Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Lifestyle » Stresi, shkaku i kercitjes se dhembeve

Stresi, shkaku i kercitjes se dhembeve

Stresi, shkaku i kercitjes se dhembeve

Shtrëngimi apo kërcitja e dhëmbëve janë veprime të pandërgjegjshme. Shumë persona e kalojnë natën duke shtrënguar dhe kërcitur dhëmbët pa vetëdije, por ata nuk i dinë pasojat e këtij problemi.

Dhëmbët rrafshohen dhe dobësohen duke i kërcitur. “Ndryshe këtë shqetësim specialistët e quajnë ‘bruksizm’ dhe është një lëvizje e pavullnetshme e mandibulës (nofullës së poshtme)”, shpjegon një mjek stomatolog. Quhet dinamike kur është një kërcitje e dhembeve që shkakton kontaktin e sforcuar mes sipërfaqes së dhëmbëve të sipërm dhe të poshtëm dhe e pandryshueshme kur mbizotëron “ngrirja”, ose kontraktimi i muskujve të përtypjes. Fenomeni i parë ndodh gjatë natës, i dyti shpeshherë edhe gjatë ditës. Mund të flasim për bruksizëm kur fenomeni është kaq i shpeshtë dhe i fortë, saqë mund të prishë dhëmbët dhe të shkaktojë komplikacione të tjera. Individi nuk është i vetëdijshëm për këtë veprim.

Stresi, shkaku i kercitjes se dhembeve

Ai shtrëngon nofullat, duke ushtruar disa herë më shumë presion se sa mund të ushtrohet në gjendje normale. Kjo sjell edhe kërcitjen e dhëmbëve. Shtrëngimi i nofullave mund të zgjasë deri në 45 minuta. Ky veprim kronik, pas disa kohësh, mund të sjellë pasoja si konsumim të dhëmbëve, shtrembërim, shkatërrimin e zmaltit të dhëmbëve, çrregullim të ndjeshmërisë ndaj lëngjeve të nxehta dhe të ftohta, probleme me mishrat e dhëmbëve, e deri në probleme anësore e shqetësime fizike, si: dhembje nofullash, dhembje koke, kontraksione të muskujve të fytyrës, dhembje të qafës apo të shpatullave etj.

Çfarë e shkakton bruksizmin
Një nga shkaqet më të shpeshta është padyshim stresi: presioni, shqetësimet e ndryshme, ankthi ndërthuren me bruksizmin. Në praktikë te kërcitja e dhëmbëve, organizmi gjen një mënyrë për të shkarkuar tensionin nervor të akumuluar. Në disa raste ka një problem mekanik, për shembull një bashkim jo i rregullt i dy harkadave dentare ose defekte të artikulacionit temporo-mandibular, i cili nuk funksionon në mënyrën e duhur. Po ashtu bruksizmi mund të shkaktohet nga qëndrimet jo korrekte, që nëse zgjasin për shumë kohë, mund të nxisin zhvendosjen e artikulacionit temporo-mandibular.

Pasojat
Nëse ky ves nuk hiqet, mund të shkaktojë dëme të ndryshme. Fërkimi i vazhdueshëm çon në një abrazion të sipërfaqes së dhëmbëve. Por jo vetëm kaq. Shpeshherë personat që vuajnë nga bruksizmi kur zgjohen nga gjumi, ndiejnë dhimbje në fytyrë dhe qafë. Gjithashtu dhëmbët janë më të ndjeshëm ndaj të ftohtit dhe të ngrohtit. Ai që i kërcet dhëmbët natën mund të ketë vështirësi ta hapë komplet gojën dhe të përtypet.

Diagnoza
Nuk ka analiza ose ekzaminime të veçanta. Ky shqetësim dallohet nga shenjat karakteristike që vihen re nga dentisti dhe në bazë të simptomave që u referohet pacienti, siç është dhembja klasike e mandibulës (nofulla e poshtme).

Si mund ta parandalojmë
Shumë njerëz kur flenë kërcasin dhëmbët duke shkaktuar një situatë të pakëndshme për ata që kanë rrotull, por më e rëndësishmja shkatërrojnë dhëmbët. Më të prekur nga kjo patologji janë të rriturit, ata që pinë duhan, shumë kafe, alkool, por mbi të gjitha që vuajnë nga ankthi. Për të shmangur dëmet këshillohet mbajtja e një proteze plastike në gojë, për të mos dëmtuar dhëmbët. Funksionale është edhe terapia e hipnozës. Strategjitë psikologjike ju ndihmojnë që të largoni stresin dhe të shkarkoni tensionet. Kjo do t’ju ndihmonte shumë. Mund të përdorni një mbrojtëse prej rezine, që është krijuar jo vetëm për të mbrojtur harkadën e dhëmbëve, por edhe smaltin, gingivat nga kërcicjet e pavetëdijshme të dhëmbëve. Në disa raste, veçanërisht në fazë fillestare mund të merrni ilaçe qetësuese në doza shumë të vogla. Në rast se bruksizmi i detyrohet një bashkimi jo të rregullt të harkadave dentare ose mbushjeve të këqija, këto nivele duken ulur me ndihmën e dentistit. (G.Shqip / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress