Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Art & Kulture » Porti i Shengjinit, integrimi i shqiptareve

Porti i Shëngjinit – Porti i integrimeve shqiptare

Porti i Shëngjinit – Porti i integrimeve shqiptare

Nga Bujar Leskaj: Racionaliteti ekonomik dhe racionaliteti politik në një kahje të përbashkët për integrime shqiptare, për mirëkuptim ndërshqiptar e prosperitet mbarëkombëtar.

Përmes dhënies në përdorim të Portit të Shëngjinit, Qeverisë së Kosovës, në funksion të ekonomisë dhe biznesit kosovar.

Në raportin vjetor të Punës së Qeverisë Thaçi, (Prishtinë dhjetor 2008), theksohet se: “Prioritet parësor i Qverisë së Kosovës vazhdon të jetë intesifikimi i zhvillimit ekonomik. Rritja ekonomike do të realizohet përmes intesifikimit të investimeve, privatizimit të mëtejshëm dhe ristrukturimit të ndërmarrjeve publike, shtimit të aftësisë konkuruese të ekonomisë dhe rritjes së eksportit. Qeveria e Kosovës ka aplikuar politika që synojnë: rritje ekonomike, uljen e shkallës së papunësisë, përmirësimin e kushteve sociale dhe zvogëlimin e varfërisë. Në mënyrë që të jetë konkuruese me vendet e rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja direkt”.

Porti i Shengjinit, integrimi i shqiptareve

Ministrat e Kosovës, në emër të Kryeministrit Thaçi shprehën, ditë më parë, tek Qeveria jonë, një kërkesë strategjikisht sinjifikative, se: “Në emër të Qeverisë së Kosovës do të kërkonim që të na krijohej hapesira për të pasur një pjesë në këtë Portë (Portin e Shëngjinit) dhe për të bërë investime si Qeveri, me qëllim rritjen e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve nga porti i Shëngjinit, pra mundësive të reja që do të krijohen me inagurimin e rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë”.

Në cilësinë e deputetit të Vlorës, mendoj që kjo kërkesë e paraorientuar, e mirëpritur dhe e mbështetur nga Kryeministri i Qeverisë së Shqipërisë, Z. Sali Berisha, vjen në kohën e duhur si një pjesë thelbësore e Platformës së Veprimit Ndërshqiptar, ndërmjet dy shteteve shqiptare, të pavarura në Rajon, Kosovës dhe Shqipërisë e më gjerë.

Aorta e kombit, rruga Durrës-Kukës-Prishtinë dhe Porti i Shëngjinit, për biznesin Kosovar dhe Qeverinë e Kosovës janë dy trasetë e hekurudhës së përbashkët integruese në ekonomi, politikë dhe kulturë.

Këto investime madhore kombëtare ekonomike e politike do të dhe po shoqërohen me veprime të tjera që sinergjizojnë përpjekjet integruese të dy vendeve tona në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik e shoqëror: në arsim, (me kurikula të përbashkëta në program, jo vetëm në letërsi shqipe e histori Shqipërie, por edhe në marrëveshje universitetesh shqipfolëse në rajon, këmbime pedagogësh dhe studentësh, konferenca shkencore të përbashkëta etj), kulturë [(projektet e përbashkëta duhet të shtrihen jo më në dy , tre muaj por në vit të plotë, siç dhe kemi deklaruar që do kryenim për 2008), le ta kryejmë që këtë vit], infrastrukturë [(Rruga e Kombit Durrës-Prishtinë do të shoqërohet në një të ardhme të afërt nga rruga e Arbërit, ajo Prishtinë-Pukë-Shkodër, hekurudha Prizren-Kukës-Tiranë-Durrës (shpresuar kjo për optimistët në dekadën që vjen), aeroporti i Kukësit etj], energjitikë (duhet të shfrytëzojmë dhe të alternojmë burimet hidrike dhe termike të të dy vendeve), politika të përbashkëta tregtare, tregje difuzive turistike apo shprehur thjeshtë e saktë, Konsolidimit të Hapësirës Kulturore Shqiptare, Ekonomike e pse jo Politikë Kombëtare konkrete.

Shqipëria është vendi i parë që ka nënshkruar Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Kosovën (tetor 2003), duke eleminuar taksat e dyfishta, ashtu sic ka nënshkruar edhe me vendet e tjera të Rajonit. Por 6 vjet mbas nënshkrimit të marrëveshjes, ende shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të ulta në volum, (shkëmbimet tregtare me Kosovën sipas të dhënave të INSTAT-it dhe Entit të Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar arritën 9.97 miliard lekë, eksportet nga Shqipëria janë tepër modeste, vetëm 2% të totalit të importeve kosovare, në një kohë kur ato serbe arrijnë 15% dhe maqedonase 20 %), edhe pse potencialet për këmbimin e mallrave dhe shërbimeve Shqipëri – Kosovë janë të larta, por qartas të pa shrytëzuara mirë. Problemi më i madh vjen nga infrastruktura e keqe e cila në veçanti gjatë muajve të dimrit është pengesë e plotë. Perfundimi i rrugës Durrës-Kukës dhe angazhimi i Qeverisë Kosovare për ta vazhduar deri në Prishtinë është eleminimi përfundimtar i kësaj pengese infrastrukture, mbi të gjitha, duke krijuar një mundësi shumë të mirë për shkëmbime me një fluks shumë të shtuar dhe përfitime të dyanshme në një treg me 7 milion konsumatorë.

Zgjerimi i aftësisë përpunuese të Portit të Shëngjinit dhe vendosja në funksion të ekonomisë Kosovare, qeverisë së Kosovës dhe biznesit kosovar do të krijonte, hipotekonte, një portë shumë të mirë gjeoekonomike ndërmjet Kosovës dhe Perëndimit, Europës. Kjo do të sjellë përfitime ekonomike dhe poltike të dyanëshme si për Kosovën dhe Shqipërinë. Kosova do të ulte varësinë tregtare me vendet fqinje sidomos Serbinë dhe Maqedoninë dhe do ta orientonte Kosovën në volumet tregtare drejt vendeve të BE-së. Këtu nuk është fjala për të dëmtuar ekonomikisht Serbinë apo për më tepër Maqedoninë (fqinjë ky që ka njohur pavarësinë e Kosovës ashtu si dhe Mali i Zi), por për t’i krijuar oportunitet Kosovës të konkurojë direkt në tregjet ndërkombëtare dhe biznesi kosovar të mos jetë dorë e dytë apo e tretë në blerjen e mallrave e për më tepër në kushtet të ardhshme kur edhe kostoja e lartë e transportit do të reduktohet ndjeshëm.

Sa i përket fitimeve politike, përpos të tjerash, Kosova do të ishte më pak e kërcënuar nga presionet ekonomike shpesh absurde të shtetit Serb. Kujtoj këtu “bllokadën” që Serbia i shpalli Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë. Kjo bllokadë edhe pse në nonsens ekonomikë për Serbinë më shumë, se sa për Kosovën, përsëri ishte dhe është një formë presioni ekonomik dhe politik ndaj shtetit kosovar.

Porti i Shëngjinit, i administruar si port i Kosovës dhe për ekonominë kosovare, do ta pavarësonte më shumë ekonomikisht shtetin e ri, Republikën e Kosovës, duke i dhënë një liri të dimesionit ekonomiko-politik, një dalje të ëndërruar në Adriatik.

Përsa i përket Shqipërisë, porti i ri do të rriste investimet në vend të inkuadruara si investime të huaja apo vëndase. Për më shumë këto do të realizoheshin në një zonë deri tani me zhvillim mesatar duke i dhënë një impuls të fuqishëm zhvillimit ekonomik të zonës. Pra, ky port nën një administrim të ri, të një vendi fqinjë si Kosova, jo vetëm do të sillte përfitime ekonomike për të, por do të ishte një mundësi e mirë për zhvillimin e pjesës veriperëndimore e verilindore të Shqipërisë.

Përveç ekonomikisht dhënia e portit nën administrimin e drejtpërdrejt Qeverisë Kosovare do ta kthente Shqipërinë jo thjesht në burim emancipimi, por ç’ka është më thelbësore në një burim stabiliteti dhe zhvillimi në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, duke u bërë një faktor potent stabilizues ekonomik e politik. Në këtë rast racionaliteti ekonomik dhe racionaliteti politik shkojnë në kahje të përbashkëta pozitive për të dy vendet veçmas e së bashku. Anëtarësimi së shpejti i Shqipërisë në NATO dhe aspirata e Kosovës për anëtarësim në të ardhmen në këtë organizatë, ashtu si ambicia e njëjtë e të dy vendeve për t’u integruar në Bashkimin Europian, e bëjnë edhe më të dobishme e kuptimplotë këtë veprim, sa ekonomikë aq dhe politikë, sa kombëtarë aq dhe europian.

Objektivat e njëjtë që ne kemi (si dy vende të pavarura) kanë nevojë për vështrim të përbashkët, për çështje të interesit të ndërsjelltë. Ashtu si investimi madhor Durrës-Kukës-Prishtinë dhe dhënia në administrim e Portit të Shëngjinit, Qeverisë së Kosovës, dëshmon për një sinergjizim të politikave ekonomike të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, si detyrime politike ndaj interesave të përbashkëta të kombit si një tërësi dhe të komplementaritetit (plotësimit) në fushat ekonomike. Sot marrëdheniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës zhvillohen nëpërmjet 35 marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit ekonomik, por theksoj me bindje që ajo për dhënien në dispozicion të Portit të Shëngjinit, për Kosovën, do të jetë një nga më të rëndësishmet politikisht e me efiçencë të plotë ekonomikisht. Përvec se mazhorancës së djathtë që do ta votojë në Prlament projekt-ligjin që konfirmon këtë marrëveshje,jam i bindur se, dhe një pjesë e së majtës do t’i bashkohen kësaj nisme të ideuar nga Kryeministrat Berisha dhe Thaçi. Shqipëri-Kosovë drejt një Tregu të Përbashkët, drejt një tregu unik, realizohet dhe do të realizohet vetëm me nisma të përbashkëta politike dhe ekonomike te ketij rangu.

Në mbyllje të këtij shkrimi modest, në përkrahje të kësaj nisme të madhe, për dhënien në përdorim, në administrim Qeverisë së Kosovës, të Portit të Shëngjinit, dëshiroj të kujtoj një deklaratë, të 1 shtatorit të 1995, të Presidentit Rugova, në Tiranë në bisedën me Presidentin Berisha për fillimin e projektit për ndërtimin e Autostradës në rrugën e vjetër Lezhë-Prizren-Prishtinë: “Kjo është një arterie kryesore që tradicionalisht ka lidhur Kosovën me bregdetin. Realizimi i këtij projekti kërkon kohë, por duhet të mendojmë për të tashmen dhe të ardhmen”. Lidhja e Kosovës me bregdetin, një ëndërr e kahershme shqiptare bëhet realitet me rrugën e madhe Duurrës-Kukës-Prishtinë dhe me Portin e Shëngjinit në dispozicion të ekonomisë kosovare tërësisht.

Mbi të gjitha është detyrë e politikës moderne që aktivitetin ekonomik e drejtimet politike t’i orientojë drejt objektivave të gjykuara të ligjshme nga qytetarët, të objektivave kombëtarë, të inkurajimit të fqinjësisë së mirë, e stabilitetit në vend dhe Rajon. E pikërisht këtë detyrë Qeveria Berisha ( e cila e ka inspiruar) dhe ne si deputet, pavarësisht kahjeve politike duhet dhe do të plotësojmë, me një qëllim të vetëm: Për integrime shqiptare, për mirëkuptim mbarëshqiptarë e ndërnjerëzor. (Shprehja-Për integrime shqiptare, për mirëkuptim mbarëshqiptarë e ndërnjerëzor është deklamuar nga Presidenti Rugova në Tiranë 2004 kur u shpall Doktor Honoris Causa i Universitetit të Tiranës). (Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2010 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress