Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Lifestyle » E vetmja femer shqiptare ne RENEA

E vetmja femer shqiptare ne RENEA

E vetmja femer shqiptare ne RENEA

Nëse nuk do të hidhej nga 7 metër lartësi dhe nëse nuk do i kishte bërë 60 metra për 6 sekonda, ajo nuk do të ishte femra e parë në forcat speciale të policisë.

Rezarta Hoxha do të mbahet mend gjatë në historinë e policisw shqiptare, pasi ka thyer tabutw dhe ka hyrë aty ku forca e meshkujve është e pamposhtur.

E vetmja femer shqiptare ne RENEA

Ajo është pjesë e atij grupi, i cili në situatat kur strukturat e tjera të uniformave blu nuk i japin zgjidhje, i japin zgjidhje gjithcckaje. Bëhet fjalë për forcat elitë të policisë RENEA. Sot e 6 muaj, për herë të parë pjesë e tyre është edhe vajza nga Vlora. Pasi punoi në patrullën e përgjithshme të komisariatit Nr. 1 dhe më pas u bë pjesë e repartit të Sigurisë së Brendshme në Drejtorin e Përgjithshme të Policisë, ajo hodhi një hap tjetër. Konkurroi dhe fitoi duke u bërë kështu pjesë e grupit 7, në skuadrën e zhytjes së RENEA-s. Ka qenë një ëndërr e hershme e saj, që deri në një moment të caktuar mendoi se po i ikte nga duart, por jo. Pas një karriere të gjatë në sport, kishte menduar të konkurronte në një kurs policie. Gjithçka e ka fituar vetë, sepse për tu bërë kjo që është, i janë dashur, kurse e konkurse. Sot ne kemi folur me të dhe na ka treguar për punën e saj në këtë grup ku nuk kishte mundur të hynte asnjë femër me parë.

Rezarta, sot jeni pjesë e forcave speciale RENEA, e ëndërronit të bëheshit police, apo kjo rrugë për ju ka ardhur rastësisht?

Duke parë se natyra ime ishte tepër sportive kam menduar që dhe për zgjedhjen e profesionit, do të bëja diçka që të ishte e një profili të tillë. Mund të them që është një realizim i plotë i dëshirës, i ardhur jo krejt rastësisht, por me mund dhe shumë sakrificë.

Me çfarë jeni marrë para se të bëheshit një “femër me uniformë”?

Jam marrë dhe vazhdoj të merrem me sport që prej 13 vjetësh dhe aktualisht aktivizohem në kampionatin kombëtar të basketbollit, ndërkohë, paralelisht, kam mbaruar dhe Akademinë e Edukimit Fizik, “Vojo Kushi”.

Po pse kaluat nga sporti në polici?

Nuk mund ta mohoj që sporti ka qenë një ndihmesë e jashtëzakonshme për kalimin tim në polici. Duke qenë se kjo punë që bëj është një profesion human, më ka pëlqyer që natyrën time ta konkretizoj duke krijuar siguri dhe qetësi tek çdokush që mund të kërkoj ndihmë, qoftë timen ose të çdokujt që është në shërbim të komunitetit si punonjës i policisë së shtetit.

Cila ka qenë puna e parë në polici?

Në 2007, fillimisht si grupi i 2-të, i dal në atë periudhë nga kurset e “ICAP” kam punuar tek Patrullat e Përgjithshme në komisariatin Nr 1. Detyra ime ishte terreni gjithçka që ndodhte në zonën që mbuloja.

Si ishte të punoje në këtë pozicion, aq me tepër femër…?

Si çdo punë ka vështirësitë e veta në fillim, pastaj hapat e mia të para kanë qenë tepër domethënëse dhe një sfidë e mjaftueshme për tu përballuar me realitetin.

Cilat kanë qenë vështirësitë e të qenit një femër në patrullë?

Nuk mund ta quaj vështirësi. Mënyra e përshtatjes në një ambient pothuajse dominuese nga meshkuj ka qenë mëse normale dhe interesante. Përshtatja shumë e shpejt dhe marrëdhëniet e mira me një pjesë të komunitetit në zonën që unë patrulloja më ka bërë në atë periudhë më shumë kërkuese ndaj vetes dhe pse jo dhe zgjidhje të ndonjë momenti të krijuar.

Duhet të jeni përballur me shumë situata, na tregoni si i keni përballuar ato?

Eksperienca e kaluar në patrullat e përgjithshme ka qenë tepër e shkurtër. Nuk mund të them që nuk kemi patur ngjarje, por nuk kanë qenë aq shumë të renda sa për tu mbajtur mend, thjesht konflikte të rastit, dhe shoqërimi i personave të dyshuar ose pa dokument identifikimi. Kemi pasur dhe plagosje të lehta, por jemi munduar që t’iu japim ndihmën e parë bashkë me kolegët e tjerë, duke u përballuar mirë me situatën, pse jo dhe me arrestim të agresorit në kohën e duhur.

Keni pasur ndonjë rast kur jeni ndjerë në siklet dhe nuk keni ditur si të reagoni?

Të sikletshme dhe të bukura ka plot, por po preferoj më të sikletshmen se më ka bëre vërtetë përshtypje pavarësisht se situata ishte tepër serioze. Pasi u shkëputa nga Patrullat e Përgjithshme kalova te Reparti i Sigurisë së Brendshme e Ceremonialit RSBC, pranë zyrës së pritjes. Puna ime ka qenë sërish përballje me probleme dhe halle të njerëzve të ndryshëm. Jam munduar të bëj më të mirën, duke u gjendur dhe duke e përjetuar njësoj problemin. Në Drejtorinë e Përgjithshme ka shumë departamente, po ajo që ishte më shumë shqetësuese ishte dhuna në familje dhe ne, kur përballeshim me të tilla situata mundoheshim të bashkëpunonim me specialistët e këtij sektori. Një ditë më erdhën dy prindër, të cilët mesa kuptova unë, pa dashur t’i paragjykoj, kishin probleme me vajzën e tyre. Ajo ishte tepër e traumatizuar nga i ati dhe pas mundimit të një prej specialisteve që u mor me këtë pjesë u mundua të qetësonte pak a shumë të atin e vajzës si dhe vajzën. Më pas nuk e mbaj mend fort, por vajza në një moment të vogël u gjend në një formë jo të mirë psikologjike dhe filloi të shkatërronte dhe të përmbyste çdo gjë që ajo zyrë pritje mund të kishte. Ndërhyra duke e qetësuar sadopak me specialisten, lajmërova direkt eprorin dhe patrullën që të bënin shoqërimin e vajzës dhe të atit. Më pas nisa të rregulloja gjithçka që ishte shkatërruar nga një moment jo i mirë i vajzës, si gjithmonë duke e patur një shkak dhe arsye, atë të dhunës nga i ati sistematikisht.

Si ndiheni tani, pas 6 muajsh që jeni pjesë e RENEAS?

Po ndihem shumë mirë, përshtatja ka qenë më se normale dhe vështirësitë dihet, nëse do vazhdoj të jem korrekte dhe kërkuese ndaj vetes, normal do të kem mundësi të bëj dhe një sërë trajnimesh për të mësuar dhe më shumë. Deri më sot kërkesat ndaj vetes time i kam realizuar. RENEA ka qenë synimi im, të cilin e kam arritur. Fillimisht konkurrova për tu bërë fituese dhe më pas më vendosën si pjesëtare e Gr.7 domethënë grupi zhytjes.

Si ishte testi, ku ndjetë me shumë vështirësi dhe na trego normat që keni tejkaluar?

Konkurrova duke marrë shtysë nga sporti. Sporti dhe policia kanë të përbashkëta si disiplinën, stërvitjen dhe punën në grup. Më ka pëlqyer të jem aktive dhe të aktivizohem pa hezitim.

E përballuat testin fizik?

Të marësh pjesë në repartin me të specializuar, normal që përballja me testin ishte shumë e vështirë. Mua mu desh të punoja shumë, pavarësisht kondicionit fizik që kisha. Më e vështirë mu duke hedhja nga trampolina, nuk mund ta përfytyroja dot atë moment, nga një lartësi prej 7 metra, për mua ishte një ditë që do të mbahet mend gjatë gjithë jetës sime sepse më krijoi një gjendje ankthi, mendova që kur të bija nga kjo lartësi mos do të më pushonte zemra (qesh). Kjo nuk do të thotë që unë ta mbyll me kaq duke konkurruar, por mua më duhet një punë akoma më e madhe për të mbajt në formë më të mirë dhe optimale gjendjen time fizike, duke ju përshtatur më së miri dhe situatave të mundimshme.

Çfarë duhet të këtë një femër për tu bërë pjesë e RENEAS?

Një femër që të bëhet pjesë e këtij reparti duhet të ketë një karrierë të pasur sportive, një kondicion të lartë fiziko-psikologjike. Nëse nuk i kanë këto vështirësi, mund ta bëjnë realitet ëndrrën e tyre. Të sakrifikosh dhe t’i bësh të dyja paralelisht, sportin dhe punën është një mund i madh që si zor mund ta bëjë çdokush.

Cilat janë vështirësitë në pozicionin që keni ju ?

Po veçoj pjesëmarrjen time të parë në kërkimin dhe mundësinë për gjetjen e një fëmije në një fshat të Durrësit siç e kam thënë, pa nënvlerësuar asnjë situatë që ky repart merr përsipër të gjitha janë të vështira dhe plot përgjegjësi. Kështu që nuk mund të veçoj deri më tani, sepse ndoshta do ketë raste dhe më të vështira që mund të përballen.

Jeni ju një femër e fortë, apo dhe ju jeni si gjithë të tjerat, përloteni, ndihemi keq….?

Duke qenë se femra nga natyra është e brishtë dhe e ndjeshme karshi çdo lloj situate që e bën të ndihet keq dhe unë si gjithë femrat e tjera përlotem, sidomos para fëmijëve unë dorëzohem.

Si është një ditë e zakonshme për ju?

Intenerari im i përditshëm është një ditë aktive, duke qenë pjesë e respektimit të orarit të përditshëm të punës, pak regjim sepse atë e kam primare. Më pas stërvitje me ekipin e basketbollit, më pas nëse mundem një kafe, nëse nuk mundem, në shtëpi. Ndonjëherë me zë gjumi duke parë dhe filma (qesh). Kjo është zgjedhja që kam bërë, duhet t’i përgjigjem si me lodhje fizike ashtu dhe me kënaqësinë që të jep natyra e të qënit pjesë e këtij reparti.

Vishni ju taka, jeni një vajzë që shkoni në parukieri, vishni fustan…?

Unë taka? (qesh) Se e imagjinoj dot! Nuk më përshtaten fare dhe s’ndihem komode. Mbaj atë veshje që më bën të ndihem mirë dhe nuk mund të sforcohem dot. Tani, kur kemi ndonjë rast feste edhe veshim, për tu ndjerë pak më ndryshe nga e përditshmja, por përgjithësisht jam shumë e thjeshtë dhe më pëlqen origjinaliteti që përcjell.

Ju kanë ngacmuar djemtë gjatë kohës kur ishit me patrullën, na tregoni ?

(qesh) Po më kanë ngacmuar, por duke qenë në orar pune i kam shoqëruar me buzëqeshje. Një nga vlerësimet që kam pasur më shpesh ka qenë thënia: Yyy sa e gjatë. Imagjino me taka! (qesh)

Si ndiheni në një repart që është i mbushur me meshkuj dhe ju jeni e vetmja femër?

Me duhet të veçoj me modestin time, që për sa i përket këtij rasti, që një femër e vetme mes meshkujsh nuk ka të bëj me një diskriminim gjinore. Falënderoj eprorët dhe gjithë çunat që e kuptojnë më së miri pozicionin tim dhe më vlerësojnë për arritjen.

Na tregoni pak për marrëdhënien tuaj me armën, makinën, ujin, vrapin…?

Normalisht arma është kryesore dhe mirëmbajtja e saj është tepër e domosdoshme. Makina? Ç’të të them për makinën. I jap shumë shpejt dhe për këtë më kritikojnë shumë dhe shoqëria, por ç’ti bëj kjo është natyra ime, plot adrenalinë. Uji ose më qartë deti? Mos më thuaj, se kur bëj plazh futem dhe nuk kujtohem të dal, notoj shumë dhe qëndroj gjatë në det sa filloj e eksperimentoj me veten. Zhytem thellë dhe provoj se sa mbaj me frymë (qesh). Ah vrapi, këtu dua të ndalem pak dhe të flas me detaje. Vrapi më ka ndihmuar jashtëzakonisht në sport. Mbaj mend, kam qen rreth 3 vjet në atletikë për gara të gjata rreth moshës12,13,14 vjeç. Isha shumë e pasionuar dhe më pëlqente ky lloj sporti që e vogël. Kam marr një ngarkesë të madhe që në atë moshë dhe kam bërë disa gara e ndoshta dhe atletika më ka ndihmuar për formimin tim fizik në hapat e para të basketbollit. Më kujtohet që, bëheshin gara, i bënte Ministria e Arsimit me rastin e festave të ndryshme, unë merrja pjesë gjithmonë dhe dilja e para pa dashur të kaloj limitet e modestisë, por në atë periudhë nuk vlerësoheshin dhe aq shumë talentet në sportin e atletikes dhe aty e lash e nisa basketbollin. (Gazeta Shekulli / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress