Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Aktualitet » Qendrat tregtare, suksesi i biznesit ne Shqiperi

Qendrat tregtare, suksesi i biznesit ne Shqiperi

Qendrat tregtare, suksesi i biznesit ne Shqiperi

Qendrat tregtare ne Shqiperi aktuale janë “City Park”, QTU, “Tirana East Gate”, “Casa Italia”, ETC, “Twin Towers”, “Kristal”, “Condor” dhe “Olympia”.

Nëse 7 vjet më parë, kur në vend u hap e para qendër tregtare, tregu i retail-it ishte ende i pastrukturuar dhe konsumatori kishte njohuri dhe kulturë më të pakët në konsum, sot, panorama është ndryshe.

Qendrat tregtare, suksesi i biznesit ne Shqiperi

Ai nuk impresionohet dhe nuk beson lehtë, por kërkon cilësi dhe çmime konkurruese. Kjo është më se e dukshme, nga zgjerimi i markave që ofrojnë larmi, çmime të ulëta dhe cilësi të mirë. Ndërkohë “të shtrenjtat” duket se kanë arritur të zënë një pjesë shumë të vogël, veçanërisht te tregu i veshjeve.

Në kushtet e rënies së vazhdueshme të tendencës për konsum dhe të një blerësi shumë më inteligjent, operatorët e retail-it po i përshtaten kërkesave të reja në treg.

Edhe ato pak qendra tregtare, që kërkuan të tërhiqnin drejt vetes konsumatorët me të ardhura të larta, duke sjellë në vend përfaqësi veshjesh të markave të shtrenjta, e kanë orientuar veten drejt klientëve masivë.

E para ishte qendra tregtare “City Park”, e cila joshi klientët me luksin në ndërtim dhe shërbim, si dhe ofroi një gamë markash të nivelit të mesëm-të lartë. Por nuk kaloi disa muaj nga nisja e aktivitetit dhe “City Park” lançoi dy marka turke në ambientet e saj, “LC Waikiki” dhe “Collezione”, që i ofronin konsumatorit çmime konkurruese, larmi dhe cilësi të kënaqshme.

Të njëjtën gjë bëri edhe “Europian Trade Center” (ETC), e pozicionuar në qendër të Tiranës, me synimin për të “thithur” klientët me të ardhura të larta. ETC i ka lëshuar një hapësirë tregtimit prej 120 m² dyqanit të “Span Tex”, që importon në Shqipëri, stoqet e dy viteve të fundit të “Zarës”, “Bershkës” dhe “Stradivarius” me çmime konkurruese.

Por kjo “valë” ka përfshirë edhe “Coin”, një nga qendrat më luksoze, e cila është pozicionuar qartë në fashën e konsumatorëve me të ardhura të larta. Gjatë muajve të fundit, në ambientet e “Coin” janë lançuar marka të reja me çmime të ulëta dhe të mesme, kryesisht “Zara”. Madje, menaxhimi i qendrës ka reklamuar edhe hapësirën “Zara Outlet”, që ofron çmime nga 900-3,900 lekë.

“Hyrja e një marke si ‘Zara’ në ‘Coin’ është një tregues i qartë për mënyrën sesi tregu i retail-it po i përshtatet tregut shqiptar dhe konsumatorit tonë, duke diversifikuar gamën e produkteve dhe duke futur veshje me çmime konkurruese”, thotë Stela Dhami, menaxhere e përgjithshme “Colliers International” në Tiranë, kompania multinacionale e real-estate, që ka sjellë në Shqipëri disa marka të huaja veshjesh dhe ka asistuar në menaxhimin e disa qendrave tregtare.

Ndërkohë, një pjesë tjetër e tregut, ka synuar që në fillim konsumatorin masiv, atë që ka të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Tirana East Gate”, qendra më e re në treg (që nisi aktivitetin në nëntor të 2011-s) u pozicionua që në fillim drejt konsumatorit “të thjeshtë”.

Në një prononcim për “Monitor”, Samir Mane, investitor i TEG, thotë se të gjitha dyqanet në qendër kanë çmime të lira dhe të mesme, sepse ky është targeti që i përshtatet edhe tregut shqiptar.

“Kjo është fasha që ne synojmë dhe mendojmë që është potencial. Në TEG do të kemi vetëm një hapësirë të limituar me disa marka të njohura, të përfshira brenda një dyqani të vetëm”, thotë Mane.

Sukses në dyqanet “e lira”

“LC Waikiki”, një markë veshjesh nga Turqia, renditet sot me ecuri të mirë në tregtimin e veshjeve. Dyqanet e kësaj marke janë pozicionuar në qendra tregtare, si ‘City Park’ dhe ‘Tirana East Gate’, ku në këtë të fundit, ka një hapësirë prej 1,400 m².

Drejtuesit e qendrës TEG kanë konfirmuar për “Monitor” se “LC Waikiki” është një nga dyqanet me performancën më të mirë dhe xhiron më të lartë në qendër, duke tejkaluar në shumë pak kohë performancat dhe xhirot e degëve përkatëse në vend dhe rajon.

Mjaft mirë ka ecur edhe marka tjetër turke “Collezione”, e cila e ka zgjeruar në tre numrin e dyqaneve të saj në Shqipëri.

“Shitje të mëdha ka regjistruar ‘Jumbo’, një njësi greke e cila tregton veshje, artikuj për shtëpi, si dhe lodra për fëmijë. Gjatë dhjetor–shkurtit, njësia ka realizuar një xhiro prej afro 208 milionë lekësh. Xhiroja e këtij biznesi përllogaritet rreth 65 milionë lekë në muaj”, thotë Edlira Muka nga TEG.

Të gjitha këto dyqane shesin me çmime konkurruese, kryesisht të lira, ndërkohë që kanë edhe larmi në artikuj. “Fakt është që ‘LC Waikiki’, ka vërtet çmime të lira, por ka shumë larmi stilesh e ngjyrash, çka bëjnë që shumë klientë të gjejnë veshjen e preferuar aty”, thotë Stela Dhami e “Colliers International”.

Ecuri pozitive duket se kanë edhe dyqanet e “Span Tex”, që tregtojnë veshjet stok të dy viteve të fundit të “Zara”, “Bershka” dhe “Stradivarius”.

Kompania tashmë është në kërkim të ambienteve të tjera tregtare për të zgjeruar njësitë tregtuese, kryesisht në Tiranë.

“Ecuria është pozitive, sepse këto marka preferohen nga shqiptarët dhe çmimet janë të lira. Kjo ka bërë që ne të rritemi, megjithëse kriza ka ndikuar edhe te ne negativisht”, thotë administratorja e “Span Tex”, Loreta Koçija.

Mungon studimi i tregut

Mbyllja e dyqanit të vetëm në Shqipëri, të një prej markave të njohura të veshjeve në botë, “Esprit”, është një tjetër argument, në favor të faktit se shumicën e përbëjnë konsumatorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilët rrallë mund t’ia lejojnë vetes luksin që të mund të blejnë tek firmat me çmime të shtrenjta. “Esprit” tregtonte veshje cilësore, por me çmime të larta.

Por, për Stela Dhamin, jo çdo gjë bazohet te çmimet, por edhe tek ajo që i ofrohet klientit.

“Nëse marrim si argument ‘Esprit’, veshjet e tij ishin larg shijeve të shqiptarëve, që kryesisht preferojnë veshje me ngjyra, më shumë moderne dhe më pranë mesdhetares. Kjo markë, megjithëse e njohur, nuk e ofronte këtë”, thotë Dhami.

Fakt është që shumë operatorë të tregtimit të veshjeve nuk kryejnë studime tregu, për shijet dhe preferencat e konsumatorëve për veshjet e preferuara dhe kjo shpesh çon në dështime. Ndryshe nga pjesa tjetër e rajonit, shqiptarët vlerësohet t’i përafrohen më shumë Italisë për shijet në të veshur dhe kjo është arsyeja pse markat italiane kanë ecuri pozitive në tregun vendas.

“Edhe markat turke, që gjithashtu kanë ecuri të mirë këtu, ofrojnë një gamë shumë të gjerë modelesh e ngjyrash”, shton Dhami.

Retail, treg prej 2 miliardë eurosh

Sipas operatorëve, tregtia me pakicë në Shqipëri, duke përfshirë këtu një mori biznesesh, që nga ushqimorët, veshjet, elektro-shtëpiaket, etj., përllogaritet të ketë një vlerë prej 2 miliardë eurosh, ku rreth 1.2 miliardë euro i përkasin vetëm zonës Tiranë-Durrës, ku shtrihet edhe pjesa më e madhe e popullsisë, si dhe fuqia blerëse potenciale.

Sipas operatorëve, rreth 95% e tregut përbëhet nga konsumatorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe vetëm një pjesë prej 5% janë klientët me të ardhura të larta, që shpenzojnë shumë për veshje, por edhe që në mjaft raste udhëtojnë jashtë shtetit për blerjet e tyre.

Aktualisht, në Tiranë, ka 9 qendra tradicionale tregtare, nga të cilat 67% janë të përqendruara në zonat periferike, 17% brenda në qytet, 12% brenda qendrave të biznesit dhe 4% në qendër të kryeqytetit.

Zonat periferike janë më të preferuarat nga zhvilluesit e rinj të tregut, falë mundësisë për hapësira të mëdha tregtare, por edhe parkimeve të bollshme.

Qendrat tregtare ne Shqiperi aktuale janë “City Park”, QTU, “Tirana East Gate”, “Casa Italia”, ETC, “Twin Towers”, “Kristal”, “Condor” dhe “Olympia”.

Ndër qendrat e specializuara në retail përfshijnë edhe franchise italian “Coin” dhe “Department Store & Oviesse Industry” dhe njësia “bëje vetë ti”, “Megatek”.

Rritja e parë më e madhe në segmentin e tregtisë me pakicë ndodhi në gjysmën e dytë të 2009-s, me një ofertë të shtuar prej 71,000 m², një shifër shumë më e lartë se 35,000 m², që ishte hapësira që hyri në treg në vitin 2005, ndërkohë që një rritje tjetër me mbi 40 mijë metra katrorë erdhi me hapjen e TEG në fund të vitit të kaluar. Operatorët përjashtojnë mundësinë e një mbiprodhimi të qendrave tregtare, sidomos në raport me fuqinë blerëse. Fakt është që hapja e qendrave tregtare është një trend mbarëbotëror. Konsumatori po shkon gjithnjë e më shumë drejt tyre, duke iu larguar dyqaneve të rrugës. Fakti që në Tiranë nuk ka një rrugë të mirëfilltë pedonale me dyqane, siç është në të gjitha vendet europiane dhe në rajon, e nxit edhe më shumë tregun e qendrave tregtare.

Avantazhi i qendrave tregtare është cilësia e shërbimit, ofrimi i një game artikujsh dhe shërbimesh të ndryshme në të njëjtën vendndodhje, argëtimi, që orientojnë konsumatorin të shpenzojë drejt tyre.

Por gjithsesi, pjesa më e madhe e tregtisë me pakicë i përket ende dyqaneve dhe sidomos tregjeve të rrugës. Një nga degët më potenciale të tregtisë me pakicë, janë elektro-shtëpiaket, tregu i të cilave përllogaritet të arrijnë në mbi 120 milionë euro/vit. (Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress