Posts Google+ Youtube

You Are Here: Home » Art & Kulture » Shkodra, qyteti turistik ideal

shkodra vend turistik 300x211 Shkodra, qyteti turistik ideal

Shkodra, qyteti turistik ideal

Shkodra i ka të tëra. Liqen, lumenj, det, turizëm malor, që fillojnë nga 600 deri në 1250 m mbi nivelin e detit. Ka 128 monumente kulture e natyre prej të cilave 68 në qytetin e Shkodrës.

“Trashëgimi të pasur e deri diku të ruajtur, afron qarku i Shkodrës, më i madhi në veriun e Shqipërisë. Hyrja e qytetit, përveç mrekullisë që të afron natyra, e cila në këtë qytet është treguar mjaft bujare, të grish për t’u ndaluar e për të vizituar objekte të trashëgimisë kulturore e historike të tij”, thotë drejtori i Muzeut të Shkodrës, Fatmir Juka.

Shkodra, qyteti turistik ideal

Duke renditur përparësitë dhe veçoritë e njohura të qytetit, në hyrje të të cilit spikat Kështjella e Rozafës, e cila shtrihet në kodrën në të djathtë të rrugës hyrëse, pranë lumit Drin, ndërsa në krahun tjetër, pranë malit të Taraboshit, gjendet lumi Buna e më pas liqeni më i madh i Ballkanit, liqeni i Shkodrës.

Kalaja e Rozafës

Është e pamundur që të vizitosh Shkodrën e të mos shkosh tek ky objekt. Kur hyn në qytetin e Shkodrës, pasi kalon urën e Bahçallëkut në të djathtë kryhet një rrotullim, që të çon tek rruga hyrëse për në kalanë e Rozafës, ndërsa janë të pranishme dhe tabelat përkatëse. Nga brenda qytetit drejt kalasë shkohet dhe me linjë urbane, e cila kushton 30 lekë të reja deri tek rruga që të çon më pas drejt kështjellës, e cila nga ky drejtim ndodhet në krahun e djathtë. Rruga drejt këtij objekti është asfaltuar vetëm pak muaj më parë dhe atje mund të shkohet me mjete deri në gjysmën e lartësisë ku ka dhe një parkim pranë rrugës së kalldrëmtë që fillon që nga poshtë kalasë.

Parku arkeologjik me në qendër kalanë e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës. Rrethohet prej ujrave të tre lumenjve; Bunës, Drinit dhe Kirit. Historiani Fatmir Juka shpjegon se Rozafa është një prej kështjellave më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Është 2400-vjeçare. Ka origjinë ilire dhe historiani Tit Livi e përmend si vendi më i fortë i Labeatëve, fis ilir në brigjet e liqenit të Shkodrës. Mbretëresha ilire, Teuta, e ka përdorur atë si bazë në luftrat kundër Romës. Emri Rozafa del sërish në mesjetë. Me këtë emër lidhet legjenda, e cila ka në qendër “mbajtjen e fjalës së dhënë” dhe si subjekt është murosja e Rozafës, nuses më të re të tre vëllezërve që ngrinin muret e kalasë, por të cilat shembeshin natën. Në hyrje të kalasë ndodhet bazorelievi i Rozafës dhe uji gëlqeror, i cili depërton tek hyrja kryesore dhe lidhet me fantazinë popullore si qumështi i gjirit të Rozafës, i cili u la jashtë gjatë murosjes për të ushqyer foshnjen e saj. Muret e kalasë së Rozafës kanë një gjatësi prej 880 metrash dhe rrethojnë një sipërfaqe prej 9 hektarësh. Objekte të tjera brenda kalasë janë çisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek. XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu, aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudha të ndryshme të kalasë.

Xhamia e Plumbit, e vetmja me stil osman

Jo larg kalasë ndodhet një tjetër objekt me vlera të veçanta arkitektonike, kulturore dhe historike, Xhamia e Plumbit. Sipas drejtorit të Muzeut të Shkodrës, Fatmir Juka, “ajo është e vetmja ndërtesë kulti në Shqipëri, e ndërtuar sipas stilit osman, ndryshe nga xhamitë e tjera që janë ndërtuar sipas stilit arab”. E ndodhur në hyrje të qytetit, pranë kalasë Rozafa, në ansamblin muzeal që e rrethon, kjo xhami ka tërhequr vizitorë të shumtë. Ajo është monument kulture që nga viti 1948 dhe si e tillë i shpëtoi shkatërrimit të objekteve të kultit në vitin 1967, kur u ndalua predikimi i fesë. Në dhjetor të vitit 1990, këtu u mbajt rituali i parë i fesë islame pas periudhës së ndalimit të saj. Xhamia e Plumbit vazhdon të funksionojë si objekt kulti dhe sot. Por dhe pse një objekt me vlera të veçanta dhe unikale në Shqipëri, kujdesi për të ka munguar dhe ndërhyrjet restauruese kanë qenë mjaft të pakta. Xhamia është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, në atë kohë vezir i Shkodrës. Kubetë e saj u veshën të tëra me shtresa plumbi dhe gurët për ndërtimin e saj u sollën dorë më dorë nga populli. Si nga ana e pamjes që paraqitet në çdo anë, ashtu dhe nga vlerat që mbart kjo zonë, tërheq vizitorë të shumtë vendas e të huaj. Por e veçanta e kryeqendrës së veriut nuk mbaron vetëm tek kjo zonë. Në brendësi të tij ndeshesh me të tjera objekte që dëshmojnë lashtësinë, kulturën dhe të veçantat e qytetit. Monumente të shumta kulturore, shtëpi karakteristike shkodrane, gjen thuajse në çdo lagje të saj dhe pse ndryshimet urbane gjatë viteve kanë qenë të shumta.

Muzeu i Shkodrës

Është i vendosur në afërsi të qendrës në një banesë karakteristike shkodrane. I ndërtuar rreth fundit të shekullit të XIX dhe ka statusin e monumentit të kulturës. Ai ka sektorin e arkeologjisë, sektorin e etnografisë, sektorin e arkivit dhe relikeve historike dhe bibliotekën. Janë rreth 1500 objekte arkeologjike, që vijnë nga gërmimet ose të gjetur rastësisht në të gjithë pellgun e Shkodrës. Përfaqësojnë të gjitha periudhat historike nga Neoliti 6000 vjet para Krishtit deri në Mesjetën e vonë, shek.XVI pas Krishtit. Sektori i Etnografisë ka një fond prej rreth 1500 objektesh, që i përkasin shek. XVIII – XX. Ato janë prodhime artizanale të qytetit të Shkodrës e zonave gjeo-etnografike të pellgut të tij, Dukagjinit, Malësi e Madhe, Shllak, Postrribë, Zadrimë, Anamalit, Krajë si dhe të krahinave të Pukës e të Mirditës. Sektori i historisë përbëhet nga objektet historike, arkivi dhe pinakoteka. Fondi i objekteve historike të muzeut (455 objekte) përbëhet kryesisht nga disa koleksione që dokumentojnë periudhën nga shek.XVII deri më sot si ai i armëve, reliekeve të personaliteteve të shquara, flamujve shqiptarë, vulave të institucioneve të ndryshme etj. Dokumenti më i vjetër, i shkruar me dorë, duke përdorur disa ngjyra, është një pergamen mesjetare me katër faqe, e llojit palimpsest, e shkruar në greqishten e vjetër. Fototeka e muzeut përbëhet nga 1927 njësi filmike, origjinale ose riprodhime me rreth 3000 imazhe dhe rreth 10.000 fotografi.

Sipas drejtorit të tij, Fatmir Juka, është duke u përgatitur një sallë e re ekspozuese, ajo e “Rilindjes Qytetare Shkodrane”. Kjo sallë do të përmbajë dokumente, materiale dhe objekte që paraqesin figurat historike dhe aktivitetin e tyre në periudhën që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri pas pavarësisë. Çmimi për të vizituar muzeun historik të Shkodrës është 150 lekë të reja.

Rruga e Pjaces

Është e njohur me këtë emër, pasi tradicionalisht aty bëhej shëtitja karakteristike e pasdites dhe e mbrëmjes. E rikonstruktuar sipas modelit të dikurshëm, kjo rrugë të afron trashëgimi kulturore të qytetit, fasada banesash dhe mjaft njësi shërbimi apo punimesh artizanale, që ky qytet i ka traditë dhe që vazhdojnë të jenë të pranishme.Vizitorët mund të gjejnë punime prej druri, guri, pëlhure, leshi, argjendi etj. Në krye të rrugës është një tjetër objekt i trashëgimisë kulturore, Truma e Dugajve të Reja, ndërsa po rikonstruktohet dhe një tjetër rrugë muzeale, ajo e Gjuhadolit. Gjatë shëtitjes në qytetin e Shkodrës ndeshesh dhe me banesa të tjera karakteristike, të shpërndara në lagje e rrugë të ndryshme të tij si Kulla e Markagjonit, Kafja e Madhe, Hamami, banesa e familjes Çekaj, banesa e Pashko Vasës etj. Rruga muzeale në qendër të qytetit të Shkodrës, e projektuar nga Kolë Idromeno, emrin e të cilit mban, është një tjetër destinacion turistik.

Shiroka e Zogaj

Janë dy lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, të vendosura në breg të liqenit të Shkodrës. Rruga për atje kalon nga ura e Bunës në të majtë të rrugës hyrëse në Shkodër kur vjen nga Tirana dhe pasi del nga ura kthehesh djathtas. Rruga është e asfaltuar, ndërsa pamja që të afron liqeni në të djathtë të rrugës dhe mali i Taraboshit në të majtë të saj është mjaft tërheqëse. Zonat turistike të Shirokës dhe Zogajt frekuentohen jo vetëm në verë, kur atje shkojnë pushues ditorë apo rezidencialë, por gjatë gjithë vitit. Lokalet e shumta të ofrojnë ushqimet karakteristike të zonës dhe të qytetit, ndërsa në Zogaj mund të gjesh dhe traditën e punimit të qilimave e prodhimeve prej leshi, traditë kjo që vazhdon akoma. Në këto zona, si në lokale, ashtu dhe në breg të liqenit, gjen peshk të sapozënë nga peshkatarët e shumtë që e kanë profesion peshkimin, kryesisht krap, gjuhcë, ngjalë etj. Relaks të afron dhe pjesa tjetër, në të majtë të daljes nga ura e Bunës, ajo që shtrihet buzë këtij lumi në rrugën Shkodër-Muriqan. Dajlani dhe bashkimi i dy lumenjve Drin e Bunë janë një tjetër burim natyror që vizitorët e pëlqejnë, ndërsa në dy krahët, si në atë të lumenjve, ashtu dhe në malin e Taraboshit ka lokale që afrojnë shërbim shumë të mirë, por dhe pamje mahnitëse.

Ura e Mesit

E famshmja urë me kurriz, e ndërtuar mbi lumin Kir në lindje të qytetit të Shkodrës, 8 km larg tij. Ajo lidhte dikur krahinat e Drishtit, Shllakut e Shoshit me Shkodrën dhe përmes rrugës së vjetër lidhet me monumente të tjera kulture si Ura e Pashës në Kukës, xhamia e Prizrenit etj. Për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar me fuga të rregullta horizontale dhe vertikale. Traseja e urës është shtruar me gurë pllakë të vendosur këlliç, ku çdo 1 metër ngrihet 5 cm rreshta tërthorazi, që i japin pendencës së kurrizit të harkut kryesor trajtën e shkallares. Është urë me 13 harqe, të mbështetur në terrenin shkëmbor dhe në përshtatje me të. Ajo është ndërtuar me gurë dhe qemer dhe në të nuk është përdorur çimento. Harqet janë të harmonizuar dhe me kurbaturë të lartë. Ajo është vendosur në aksin rrugor Shkodër- Drisht-Cukal në drejtim të rrugës së vjetër që të çon tek kalaja e Drishtit. Vlerat urës ia shton dhe terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe lumin e kaltër. Gjatësia e saj është 108 metër, gjerësia 3,40 metër, ka 13 harqe jo simetrike, ku më i madhi 12 metër i lartë dhe me hapësirë 21,5 metër i gjerë. Është ndërtuar më 1768 nga Mehmet Pashë Bushati. Ura e Mesit ndodhet pranë qendrës së fshatit me të njëjtin emër, 8 km në lindje ose më shumë verilindje të Shkodrës. Rruga është e asfaltuar. Distanca e afërt bën që vizitorët të shkojnë atje dhe me biçikleta. Peizazhi shkëmbor rreth saj shfrytëzohet në stinën e verës nga pushues ditorë që bëjnë plazh nën hijen e urës ose hidhen prej saj në ujë.

Drishti dhe kalaja e tij

Pasi kalon Urën e Mesit, mund të shkosh drejt Drishtit dhe kalasë së tij, një tjetër zonë me vlera të trashëgimisë kulturore të Shkodrës.

Në shek IX. Drishti u kthye në një fortifikim të rëndesishëm të mbretërise së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek. XIII si një fortesë bizantine. Qyteti arriti kulmin e zhvillimit në shek XIV, derisa arriti edhe pavarësi nga Shkodra. Në vitin 1442, Drishti ra në duar të Venedikut, më pas u mor nga Skënderbeu dhe më në fund u pushtua nga Turit në 1478. Kalaja e Drishtit gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir. Fshati i sotëm ndodhet poshtë vendgërmimit të Drivatiumit të lashtë. Ai u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër-Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir, të cilat mbronin Shkodrën. Kalaja gjendet në një kodër 800 metra të lartë. Brenda mureve të kalasë gjenden 11 shtëpi të fshatit, të cilat formojnë një lagje. Rruga drejt këtij objekti është e asfaltuar.

Ishulli i Sardës

Në një largësi 15 km larg nga qyteti i Shkodrës ruan ende gjurmët e një qytetërimi mesjetar dhe ofron mundësi të shkëlqyera për të zhvilluar turizmin shëtitës. Sarda ose Shurdhahu është një emër që i përgjigjet një qyteti të mesjetës, me një sipërfaqe prej 5 hektarë, i cili dikur i përkiste patriarkut feudal Lekë Dukagjini, i njohur për rregullat e tij të Kanunit. Sot ai është kthyer në ishull, në mes të liqenit të Vaut të Dejës, për shkak të ndërtimit të hidrocentralit. Ajo që ka mbetur nga qytetërimi është hyrja gjigante e një pallati në stil romak dhe rrënojat e një kishe. Deri në Denjë shkohet në rrugë tokësore, ndërsa për të parë Sardën duhet të shkoh me varkë dhe kjo vihet në dispozicion nga banorët e zonës. Të tjera zona tërheqëse të Shkodrës janë pikat turistike malore të Razmës, Thethit, Bogës, Vermoshit etj.

Kisha e Shirqit

Për ato që duan të qëndrojnë më shumë se një ditë në Shkodër, ka të tjera destinacione që mund të ofrohen. Kisha e Shirqit ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, 15 km larg qytetit të Shkodrës. Për të shkuar atje kalohet në drejtim të rrugës drejt Velipojës, por në gjysmën e saj kthehesh djathtas drejt Dajçit dhe fshatit Shirq që përfshihet në këtë komunë. Ky objekt, sipas dokumentave, ka luajtur rol të rëndësishëm në mesjetë, sidomos në tregtinë e zonës së Shkodrës. Aty ishin depot, dogana dhe nga shekulli XIV bëhej edhe një panair. Aty zhvilloheshin edhe pelegrinazhe, pasi vendi quhej i shenjtë. Kisha ka shërbyer si vend celebrimi martesash të princave malazezë dhe serbë në mesjetë. Kisha ka mbi një shekull që nuk ka funksionuar si objekt kulti. Banorët e Shirqit, e kanë lënë atë si vend të shenjtë dhe pas ’90-ës aty kryhet mesha e Shën Premtes, që bëhej në oborrin ku janë varret. (Gazeta Shekulli / Lezha.eu)

Leave a Reply


Copyright © 2006 - 2014 Lezha Online All rights reserved. · Privacy Policy
Site Map · Contact Us · Links · Marketing · Terms Of Use · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress