për një fshatar që i pyetur nga Edi Rama për dëmet që i shkaktoi përmbytja tha se “vetëm robtë dhe qeni i shtëpisë kishin shpëtuar.

Por se do të vazhdonte megjithatë të votonte Sali Berishën”. E di që duket cinike, por ama pyes: po sikur arsyeja e indiferencës së gjithë politikës në trajtimin e përmbytjes, qoftë prej Qeverisë, qoftë prej opozitës gjendet te stabiliteti elektoral i zonës së Shkodrës, siç e ilustrojnë dy episodet? Qeveria mbase e ka të mbledhur mendjen se të përmbyturit do votojnë atë. Edhe opozita duket se e ka mbledhur mendjen se asgjë nuk ja ndërron mendjen banorëve të zonave të përmbytura për të votuar ndryshe në zgjedhjet e ardhshme. Nëse është e vërtetë kjo hipotezë provokuese, atëherë indiferenca s’do të ishte vetëm e turpshme, por dhe kriminale. (Mentor Nazarko / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2010 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress