Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Art & Kulture » Shengjini, oferta turistike ne xhunglen urbane

Shëngjini, oferta e pasur turistike në mes xhunglës urbane

Shëngjini, oferta e pasur turistike në mes xhunglës urbane

Askund nuk mund të ketë vënë dorë kaq mjeshtërisht e bujarisht natyra dhe Zoti në mrekullitë që i ka dhuruar Shëngjinit, me një të jashtëzakonshëm pasurish natyrore, që nga bregu i artë i rërës së detit.

Qyteti-port i futur në gji të malit të Rencit, që i rri si një kapele e hijshme mbi krye, detin me ngjyrën kobalt, dhe me shtrirjen tej e gjatë të ligatinave me bimësi të harlisur dhe faunën e begatë.

Por, nga ana tjetër, askund nuk mund të jetë treguar kaq e papërgjegjshme dora e njeriut sa këtu, me ndërtime lloj-lloj, pa kurrfarë plani urbanistik. Një qytet si i dalë nga bombardimet e ndonjë lufte, pa as edhe dy metra katrorë lulishte apo një copë trotuari për së mbari, me ca fasada të lerosura pallatesh të prerjes kineze të socializmit alla-shqiptar.

Shengjini, oferta turistike ne xhunglen urbane

Pushues të huaj, por dhe ata vendas, që i njohin mirë plazhet e globit, thonë se nuk mund të ketë vend të dytë me një xhungël të tillë urbane, pallate shumëkatëshe (pa leje apo me leje te dyshimta) që “ngulen” si përbindësha deri në afërsi të ujit të detit, duke i ngrënë pikërisht atë që ka më të shenjtën ky bregdet: rërën jodpasur. “Për këtë rërë vijmë këtu”, – rrëfente para disa vitesh një çift të moshuarish zviceranë, të cilët kalonin tërë muajin prill pikërisht këtu. Të lëçiturit e bregdeteve të botës sqaronin se nuk ka bregdet në Evropë me kësilloj rëre, e pasur në jod dhe me veti kurative të paimagjinueshme. Mbase ishin ndër të paktët që kishin marrë një dorë rërë prej këtu për ta analizuar ndër laboratorët më me emër në Zvicër, dhe mjekët atje kishin mbetur pa mend nga kjo aftësi kuruese, ndaj 70-vjeçarët vazhdonin të shijonin “rininë e tretë”, që ua kishte dhuruar rëra e Shëngjinit me flladfreskun dehës që përcjell gjithandej kjo natyrë e virgjër.

Por si pushues të mençur, kanë zgjedhur pikërisht muajin prill, kur pushuesit numërohen me gishtat e dorës. Më pas e dinë fare mirë çfarë i pret në këtë vend. Këtë gjë na e thotë dhe ish-ministri kosovar i Politikave Zhvillimore, Muhamet Mustafa, sot drejtues i një instituti të tillë për hulumtime zhvillimore dhe profesor i disiplinave që lidhen me menaxhimin e zhvillimit në një universitet në Kosovë. Duke e “tëharrur” mirë e mirë në muhabet politikën e përbashkët në dy anët e kufirit, ai thotë se duhet t’u jepen fund përqafimeve folklorike të politikanëve tanë, të cilët duhet të ulen për të hartuar strategji zhvillimi dhe projekte konkrete, tash që po e kemi lidhjen në mes nesh.

Por nuk dihet sesi ka vajtur kjo puna e rrëmujllëkut në këtë oaz të paqtë e kurativ si në Shëngjin. Një gjë është e sigurt: asnjë drejtues vendor nuk ka mundur t’i shpëtojë ose kërcënimit, ose tundimit, apo mosbëzajtjes pas këshillave të marra prej lart, se ai që ndërton në këtë plazh e ka një “fije” deri atje në kupolë!

E në fakt, këtu janë parë të bëjnë pushime jo pak personalitete të larta të vendit nga shumë qeveri, pikërisht pranë këtyre pallateve të vëna kuturu në mes të rërës, janë ngritur dhe pode fushatash elektorale, jo për ta zhvilluar si do duhej këtë vend të Zotit, por për të bekuar katrahurën urbane në një nga perlat më joshëse të Mesdheut. Loja me pronat ka qenë gjithnjë diçka e frikshme për t’u barrierizuar nga disa pushtetarë vendorë minorë, pasi gjërat vendoseshin shumë më lart (një prej këtyre problemeve është ngritur nga gazeta pikërisht pas ankesës së disa banorëve në Shëngjin).
Rrëmujllëku i ndërtimeve pikaset ngado, nuk ka një vijë të dytë, të parë apo të tretë, që të specifikonte gjithçka në infrastrukturën bregdetare përgjatë 3 km vijë plazhi të Shëngjinit.

Shëngjini sipas pushuesve të thjeshtë
Kola thotë se çmimet janë të larta dhe kjo i largon pushuesit për të gjetur terrene të tjera më të lira. Plazhi është zaptuar nga privatët, duke rrudhur hapësirën e plazhit publik.
Blerta ka udhëtuar nga Tirana për të kaluar disa ditë pushimesh në Shëngjin. Për të është skandal rruga që përshkon gjatësinë e vijës pushuese. Kilometra të tëra që të masakrojnë makinën. Ajo thotë se qëndroj në një hotel privat dhe se kushtet aty janë shumë të mira. Ka ujë, drita, ushqim i bollshëm dhe i mirë. Ka vend për të pasur çmime më të arsyeshme.

Vlashi, një pushues tjetër nga Lezha, thotë se këtu mirë që nuk i ka dalë pronari detit. Është e pamundur të gjesh një vend të lirë kur vijmë me familjen, e gjithë rëra është zaptuar nga privatët e lokaleve dhe hoteleve, çmimet janë në ngritje dhe të papërballueshme.

Prenga thotë se pushteti vendor nuk ka menduar për argëtimin, sidomos për fëmijët, ndaj improvizohen ca lodra nga privatët në hapësirat e plazhit

Meremja ka ardhur nga Kosova për të tretin vit. Kushtet këtu janë të mira dhe pastrimi deri diku është më i mirë, nga privatët sidomos, por jo në vendet publike, ku ka banja të prishura, lopë që shëtisin lirshëm dhe plehra pafund.

Marjani ka ardhur nga jashtë dhe e shqetësojnë ndërtimet pa kriter. Nëse atje jashtë ku jetoj, pushtetet vendore e mbartin rërën kilometra larg për të veshur brigjet e deteve, ne e kemi rërën dhe po e betonojmë.

Kristela me të atin po ngjiten nga zona e portit për tek një kompleks turistik privat, një rrugë që bëhet në këmbë, dhe mbyll vrimat e hundës teksa kalojnë afër një kanali, ku me papërgjegjshmëri, fabrika e peshkut derdh në det mbeturinat me erën kundërmuese apo peshkun e coftë!

Rexhepi nga Prishtina, emigrant në Zvicër, nuk ia përtonte dhe ngrihej vetë, që në orët e para të mëngjesit, për të pastruar rërën dhe bregun nga papastërtitë e shumta. “Këto bukuri të pamata që i ka falur natyra, po i shkatërroni me dorën tuaj”, – thotë kryefamiljari prishtinas, që ka ardhur me gruan dhe fëmijët për të pushuar 15 ditë, në një hotel ku paguan çdo natë 35 euro. Por thotë se, nëse do të jenë po këto kushte, vitin tjetër nuk vjen më.

Një traget si fillimi i ri
Trageti është ndër risitë më të prekshme të këtij porti, pasi përmes tij mundësohet lëvizja e qytetarëve, sidomos e atyre të zonës veriore të Shqipërisë, udhëtimin nga Shëngjini në Bari të Italisë në dy ditë të javës, të hënë dhe të enjte. Linja Bari-Shëngjin ka filluar nga data 26 e muajit qershor. Trageti për pasagjerë niset nga Shëngjini çdo të enjte dhe të hënë në orën 21:00 dhe ka një kapacitet prej 700 pasagjerësh. Sipas mundësive ekonomike të klientëve, trageti ofron kushte të ndryshme, si fjetja, ndenja në poltrone ose në barin e tij. Bileta më e thjeshtë në të cilën përfshihet vetëm vendi, ku mund të qëndrosh ulur, kushton 35.5 euro, ndërsa kur pasagjerët zgjedhin dhomat e gjumit për të kaluar natën, atëherë bileta kushton rreth 60 euro.

Zëri i humbur i një gazetari demokrat
…dhe cisternat që mund ta kthejnë Shëngjinin në Hiroshima!
Tmerri i shpërthimit të depozitave është prezent edhe tashti tek njerëzit, por depozitat në qendër të qytetit të Shëngjinit, nuk ua lënë gjumin të qetë, dhe një përvjetor për Hiroshimën sikur ua kujton përngjasimin! Me sa shihet, ato nuk do të hiqen ndonjëherë. Madje, mendohet se makutëria me hapjen e tregut me Kosovën do të jetë ende dhe më e pangishme. E pra, projektet për kthimin e Lezhës në industri të prodhimit të pluhurit kanceroz të çimentos, nuk përputhen me asnjë plan të vjetër apo të ri të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, kulturor e turistik të kësaj zone të begatë. Këto veprime të Ministrisë së Mjedisit, e cila tregohet paturpësisht e lirë në dhënien e lejeve mjedisore, nuk përputhen me asnjë normë e parametër të zhvillimit, me planin rajonal Shkodër-Lezhë (2005-2020), i cili është realizuar nga EPTIZA Internacional Grup dhe i mbështetur me fondet e Komisionit Evropian (sipas këtij programi, në këtë zonë është përcaktuar vetëm mbështetja dhe konsolidimi i aktivitetit bujqësor).

“Hetues” i thekur i keqtrajtimit ambiental, një gazetar që sot rri në karrigen e pushtetit, para dy vitesh guxonte të bërtiste me të madhe për ogurin jo dhe aq të mbarë që po i prihej me disa projekte investimesh në këtë zonë, si në fushën e ndërtimit, me fabrika çimentoje, park energjetik, të cilat, sipas gjasave, një zot e di si do ta katandisin një nga zonat më të bukura të vendit. Por gjasat janë që ky zë do humbasë ashtu si dhe i shumë ambientalistëve, për të marrë udhë “revolucioni industrial” në këtë zonë, për ta zhbërë njëherë e mirë karakterin mjedisor të saj. Miku im gazetar me pozicion të dyfishtë, ka shënuar një të vërtetë të madhe, se “korrupsioni më i madh sot është menaxhimi i ambientit”. E kjo shihet gjithandej: ka dy fabrika peshku që ndikojnë në uljen e papunësisë dhe në të ardhurat e banorëve, porse u nxjerrin zorrët banorëve të lagjes së portit me erën e qelbur, për shkak të derdhjes në det të mbeturinave. Pastaj industria e karburanteve do të vazhdojë të vrasë ekologjinë e këtij vendi, duke qenë një “bombë” mbi krye të Shëngjinit dhe gjithë zonës.

Rana e Hedhun, kryemrekullia natyrore
Në veriperëndim të Shëngjinit gjendet mrekullia tjetër, Rana e Hedhun. Për të shkuar deri atje të duhet të kalosh ose përmes repartit ushtarak, ose të marrësh rrugën e malit, ose të kesh një varkë. Disa qindra metra para se të vesh atje tej, dikush është kujtuar të bëjë një ndërtim modern. Mjafton të shkosh atje për të kuptuar se nga ajo pjesë me Shëngjinin, gjenden dy botë të ndryshme! Duhet të ecësh në këmbë mes bunkerevë të frikshëm të komunizmit, për të parë Ranën e Hedhun, që fton për përkujdesje e investim. Nuk ka si këtu, ama deri atëherë sa pushteti të mos harbohet nëpër marrina për të betonuar gjithçka edhe këndej! Mund të thuhet pa pikën e teprimit, ky vend do të ishte në top listën e plazheve të botës!

Por… njerëzit pushojnë në Shëngjin
Edhe në mes të kësaj katrahure urbane, njerëzit pushojnë, dhe për këtë kryetari i komunës, Luigj Prela, është i kënaqur. “Plazhi këtë vit ka funksionuar shumë më mirë se vitet e tjera, – rrëfen ai, – dhe kjo lidhet me dy aorta rrugore të përmirësuara. Energjia elektrike është shërbyer 24 orë për pushuesit dhe furnizimi me ujë është më i mirë, ndërsa pas përfundimit të fazës së dytë të ujësjellësit, do të garantohet 24 orë ujë i pijshëm”. Pa dashur të gërmojë dhe aq në rrëmujën urbane, kryetari Prela rrëfen se janë mbi 40 hotele të ngritura, 10-13 kate, ndërsa turizmi hotelier ka thithur shumë turistë kësaj vere, ashtu si dhe ai familjar. Qyteti 4 mijë banorësh vjen e dhjetëfishohet në kohë verës, ndërsa fundjavat kanë pasur një mbipopullim të tepërt, ku bien në sy të kenë ardhur pushues jo vetëm nga Lezha e zonat përreth, por dhe vende të tjera, e sidomos nga Kosova e Maqedonia.

“Ne bëmë gjithçka gati më 1 qershor, kur u hap dhe sezoni turistik, duke shtuar disa shërbime, ndër të tjera, një pastrim më cilësor, vënien e banjave portabël, dushet në disa vende, më shumë kazanë për mbeturinat, rritjen e sigurisë për plazhistët, duke vënë 6 njësi vëzhguese me katër kulla, ndaj këtë sezon nuk ka pasur asnjë të mbytur”, – shton kryekomunari Prela. “Po ashtu është vënë rregull dhe pushuesit gjejnë qetësi dhe argëtim në klubet private. Kemi vënë në shërbim një ambulancë shëndetësore”. Ai ngre shqetësimin e parkimeve për makinat, ndaj do mendohet për parkime të mëdha, ku dhe çdo ndërtim nuk do të lejohet pa vende parkimi poshtë tyre. Kur e pyesim për të ardhurat, nga afro 200 njësi biznesi, si dhe taksa e ndërtimit, përafrohet një shumë rreth 70 milionë lekë, shtuar dhe një tra që vjel për çdo makinë 100-lekëshin, del se është goxha e ardhur, por aspak e konvertuar në shërbime cilësore për t’i kënaqur pushuesit.

Mikpritja, arma e fortë e shqiptarëve
Të gjithë të huajt që kanë ardhur në këto anë, kur i pyet nëse do vinin sërish, thonë se kanë mbetur të befasuar nga mikpritja shqiptare, një identitet i pasur, ndaj kushdo që vjen një herë në këtë vend, nuk ka si të mos e përsëdytë këtë gjë vit pas viti, duke u kthyer në një klient i sigurt. Janë disa prej hoteleve edhe këtu në Shëngjin, por dhe rezidenca private që e kanë kapur këtë çelës, duke siguruar performancë turistike të shkëlqyer. “Nuk do bëja tashmë pa mikpritjen e këtyre njerëzve”, – thotë një pedagog italian që ka ardhur të pushojë në këtë bregdet. Djali i tij e ka nusen shqiptare, por nuk ndikohet nga një turizëm patriotik, por se i pëlqen shumë ky vend. “Por, gjithsesi, duhet ruajtur identiteti i këtij vendi ashtu si keni mikpritjen shumë tipike”, – porosit ai, duke vijuar se mungon edukimi profesional në jo pak hotele apo lokale shërbimi, ku duket gjithandej personeli i patrajnuar apo ideja e menaxhimit familjar si në mesjetë, gjë që sidomos turistët e huaj, e pikasin menjëherë.

Turizmi i lagunave
Duke përmendur lagunat e kësaj zone, si ajo Kune Vain, specialisti i mjedisit Jak Gjini, thotë se me këtë pasuri, Lezha lë prapa vende të tëra evropiane. Me një pasion të lexuar lehtas, ai flet për këto ligatina që na i ka zili bota, duke filluar me pozicionin natyror befasues, florën dhe faunën. Kune-Vain ka një sipërfaqe prej 2 200 ha, nga këto 200 ha të mbuluara me bimësi dhe 100 ha sipërfaqe bujqësore e urbane, dhe 1 900 ha sipërfaqe ujore. Ky mjedis lagunor është nga ekosistemet më produktive në të gjithë botën e gjallë që ndihmojnë në pastrimin e mjedisit dhe luajnë rol jetik në kontrollin e cikleve në natyrë. Në këtë lagunë rriten rreth 196 lloje shpendësh, që zënë rreth 60 për qind të faunës, prej ku 59 lloje shpendësh janë të përhershëm, 65 lloje dimërorë, 51 lloje verorë dhe rreth 21 lloje janë të rastësishëm.

Turizmi kulturor
Duke ardhur për pushime në Shëngjin, pushuesit mund të joshen edhe nga turizmi kulturor. Lezha si qytet ofron histori të lashtë, themeluar në vitin 385 para erës së re nga Dionizi i Sirakuzës, një qytet që ka luajtur rol të veçantë në historinë iliro-shqiptare. Është një qytet me të cilin lidhen momente kyçe të historisë. Emri i tij ” Lisso” e “Lissuss”, gjithnjë sipas studiuesve, është një ngjyrim linguistik i emrit të vjetër ilir “Lisi”. Mbi jetën ekonomike të Lissussit, që në antikitet ka ndikuar fakti se ai ka qenë stacion hyrës i rrugës Shëngjin-Kosovë, rrugë e cila kalonte nëpër Zadrimë për Kukës e më tej. (Lezha.eu)

1 Comment

  1. dajaloma says:

    vazhdoni me shkrime te ketilla edhe per lokalitete tjera

Leave a Reply

© 2010 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress