Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Lifestyle » Sherr midis vajzave per te dashurin

Sherr midis vajzave per te dashurin

Sherr midis vajzave per te dashurin

“Më kë marrë të dashurin dhe për me këtë do të vras!”, “Përse më shikon ashtu? Ti më ke vjedhur passwordin e facebook-ut!”, “Më ke inat se jam më e mirë se ti!”.

Këto janë disa nga arsyet se përse adoleshentet e gjimnazeve përfundojnë në sherre, duke degraduar deri në dhunë fizike.

Sherr midis vajzave per te dashurin

Këtë e pohojnë jo vetëm vajzat e shkollave të mesme, por edhe psikologet e shkollave dhe drejtuesit e shkollave.

Sherr me thika dhe doreza hekuri
Ndoshta është krijuar ideja që sherri tek femrat ndodh vetëm me fjalë apo me një shuplakë. Por edhe zënka e tyre është “sofistikuar” disi. Sigurisht, në këtë rast për të keq. Jo më larg se një javë më parë, ashtu siç tregon edhe Sara, janë përdorur mjete si thika dhe doreza hekuri. Por thika nuk është një mjet për të luajtur, por për të lënduar dhe shpesh për të shkaktuar edhe pasoja më të rënda për jetën e kujtdo. “Një javë më parë, në njërin nga baret jo larg shkollës sonë ndodhi një grindje e ashpër midis disa vajzave. Disa prej tyre ishin edhe në klasën time. Grindja filloi për motive krejt të kota. “Jo pse më pe?”, ‘Jo më ke inat!” etj. Por që arriti deri në atë pikë, sa u përdorën edhe doreza hekuri dhe thika. Të bënte përshtypje fakti që askush nuk ndërhynte për t’i ndarë. Por të gjithë qëndronin indiferentë e duke parë. Kjo grindje pati pasoja jo fort të mira për njërën nga vajzat.

Kjo pasi njëra mori një plagë të rëndë në ballë. Por megjithatë pas pak ndërhyra unë, dy shoqe tonat, dhe një profesor. Më pas filluan edhe të tjerët që të ndërhynin dhe të ndalonin të gjithë grindjen e krijuar. Nuk ishte aspak normale se si gjithë ato vajza të përfshiheshin në një grindje kaq të madhe dhe të përdoreshin këto lloj mjetesh të forta veç për një fjalë goje. Njëra nga këto vajzat që ishte edhe shkaktare e grindjes, sot është larguar me dëshirë e saj dhe të prindërve të saj nga shkolla jonë. Ndërkohë, vajza tjetër ende edhe sot vjen në shkollë, por me sa di unë edhe ajo do të largohet. Nuk di të them me dëshirën e saj apo se e kanë përjashtuar”.

Një rast nga të shumtit
Por a ishte ky një rast i izoluar? Me sa tregojnë nxënëset e shkollave të mesme këto janë raste të cilat përsëriten herë pas here. “Ka pasur raste të ndryshme grindjesh midis vajzave të shkollave. Madje unë e them me bindje të plotë që këtë vit ka pasur shumë raste të grindjeve të vajzave me njëra-tjetrën”, -tregon Ligoreta Dhamo, – shumë pak janë zënë me njëri-tjetrin djemtë. Por edhe kur ata janë zënë, motivi apo arsyeja ka qenë një vajzë. Madje, pak ditë më parë janë grindur një grup djemsh për shkak të një shoqes sonë”.

Me sa duket, djemtë po ndërrojnë vendin me vajzat në shkollat e mesme. Tashmë “adoleshenca rebele” nuk mbetet më një ekskluzive e djemve, por edhe e vajzave. Të jetë kthyer vallë bulizmi, protagonizmi me anë të forcës, të jetë bërë një motiv i fortë “mbijetese” edhe tek vajzat?

Sherri me fjalë e ndonjë shuplakë? Diçka normale
“Brenda në shkollë përgjithësisht ka grindje. Janë të shpeshta grindjet me fjalë, madje janë diçka normale. Edhe unë jam grindur shpesh me fjalë me shoqet e klasës sime apo me ato të klasave të tjera. Por ka raste që brenda në shkollë ka edhe ndonjë shuplakë apo ndonjë tërheqje flokësh. Nuk është ndonjë çudi e madhe. Por sherret e mëdha me grushte, kapje flokësh e me radhë ndodhin jashtë shkollës. Në këto raste, vajzat mblidhen grupe-grupe dhe zihen midis njëra-tjetrës. Pasi mbështesin shoqen, nëse futet ndonjëra prej shoqeve të vajzës tjetër. Edhe unë jam përfshirë ndonjëherë në këto grindje. Nëse duhet t’i krahasojmë këto grindjet me ato të djemve, nuk kanë ndonjë ndryshim, madje janë shumë të ngjashme”, tregon gjimnazistja, Ligoreta Dhamo. Por sherret nuk mbeten vetëm në shkollë. Sherre e grushte femrash ka sidomos edhe nëpër klube nate, party, kur rivalet ndeshin njëra-tjetrin.

Grushte edhe për të dashurin
Nëse djemtë zihen për një femër, edhe vajzat zihen për një djalë. Arsyet pse ndodhin shpesh grindjet midis dy vajzave lidhen shpesh me një djalë. Ndër arsyet e tjera mund të përmendim edhe dominimin. Pra kush do të jetë më e forta ndërmjet vajzave të tjera. Çdokush nga vajzat mundohet të duket sa më shumë dhe të jetë e para ndër të tjerat. Por janë edhe problemet e moshës ato që shpesh sjellin grindje midis vajzave. Megjithatë, shpesh shumë vajza përfshihen në grindje veç për shkak të shoqeve. “Nëse shoqja jote e ngushtë është duke u zënë me dikë, nuk ke se si edhe ti të mos përfshihesh në këtë grindje. Janë shumë të rralla në shkollën tonë grindjet midis meshkujve”, tregon Sara Hoxhiq.

Po na zihen më shumë shoqet se shokët
“Përgjatë gjithë këtij viti na janë zënë më shumë shoqet se sa jemi zënë ne djemtë, – tregon gjimnazisti Enkli Dedaj, – Ndoshta duket e çuditshme, por është shumë e vërtet kjo që ndodh tek ne. Madje edhe në shkollat e tjera ndodh e njëjta situatë. Dy apo tre raste ka pasur që janë zënë djemtë këtë vit, ndërsa te femrat të paktën dy apo tre herë në muaj”.

Kriza familjare ndikon shumë keq tek fëmijët
“Unë mendoj që nuk janë motive të forta për t’u grindur “bulizmi” dhe “të dashurit” apo djemtë, siç tregojnë fëmijët. Motivet se përse fëmijët sot bëhen të dhunshëm janë tre sipas meje. Njëra është mosha e re e tyre. Ata janë relativisht shumë të rinj në moshe dhe shumë kush është në dijeni të probleme që kanë fëmijët në këtë moshë. Një motiv tjetër është Facebook-u, pasi është si “benzinë” për zjarrin. Shumë sherre nisin nga një mesazh në Facebook apo ndonjë koment. Por motivi i tretë është ai që ndikon më shumë. Kriza familjare është një motiv që ndikon shumë negativisht tek fëmijët. Ata shpesh mund të jenë pre e dhunës në familje dhe këtë dhune e shfaqin edhe me fëmijët e tjerë në shkollë. Megjithatë duhet theksuar se sherre midis vajzave ka pasur gjithnjë, nuk është një fenomen i ri. Tek shkolla jonë për sa kohë kam në krye si drejtoreshë nuk ka pasur sherre as tek vajzat dhe as tek djemtë. Masat që merren në rast grindjeje janë nga më të ndryshme, por ato merren në bazë të një komisioni i cili përcakton masën e dënimit. Ne në shkollë për të parandaluar këto raste, i kemi qëndruar fëmijëve pranë në çdo moment. Unë si drejtoreshë, nëndrejtoresha, dezhurnët dhe mësueset kujdestare, janë përkujdesur në çdo moment për to. Kjo është diçka e rëndësishme për ta”, tregon drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, Elsa Dedndreaj.

Psikologia: “Sherret e vajzave, thuajse çdo ditë”
“Sherret mes vajzave adoleshente përbëjnë një dukuri që po vjen në rritje dhe arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet”. Kështu shprehet psikologia e shkollave, Ilisa Poelna, e cila thekson se pothuajse çdo ditë ndeshet me probleme të tilla me adoleshentët. “Këto janë ngjarje që ndodhin dhe puna jonë është që t’i menaxhojmë sa më mirë të jetë e mundur. Sherret fillojnë për arsye nga më banalet si ‘përse më shikon’, ‘pse më ke marrë të dashurin’ dhe facebook është bërë së fundi një burim sherresh, pasi vajzat arrijnë me metodat e tyre t’iu vjedhin passwordin dhe të futen e të shpërdorojnë materialet e tyre personale”, pohon Ilisa Polena. Ndërkohë, ajo thekson se nxënëset të cilat janë me nota të mira zakonisht nuk përfshihen në sherre. “Vihet re se vajzat të cilat mbahen si të forta dominojnë në sherre. Mendoj e ato kanë parë modelin e ndonjë femre të tillë dhe mendojnë se me anë të sherrit mund të zgjidhin çdo gjë”, pohon psikologia, Ilisa Polena, duke shtuar se vajza të tilla në një gjimnaz fitojnë edhe simpatinë e masës, ndaj dhe nuk heqin dorë për të qenë ‘të forta’ dhe të krijojnë sherre. (Gazeta Shekulli / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress