Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Aktualitet » Politikanet nuk paguajne taksat e automjeteve

Politikanet nuk paguajne taksat e automjeteve

Politikanet nuk paguajne taksat e automjeteve

Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor thotë se lista e paraqitur në faqen zyrtare të saj me emrat e personave që nuk kanë shlyer detyrimet për automjetet ështe e pasaktë, pasi nuk përmban informacion të rifreskuar.

Sipas këtij institucioni, lista i përket prillit të vitit të kaluar dhe në të figurojnë si debitorë edhe persona që i kanë shlyer detyrimet për automjetet apo ata të cilët i kanë shitur ato tek të tjerë persona.

Politikanet nuk paguajne taksat e automjeteve

Sipas drejtorisë, lista e re e debitorëve do të publikohet gjatë këtij muaji. Një ditë më parë rrjeti Balkan Insight publikoi një skandal ku denonconte zyrtarët më të lartë të shtetit, se nuk i kanë paguar taksat për automjetet. Në listë figuronte Presidenti i Republikës, kryetarja e Kuvendit, katër ministra mes të cilëve ai i Financave Ritvan Bode dhe Transportit Sokol Olldashi, si dhe shumë anëtarë të Parlamentit nga të dy krahët e politikës, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet për autmojetet e tyre personale. Madje disa prej tyre kanë detyrime disavjecare.

Pas publikimit të lajmit zyra e Presidentit, reagoi duke deklaruar se kreu i shtetit i ka shlyer rregullisht detyrimet e tij deri në vitin 2011, por më pas automjeti i është shitur dikujt tjetër dhe kjo nuk është pasqyruar në listat e Drejtorisë së Transportit.

Ndërsa për kryetaren e Kuvendit, zonjën Topalli, burime nga Drejtoria e Shërbimit Rrugor thonë se ajo i ka paguar taksat por figuron tek debitorët pasi lista nuk është rifreskuar. Vitin e kaluar Parlamenti miratoi një ligj që fali detyrimet e pashlyera për taksat e automjeteve, por nga falja u përjashtuan të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit. Por edhe pse kanë detyrimin për t’i paguar taksat, shumë prej tyre nuk i kanë shlyer ato prej vitesh, duke përcjellë tek publiku mesazhe negative në një ekonomi ku informaliteti dhe evazioni është i lartë.

Olldashi kërkon ndjesë publike

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi ka kërkuar ndjesë publikisht për mospagimin e detyrimeve për automjetin e tij personal ne zyren e taksave.

Zoti Olldashi e ka cilësuar atë një shkujdesje njerëzore të paqëllimshme, por që gjithsesi sipas tij nuk duhet të kishte ndodhur. Përmes një njoftimi zyrtar zoti Olldashi sqaron se menjëherë pas publikimit të lajmit, këtë të shtunë ai ka paguar detyrimet përkatëse, të cilat ndryshe nga sa është publikuar i përkasin vetëm një vit, atij 2012.

Një ditë më parë mediat publikuan një listë me emrat e zyrtarëve të lartë që nuk kanë paguar taksat për automjetet personale. Mes tyre figuronte dhe ministri i Transporteve Olldashi, i cili nuk kishte paguar detyrimet për automjetin e tij personal që përdoret nga bashkëshortja.

Autoriteti që mbledh taksat e automjeteve është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit dhe Transportit Rrugor, një institucion në varësi të Ministrisë së Transporteve që drejtohet nga zoti Olldashi. / Top Channel / © Lezha.eu /

Leave a Reply

© 2013 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress