Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Art & Kulture » Shqiperia, shtet i unitetit kombetar e i pandashem

Shqiperia, shtet i unitetit kombetar e i pandashem

Shqiperia, shtet i unitetit kombetar e i pandashem

Gjithë historia e Lëvizjes kombëtare shqiptare ka në themel unitetin kombëtar, bashkimin e gjithë pjesëve të kombit si një trup i vetëm e i pandarë.

Rrethana të caktuara gjatë zhvillimit historik, aq më tepër nën sundimin shekullor turk, kanë krijuar dallime specifike. Është fjala për dallime të natyrës fetare mandej edhe krahinore, zakonore e dialektore. Dallime, por jo ndarje. Tek e fundit nuk është një fenomen ekskluzivisht shqiptar.

Shqiperia, shtet i unitetit kombetar e i pandashem

Pa shkuar thellë në të kaluarën Rilindja e ka thënë qartë fjalën e saj.

Personalitetet e elitës shqiptare, korifenjtë e mendimit politik të shek. XIX në veprën e tyre kishin si parim bazë unitetin e kombit.

Për Vaso Pashën emri kolektiv “Shqiptarë” shprehte një unitet territorial, një territor të përbashkët që shkonte nga Kosova në veri, deri në kufirin e jugut me Greqinë. Emri kolektiv “Shqiptarë” shprehte edhe një kohezion organik midis tyre që do të thotë se ata e identifikonin veten me atë emër të përbashkët dhe jo me përkatësinë fetare. Është e njohur fjala e Vaso Pashës që ka përshkuar procesin e zgjimit kombëtar “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Vëllezërit Frashëri janë zëdhënës të palëkundur të kësaj ideje. Për Samiun “të gjithë banorët e Shqipërisë të ndarë gjeografikisht nga lumi Shkumbin, në veri gegë dhe në jug toskë, janë thjesht shqiptarë. Nuk ka ndryshime radikale midis gegëve e toskëve. Të gjithë bashkë janë një komb, flasin të njëjtën gjuhë me nuanca të lehta, që do të shuhen me ndërtimin e gjuhës së njësuar. Veriu dhe jugu janë pjesë organike të një trupi të vetëm”.

Në poemat e tij, Naimi bënte thirrje që shqiptarët ta ndiejnë veten vëllezër, “nuk duhet të ndahen sipas fesë, sepse Zoti është një e i vetëm për të gjitha fetë, se gegë e toskë janë vetëm emra krahinorë, ku vëllezërit flasin gjuhën e tyre”.

Vargjet që ka shkruar Ndre Mjeda në vitin 1892 janë një himn për unitetin e kombit dhe mallkim për mohimin e tij.

Geg’ e Toskë, Malci, jallia

Jan nji komb, m’u da s’duron:

Fund e maja nji â Shqypnia,

E nji gjuh’ t’gjith na bashkon

Kjoftë mallkue kush qet ngatërrime

Ndër kta vllazën shoq me shoq:

Kush e dan me flak’ e shkrime

Ç’a natyra vet përpoq.

Përgjithësisht, në periudhën historike të parapërgatitjes së Pavarësisë, veçanërisht prej gjysmës së dytë të shek. XIX për mendjet e emancipuara kombi shqiptar si koncept ngrihej mbi vlerat fetare dhe dallimet krahinore. Nuk ishte e rastit që pikërisht në prag të zhvillimeve të shekullit të ri ata argumentonin unitetin e pjesëve.

Një rol të dorës së parë luan shtypi i kohës. Revistat e gazetat në fillimet e shekullit XX janë një tribunë e këtij mendimi emancipues. Të marrim si shembull “Albaninë” e F.Konicës (1897-1909) në Bruksel pastaj në Londër, “Kombin” e Sotir Pecit në Boston, SHBA, “Dritën” e Shahin Kolonjës në Sofje. Të gjitha këto botime e të tjera përhapnin vlerat e kulturës te shqiptarët, trajtonin problemet e mëdha kombëtare të kohës, si alfabeti e shkollat shqipe. Pa lënë në heshtje dallimet, ato e vinin theksin tek ekzistenca e një Shqipërie, si komb i vetëm. Albania e F.Konicës pasqyronte unitetin e kombit edhe nëpërmjet shkrimeve të autorëve. Faqet e revistës janë të hapura për autorët pa dallime, qofshin myslimanë, ortodoksë apo katolikë nga veriu e jugu, madje edhe nga diaspora. Ngjarjet e mëdha në historinë shqiptare nuk tregojnë asgjë tjetër veç përfshirjes së kombit në tërësi në ato ngjarje.

Historia shqiptare e shekullit XIX dominohet nga Lidhja e Prizrenit që mbush 134 vjet në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Ajo nuk është një ngjarje krahinore, ajo nuk i përket një cepi të një treve. Ajo shënon një shkallë më të lartë të zgjimit kombëtar në të gjithë hapësirën shqiptare. Ajo nuk është e gegëve, as doemos e toskëve. Ajo është e të gjithëve. Në krye të saj janë krah për krah Ymer Prizreni, drejtues i veprimtarisë ekzekutive dhe Abdyl Frashëri, i ardhur nga larg për të drejtuar Punët e Jashtme; së bashku janë, Ali Pashë Gucia, Hodo, Sokoli, Nuri M. Vlora, M. Vrioni.

Në mbyllje të shek. XIX dhe në hapje të shek. XX vjen Lidhja e dytë, ajo e Pejës e viteve 1899-1900. Organizatë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare që veproi në gjurmët e Lidhjes së Prizrenit. E filluar kryesisht në qendrat e Kosovës, ajo u përhap edhe në krahina të tjera: Shkodra, Ohri, Elbasani, Manastiri, Korça, Tirana, Berati etj.

Të dy Lidhjet shënojnë një etapë të avancuar, shprehje autentike e një lëvizjeje kombëtare unike kompakte nga veriu në jug. Ajo do të ndërhyjë si një faktor me vetë në kombinacionet politike të së ardhmes në Ballkan, veçanërisht në vështrim të rënies së Perandorisë Osmane. Procesi është tanimë i pandalshëm. Një pështjellim i madh përfshin Perandorinë. Në literaturën e huaj, përgjithësisht kur trajtohen kryengritjet antiturke, theksohet se “në asnjë pjesë tjetër të Perandorisë gjendja nuk ka qenë më e ndezur sesa në skajin perëndimor, në viset shqiptare” (Autori amerikan E.C. Helmreich në veprën mbi diplomacinë e luftës ballkanike 1912-1913). Kryengritjet në Malësinë e Madhe ndjekin njëra-tjetrën 1910-1912. I. Qemali vjen në ato vise në qershor 1911 së bashku me Luigj Gurakuqin dhe hartojnë memorandumin e njohur të Greçes që i drejtohet qeverisë turke edhe Fuqive me kërkesën për autonominë territoriale e administrative, për bashkimin e trevave me popullsi shqiptare.

Do të vijë Pavarësia. Në vizionin e themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar koncepti bazë është gjithmonë një fat historik i përbashkët i shqiptarëve jug e veri, veri e jug. Gjithë veprimtaria e I. Qemalit, kur i kushtohet Pavarësisë, përshkohet tej e mbanë nga kjo ide. Ai e ka zgjedhur partnerin. Ai e nis epopenë duke pasur në krah të pandarë Luigj Gurakuqin një ndër protagonistët e spikatur të veprës së madhe. Pranë tij është edhe Hasan Prishtina në kohën e kryengritjeve në trevat veriore në prag të shpalljes së Pavarësisë.

Më 18 nëntor përfaqësuesve të Fuqive në Stamboll u dorëzohet një thirrje. Ajo mban firmat e Vaso Pashë Shkodranit, Dervish Himës, Fuat Dibrës, Sulejman Delvinës, Filip Nogës.

Ideja e fatit të përbashkët gjen mishërim të plotë në Kuvendin e Vlorës. I. Qemali jep porosi për pjesëmarrje sa më të gjerë me përfaqësues nga të gjitha trevat. Lef Nosi me dokumentet e mbledhura tregon se qëllimi ishte që mbledhja të kishte një karakter sa më përfaqësues të të gjitha krahinave.

Vetë vendimi i 28 nëntorit 1912 është një dëshmi e qartë. Teksti hartohet nga dora e Luigj Gurakuqit që e shpall Shqipërinë “më vehte, të lirë e të mosvarme”. Vijon një listë firmash nga 40 burra nga jugu e veriu të gjithë të bashkuar për një qëllim.

Një gjest me kuptim të thellë është edhe ardhja e I. Boletinit në Vlorë. Për I. Qemalin është një simbol, me të vjen në Vlorë Kosova, vijnë gjithë viset veriore që kërcënohen nga planet që po bëhen për copëtim. Kush është I. Boletini, a është i shkolluar, politikan me përvojë apo bajraktar. Nuk ka rëndësi. I. Qemali e merr me vete në delegacionin shqiptar që shkon në Londër.

Qeveria që del nga Kuvendi i Vlorës është qeveri e unitetit kombëtar. I. Qemali i përmbahet gjithnjë parimit gjithëpërfshirës kombëtar. Ai vetë është në krye, nënkryetar është Dom Nikollë Kaçorri. Në përbërje janë ministrat që vijnë nga çdo anë më shumë nga veriu sesa nga jugu. Në historinë e Pavarësisë është edhe një kapitull që trajton debatin midis Qeverisë së Përkohshme dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) organ i Fuqive që do të imponohet si një pushtet suprem. Ia vlen të lexohet. Është vendosur që në përbërje të KNK, veç 6 përfaqësuesve të Fuqive, të ketë edhe një përfaqësues shqiptar I. Qemali kundërshton kandidaturën e Myfit Libohovës. Ia kërkon këtë edhe Austro-Hungaria që njihej si fuqia përkrahëse e kauzës shqiptare. I. Qemali nuk e pranon dhe propozon L. Gurakuqin si përfaqësues të qeverisë shqiptare. I. Qemali nuk tërhiqet as përpara presioneve të fuqisë protektore. Ai shprehet me këto fjalë “Do të ishte mosmirënjohje të mohohej roli i dorës së parë i Austrisë në çështjen e krijimit të shtetit shqiptar, por mirënjohja nuk duhet të kthehet në skllavëri”.

Ky qëndrim pavarësie nuk do të tolerohet nga fuqitë. I. Qemali detyrohet të japë dorëheqjen në janar 1914 dhe qeveria e Vlorës rrëzohet bashkë me të.

Nuk ka shumë për të thënë për Luftën I. Trevat shqiptare bëhen shesh lufte, ndërsa diplomacia e fshehtë bën Traktatin e 1915 për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Edhe pse përballet me shumë rreziqe e dilema, ideja kombëtare nuk shuhet as në Veri as në Jug. Prova do të kapërcehet me unitet mendimi e veprimi në Kongresin e Lushnjës.

Viti 1920 shënon një kthesë historike në fatet e kombit shqiptar. Kongresi është një rikthim, rimëkëmbje e idesë kombëtare në një dimension të ri. Është një edicion i dytë i Pavarësisë. Mbi themelet që janë hedhur në vitin 1912 shtrohen rrugët për ta bërë Shqipërinë një shtet të qëndrueshëm, shtet unitar e të pandarë.

Paradoksalisht, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë mbërrin së largu edhe jehona e një zëri të mekur që e bën Kongresin e Lushnjës si fole të ideve komuniste. Është zëri i të mirënjohurit M. Kruja. Ai do të luftojë këto ide shumë vite më vonë, por nuk do të gjejë mënyrë tjetër veçse duke u vënë në shërbim të okupacionit të huaj, që godet vlerën më të madhe Pavarësinë Kombëtare. Për më tepër, flet për “damet që ka ba e që nuk kanë qenë ma të vogla se dobitë kombëtare”. Dhe vijon me “padinë”. “Dami ma i madh ashtë se ai Kongres ngjalli në intelektualët e jugut me të tana pasojat nefaste bindjen se vetëm ata kanë aftësi me e dirigjue shtetin”, “Fara e grindjes gegë e toskë u mboll në atë Kongres” dhe për pasojë vendi u nda në dy veri e jug, jug e veri”.

Është një shtrembërim i plotë i fakteve. Krejt e kundërta. Figura kryesore që del në Kongres është “veriori” Ahmet Zogu, i cili do të dominojë politikën shqiptare për gati 20 vjet. Me zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve Shqipëria, pavarësisht, nga natyra e regjimeve, u konsolidua si shtet unitar e i pandarë edhe me “veriorin” Ahmet Zogu, edhe me “jugorin” Enver Hoxha.

A mund të ndodhë ndryshe në këtë 100-vjetor? Qoftë mallkue thotë Mjeda “kush qit ngatërrime ndër kta vllazën shoq me shoq” me idenë realisht nefaste se “jugori” i ka ngrënë hakun “veriorit” dhe prandaj “e drejta duhet vënë në vend”. Është jehona e zërit të mbrapshtë që vjen së largu, nga thellësia e viteve. Shpallja e Pavarësisë nuk i duhet lënë medoemos Vlorës “jugore”, duhet sjellë në Tiranë. Përpara Shpalljes së Pavarësisë të 28 nëntorit është ajo e 26 nëntorit që shpall “pavarësinë e Tiranës”. Është një mbledhje lokale, një nga ato mbledhje që janë mbajtur me porosi të I. Qemalit për të krijuar atmosferën e ngjarjes së madhe. Në atë mbledhje të 26 nëntorit në Tiranë Beu Toptanas i familjeve të mëdha shpreh “hidhërimin e thellë që puna e pru me u nda prej vllaznve tanë turq, e që flamuri i gjysmës hënës që ka value ndër shekuj do të ulet e do të ngrihet ai i kuq me shkabë”.

Bashkia me gojën e kryebashkiakut e ka thënë hapur se “qendra e aktiviteteve do të jetë ajo e ish-nënprefekturës ku familjet e mëdha të Tiranës ngritën flamurin më 26 nëntor, pra vetëm në Tiranë. Heshtje për Vlorën. Është shpërfillje për Aktin themeltar të Shpalljes së Pavarësisë nga Kuvendi mbarëkombëtar më 28 nëntor. Krahasoni hidhërimin e beut me frazën lapidare të Luigj Gurakuqit për “Shqipërinë të lirë e të mosvarme”. Ai akt nuk është i familjeve të mëdha. Aty kanë vënë firmën burra të ardhur nga çdo anë. Është akti që krijon të parën qeveri kombëtare të Shqipërisë. Në fund të fundit Pavarësia nuk është as e Tiranës, as e Vlorës. Pavarësia është e Shqipërisë.

Në sferat e larta të politikës është hedhur edhe fjala për “rishkrim” të historisë. Mos bëhet fjalë për një “rishkrim” të historisë që të na ndajë më dysh? Por sot nuk është më koha e ndërhyrjes së politikës në histori. Çdo përpjekje është shkelje e lirisë së krijimtarisë e papajtueshme në kushtet e regjimit demokratik. Nuk do të kalojë!

100-vjetori i Pavarësisë do të përkujtohet për vlerën e tij më të madhe në frymën e unitetit kombëtar, në përputhje me gjithë historinë e popullit shqiptar në çdo kohë e në çdo anë.

Vetë Kushtetuta e Shqipërisë e kërkon Neni 1 e thotë qartë se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”.  (Gazeta Shqip / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress