Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Lifestyle » Sherret qe nisin ne Facebook

Sherret qe nisin nga Facebook

Sherret qe nisin nga Facebook

Rrjeti social “Facebook” është kthyer shpesh në arenë sherresh “me libër shtëpie” mes adoleshentëve.

Nxehja e parë mes një konflikt fillon virtualisht e më pas të prekurit zbresin në botën reale duke e vazhduar sherrin, këtë herë jo duke goditur tastat e tastierës së kompjuterit, por duke goditur njwri-tjetrin me thika dhe shpesh me armë zjarri. Sherri i fundit ishte në 18 të këtij muaji ku disa të rinj nga Kashari kanë nisur të shahen në “facebook” e më pas kanë marrw thikat dhe e kanë kaluar këtë histori nw realitet. Njeri nga ata është plagosur rëndw, ndërsa dy të tjerët më lehtë.

Sherret qe nisin ne Facebook

Sherre ne facebook të tilla për motive banale ndodhin kryesisht mbrëmjeve pranë ndonjë qendre interneti. Një rast tragjik që ka pasur si zanafillë të njëjtën pikë, është edhe ai i datës 9 shkurt 2010. Ngjarja ka ndodhur në Kamëz ku autori B. Muçeku 18-vjeçar, nxënës i vitit të katërt në gjimnazin e këtij qyteti, i cili vrau me thikë një 22-vjeçar. Motivi: i kishte ngacmuar motrën në “facebook”.

Në fillim u mendua se ishte një krim në grindje e sipër, por gjithçka u sqarua kur trupi i R. Dishmemës u dërgua në morg, ndërsa Muçeku me pranga në polici. Ai pranoi autorësinë e krimit duke u shfajësuar se vrasjen e kishte kryer pasi 22-vjeçari i kishte ngacmuar motrën në “facebook”. Ndonëse e reja nuk kishte treguar personalisht, vetë autori duke pasur akses në profilin e së motrës, lexoi disa komente në fotot e saj. Fjalë që nuk i pëlqyen dhe, për më tepër, i kishin lexuar edhe miqtë e tyre të përbashkët në këtë profil.

Një tjetër histori e ngjashme është edhe ajo e ndodhur në Farkë, Tiranë. Dy kushërinj ishin konfliktuar me njëri-tjetrin dhe përdorën fjalë fyese në profilet përkatëse në “facebook”. Duke ditur moshën që mund të bëjë çudira dhe hatara, më të rriturit tentuan të shuajnë sherrin. U takuan në një lokal të lagjes, por pas disa minutash tentative për të sqaruar e gjetur fajtorët, shpërtheu zënka mes të rriturve, ndërsa dy adoleshentët aq kërkonin për sherrin.

Tragjedia arrin kulmin në rastin e juristes 32-vjeçare Aurora Trashani. Vajza kishte njohur një djalë nëpërmjet rrjetit social dhe pikërisht prej tij do gjente edhe vdekjen. Ajo u qëllua 60 herë me thikë dhe më pas, banesës ku jetonte iu vu flaka për të mbuluar gjurmët. Sipas hetuesve, ngjarja u zbardh gradualisht pasi u futën në profilin e saj në “facebook”. Aty panë se ndërmjet Trashanit dhe një djali që jetonte në Gjermani, kishte pasur konflikte. E reja nuk jeton më dhe shkak u bë një njohje e gabuar në rrjetin social.

Dhe si shumicën e frymëzimeve të këtyre sherreve, edhe këtë herë në mes është femra. Në 13 gusht të vitit të kaluar në orën 2:45 të natës ka plasur një sherr në lagjen “Komuna e Parisit” ku kanë marrë pjesë 15 adoleshentë, dhe shkaku kanë qenë disa fyerje që ata kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin në rrjetin social “facebook”, pasi kishin ngacmuar të dashurat e njëri-tjetrit.

Facebook mund të çojë në divorc!

Në jo pak raste faqja sociale po kthehet në shqetësim shoqëror. Kjo duket edhe nga konfliktet mes çifteve të të rinjve.

Facebook ne divorc

Facebook ne divorc

Nëse një adresë elektronike mbetet thuajse krejtësisht personale, faqja “facebook” mundëson akses edhe për të tjerët, jo vetëm miqtë, por edhe miqve të miqve… Çifte të rinjsh shpesh kalojnë me imtësi faqet e njëri-tjetrit, të shtyrë nga interesi, por edhe dyshimet e xhelozisë. Ajo çfarë gjejnë, mund të jetë një shkak për të nisur një konflikt. Nëse shohin që bashkëshorti ose bashkëshortja ka në listën e miqve ish-të dashurin ose të dashurën, ky mund të jetë një motiv për të nisur debate. Po ashtu komentet që bëhen publike mund të interpretohen në forma të ndryshme. Dhe nuk kanë qenë të pakta rastet kur “fajtori facebook” ka nxitur dyshime bashkëshortore që kanë sjellë divorcin.

Ka edhe të mira…

Joshja kryesore e rrjetit më të suksesshëm social, padyshim ka qenë mundësia që të jepte për të rilidhur kontaktet me miq e të afërm të larguar, shokë të vjetër e të rinj. Por me kalimin e kohës, ndodh e njëjta gjë që ndodh në jetën reale, në gjimnaz, universitet apo në punë: “Miqtë” dhe “shokët” fillojnë të seleksionohen dhe mbeten vetëm ata me të cilët vërtet të lidh diçka. Ndërsa ana tjetër e medaljes është më dramatike: Teprimi me “facebook”-un dhe qëndrimi nonstop para kompjuterit apo celularit shndërrohet në neurozë, fiksim dhe, në fakt, bën efektin e kundërt. Sepse të shkëput nga miqtë dhe jeta e vërtetë.

16 shtator 2009

Një adoleshent është plagosur me thikë nga moshatari i tij në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, në Tiranë. Sherri mes dy 14-vjeçarëve kishte nisur pas disa fyerjeve në “Facebook” dhe më pas ka përfunduar në thika. Adoleshenti R. Elezi ka dalë jashtë rrethimit të shkollës dhe është kthyer me një thikë, duke plagosur nxënësin E. P.

28 janar 2010

Një sherr i nisur në “Facebook” mes dy gjimnazisteve ka përfshirë në konflikt edhe familjarët e tyre në një shkollë të Farkës në Tiranë, të cilët kanë shkuar për të zgjidhur problemin mes nxënësve, por janë përfshirë edhe vetë, duke u goditur me grushte. Protagonistë të ngjarjes kanë qenë vëllezërit e nxënësit B.Topçiu, që kanë plagosur kushërinj të gjimnazistit G. Mustafa.

9 shkurt 2010

Bukurosh Muçeku, 18 vjeç, nxënës i vitit të katërt në gjimnazin e Kamzës, ka vrarë duke qëlluar me thikë një emigrant i cili i kishte ngacmuar motrën në Facebook. Viktima Robert Dishmema, 22 vjeç, i cili sapo ishte kthyer nga Greqia, është qëlluar për vdekje nga adoleshenti, i cili ka pranuar autorësinë duke thënë se Dishmema i ka ngacmuar motrën në Facebook.

29 prill 2011

Ngjarja në shkollën “Lapraka e Re”, në Tiranë, ka ndodhur pas një zënke mes dy shokëve të klasës, në rrjetin social të “Facebook”. I dëmtuari, 15-vjeçari Olsi Belba, ka debatuar në “Facebook” me bashkëmoshatarin e tij dhe, sipas deklarimeve që shoku tjetër i klasës ka dhënë në polici, Belba i ka sharë motrën. Sipas tij, debati fillimisht ka nisur me shaka, duke shkëmbyer batuta të ndërsjella në profilet e tyre të “Facebook”-ut, derisa situata është tensionuar, kur i dëmtuari i ka sharë motrën shokut të klasës. Më pas, ky i fundit ka lajmëruar për ndihmë dy kushërinjtë e tij më të mëdhenj, Kreshnik Ferrollarin, 22 vjeç dhe Fatjon Hysën, 21 vjeç, duke u ankuar se Olsi e kishte ofenduar nga nderi i motrës.

6 mars 2011

Ngjarja e bujshme për juristen e Autoritetit të Konkurrencës, Aurora Trashani, ka si zanafillën rrjetin social. Ajo u vra nga një person të cilin e ka njohur në “Facebook”, disa kohë para 2 shkurtit 2011, kur 32-vjeçarja u gjet e vdekur në banesën e saj në Tiranë. Gjatë kryerjes së veprimeve për zbardhjen e vrasjes së Trashanit, është arritur të gjenden një numër mesazhesh të shkëmbyera mes saj dhe autorit të vrasjes në postën e rrjetit social. Mesazheve e shkëmbyera mes të dyshuarit dhe viktimës në “Facebook”, Trashani pak ditë para vrasjes, i kishte komunikuar personit tjetër se donte të shkëpuste marrëdhënien me të. Pasi ka marrë këtë lajm, i dyshuari ka ardhur në Shqipëri nga Gjermania dhe mbrëmjen e 1 shkurtit rreth orës 09:30, ka shkuar në banesën e Aurora Trashanit. Aty dyshohet se mes viktimës dhe vrasësit ka nisur një debat, i cili ka përfunduar me vrasjen e 32-vjeçares. Të nesërmen ajo u gjet pa jetë, ndërsa banesa ishte djegur.

13 gusht 2011

Një grup adoleshentësh janë përfshirë në një sherr masiv teksa ndodheshin në një qendër interneti, në zonën e Tiranës së Re. Sipas policisë, 15 persona kryesisht të moshave 13, 14 dhe 15-vjeçare janë përleshur me njëri-tjetrit, fillimisht në lokalin ku ndodheshin e më pas janë zhvendosur jashtë. Nga përplasja fizike kanë mbetur të plagosur dy protagonistët kryesorë, edhe i dëmtuari, edhe autori. Sherrit mes 15 adoleshentëve kanë qenë disa fyerje që ata kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin në rrjetin social “Facebook”, pasi kishin ngacmuar të dashurat e njëri-tjetrit. Nga këqyrja në vendin e ngjarjes u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një thikë dhe një tullë që kanë shërbyer si mjetet e krimit.

18 janar 2012

Një konflikt që ka si zanafillës rrjetin social “Facebook” ka shkaktuar një përplasje fizike mes disa të rinjsh. Ngjarja ka ndodhur në Kashar. Si pasojë Andi Hyka, 19 vjeç, ka mbetur i plagosur me thikë ndërsa dy të tjerë kanë marrë disa dëmtime të lehta nga përplasja fizike.

Psikologia: Kujdes nga miku në facebook

Ajo është përballur shpesh me këtë temë që po trajtojmë dhe me sherre që kanë lindur nga këto rrjete sociale. Si psikologe shkolle dhe si një person që në pjesën më të madhe të kohës merret me adoleshentët. Lediona Hasabella, psikologe, na shpjegon më shumë për këtë marrëdhënie të adoleshentëve me rrjetet sociale, edhe pse degjenerojnë deri në konfrontim fizik, të cilat kanë përfunduar edhe në tragjedi.

Cila është marrëdhënia e adoleshentëve me “Facebook”-un?

Është e ngushtë, dinamike. Domethënë ajo marrëdhënie që dikur ekzistonte nëpërmjet lojës, poshtë pallatit, tani është rrjeti social i komunikimit virtual, që nuk është vetëm “facebook”-u, po janë edhe chat-et e ndryshme, janë adresat e e-mailit. Përderisa adoleshenti imiton, sigurisht që edhe “facebook”-u bëhet rrjeti më i njohur dhe i përdorur nga ta. Një nga tiparet e tyre është dëshira për të qenë pjesë e grupit, pra një adoleshent i izoluar nuk ndihet mirë. Nga njëra anë ata e njohin njëri-tjetrin, fizikisht gradualisht, ndërsa në rrjetet sociale krijohen dy lloj marrëdhëniesh, me ata që i njeh prej kohësh dhe me vetëdije i bën shok (friends) ose me ata që nuk i njeh, por që kanë dëshirë t’i njohin.

Pse pjesa më e madhe e tyre degjenerojnë deri në konfrontime fizike…?

Dëshira për ta bërë tjetrin të ndihet inferior mund të jetë një lloj ndjesie që e bën që të ndihet pozitivisht për momentin. Pse? Sepse dominon. Ndodh për shumë faktorë që ky adoleshent nuk e përballon dot verbalisht një person. Rrjeti social të jep mundësinë që të ndihesh dominant për momentin. Degjenerojnë sepse kjo përballje e cila është virtuale, në njëfarë mënyre, nuk ngelet pa marrë “hak” edhe haku merret personalisht, qoftë i ofendimit apo i sharjes, duke futur këtu edhe shumë kontakte që kanë të bëjnë me faktorin kulturor, duke qenë se jemi një popull ballkanas, impulsiv, gjaknxehtë, duke qenë kaq të gjallë në çdo fushë të jetës, jemi edhe në këtë fushë.

Kur situata arrin në këtë pikë, bëhet e rrezikshme?

Rreziku është mirë të parandalohet. E kemi të vështirë ta parandalojmë një sherr, i cili është nisur e është gatuar mirë virtualisht dhe pastaj edhe fizikisht. Asnjëherë grupet e adoleshentëve nuk tregojnë se do të bëjnë sherr. Komuniteti, familja, prindërit, spitali e marrin vesh më vonë se kur situata ka ndodhur, pasi përballja është e menjëhershme dhe vështirë të parandalohet. E vetmja gjë që mund të pengohet, është që te rrjeti social ata të mos gatuajnë shumë inate.

Jeni përballur ndonjëherë me ndonjë rast të tillë, si e keni zgjidhur?

Po, jam përballur. Nuk ka kaluar as tre javë, një përballje e tipit mes vajzash që quhen mikesha (friends) në “facebook”, por që mund të bëhen agresive për një fjalë goje, për një gjë shumë të vogël. E më pas, duke u nisur nga ato që ne nuk i quajmë tipare dominante të femrës, që këtë sherr më pas ta vazhdojnë me grupime, prandaj për ne ishte e habitshme dhe e rrallë që një grup vajzash të krijonte një agresion me njëra-tjetrën të nivelit të lartë. Bëmë ndërhyrje dhe ndërhyrja ishte me personin që ishte konfliktuar dhe me personazhet e tjera, të cilët unë nuk i njihje sepse ishin nga një komunitet tjetër. Unë mendova që me personat e konfliktuar duke përfshirë këtu edhe prindëri,t i cili ishte jashtë mase i shqetësuar se si një vajzë adoleshente mund të arrijë në dhunë fizike. U zgjidh që vajza me grupazhin e vajzave të tjera të mos kishte lidhje.

Mund të themi ne që “sebepi” i sherrit është femra?

Mund ta themi në disa raste, por jo për të gjitha rastet. Ka momente kur në mes nuk është një vajzë, por mund të jetë shikim i shtrembër që mund të ketë ndodhur verbalisht. Një koment i pamenduar mirë në “facebook” mund të sjellë indinjatën dhe ofezën e tjetrit, i cili pret ta sqarojë më vonë fizikisht.

Çfarë këshillash mund të jepni për fëmijet e kësaj moshe që përdorin rrjetet sociale?

Unë jam shumë dakord që adoleshentët të afrohen me rrjetet sociale, sepse këta kanë shumë efekte pozitive, kanë njohjen, pëlqimin, kanë argëtimin brenda, të cilat shumë mirë që i bëjnë adoleshentët. Me parimin e sasisë nuk jam dakord, pasi çdo gjë e tepruar është e gabuar, mos të teprohet me kohën e përdorimit. Disa rekomandime që mendoj se do të ishin të vlefshme në radhë të parë: adoleshentët duhet të kishin kujdes me atë që e quajnë mik (në facebook). Një mik virtual duhet të ketë disa karakteristika. S’duhet të bëjnë mik çdo njeri i cili vjen nga x burim.

Një sugjerim tjetër është se ata miq që i kanë në shkollë, në kurse të ndryshme pra në kontekste të tjera, të mos i kenë miq online, të lësh një hapësirë më të vogël për miq virtual. Mirë është që individi t’i ndajë gjërat personalisht në marrëdhënie ndërpersonale, pra, me ta të kesh një kontakt më të afërt.

Rekomandimi është për prindërit. Duhet t’i kontrollojnë fëmijët, por për një periudhë të caktuar dhe natyra dyshues në “facebook” nga ana e prindërve nuk do të ishte e duhura, do kemi një dhunim të privatësisë.

Jam shoku i Çimit

Sociale apo asociale, janë përhapur aq shumë sa nuk ka pritë që i ndalon. Të ftohta, të largëta (aq sa edhe të afërta) në rrjetet sociale lindin marrëdhënie, krijohen miqësi, dashuri, lindin edhe sherre, të dhunohet privatësia, foton tënde e marrin duke krijuar një profil, dhe ti e kupton që ti nuk je më ti. Mund të flasësh me veten pa problem ta pyesësh për shkollën, gruan, fëmijët dhe ai të përgjigjet me qetësi sikur asgjë nuk ka ndodhur. Për adoleshentët “facebook” është kthyer në makth. Pjesa më e madhe e tyre e keqpërdorin, shajnë, fyejnë, dhe rastet kur një situatatë e caktuar mund të zbutet është kur ‘ke shok të përbashkët Çimin”. është e vërtetë shoqëria e përbashkët ndikon në situata që krijohen në këto rrejte komunikimi. (Shekulli / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress