Subscribe:Posts Comments

You Are Here: Home » Aktualitet » Zgjedhjet 2013 ne Shqiperi dhe koalicionet elektorale

Zgjedhjet 2013 ne Shqiperi dhe koalicionet elektorale

Zgjedhjet 2013 ne Shqiperi dhe koalicionet elektorale

Afrimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, nga të cilat Shqipërinë e ndajnë afërisht 10 muaj, ka bërë që jo vetëm vëmendja e politikës, por edhe e opinionit publik, të përqendrohet tek aleancat e ardhshme parazgjedhore.

Ky fokus nuk është krejt i rastësishëm, pasi mosndryshimi i Kodit Zgjedhor, përsa i përket sistemit elektoral, i bën koalicionet parazgjedhore një domosdoshmëri, përsa i përket fitores në zgjedhje të njërës prej partive kryesore. Në një kohë kur në skenën politike kanë dalë dy parti të reja premtuese, si “Fryma e Re Demokratike” dhe Aleanca Kuq e Zi loja politike bëhet e fortë.

Zgjedhjet 2013 ne Shqiperi dhe koalicionet elektorale

Kjo “lojë” shfaqet më e paqartë dhe e komplikuar kryesisht për Partinë Socialiste, pasi Partia Demokratike, nga ana e saj, gëzon një koalicion përgjithësisht të konsoliduar. Nga ana tjetër, sipas Kushtetutës dhe afateve të Kodit Zgjedhor, Presidenti i ri, Bujar Nishani pritet të përcaktojë në fundin e muajit të ardhshëm dhe datën në të cilën do të mbahen zgjedhjet 2013 e ardhshme parlamentare. Mbi bazën e afateve ligjore, një nga katër të dielat e muajit qershor të 2013-ës do të jetë dhe koha e mbajtjes së tyre. Vendosja këtë shtator e datës së zgjedhjeve do të shoqërohet me të gjitha përgatitjet administrative për një proces të tillë të rëndësishëm dhe pritet të nisë “de facto” fushatën zgjedhore për partitë që do të marrin pjesë në garë.

Koalicionet

Futja në fushën e lojës së dy partive të reja si FRD-ja e Gazmend Oketës dhe Bamir Topi dhe AK-ja e Kreshnik Spahiut po e bën skemën e krijimit të koalicioneve pak të vështirë për t’u parashikuar. Gjithsesi, duket se hamendjet tashmë janë përqendruar rreth faktit nëse këto parti do t’i bashkëngjiten ndonjërës nga partitë e mëdha në koalicion apo do të dalin bashkë në një pol të tretë, apo koalicion parazgjedhor. Në rast se skenari i dytë ndodh, e dëmtuara e madhe duket se mbetet Partia Socialiste. Kjo sepse votat që këto dy parti do të mbledhin janë vota antiqeveritare dhe, në një moment që ato do të bashkoheshin me votat e elektoratit të PS-së, do të sillnin shumë shanse për të realizuar rotacionin politik në vend. Po kështu, në rast se FRD-ja dhe AK-ja do të vendosin të krijojnë një koalicion parazgjedhor, atëherë ato pritet të “joshin” për të qenë pjesë e tij dhe parti të tjera të vogla. Ky zhvillim përsëri dëmton PS-në, pasi aleatët e saj të vegjël mund të bëhen pjesë e këtij koalicioni të polit të tretë, nisur nga fakti se një pjesë e tyre ka krijuar pakënaqësi ndaj PS-së, përsa i përket mosndryshimit të sistemit zgjedhor, kërkesë e cila u bë me forcë nga aleatët e PS-së në opozitë. Nga ana tjetër, duket se PD-ja ka një koalicion përgjithësisht të konsoliduar. Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës dhe po kështu Partia Republikane e Fatmir Mediut, sipas të gjitha gjasave, do të jenë në një aleancë parazgjedhore me PD-në.

Data

Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 9 të tij se Presidenti i Republikës ka detyrimin të përcaktojë datën e zgjedhjeve 2013 të ardhshme parlamentare, jo më vonë se 9 muaj nga data e përfundimit të mandatit të Kuvendit, që në rastin konkret është maji i vitit 2013. Kjo do thotë që fundi i muajit shtator, me shumë gjasa, është koha në cilën Bujar Nishani do të dekretojë datën e zgjedhjeve 2013 të ardhshme në Shqipëri. Përcaktimi i kësaj date do të thotë se partitë politike, që nga muaji i ardhshëm, pritet të nisin “de facto” fushatën zgjedhore për garën e madhe të qershorit të vitit 2013.

Qëndrimet

Topi

Ish-presidenti, Bamir Topi ka deklaruar se FRD-ja nuk do të bëjë aleancë me asnjërën nga partitë e mëdha, por vetëm me qytetarët që kërkonin ndryshim të gjendjes së vendit.

PS-ja

Eksponentët kryesorë të socialistëve janë treguar të hapur për një aleancë parazgjedhore me FRD-në dhe AK-në, në kuadër të formimit të një koalicioni antiqeveritar që siguronte rotacionin.

Berisha

Kryeministri Berisha është treguar i qartë në mos dëshirën e tij për të bashkëpunuar para zgjedhjeve me FRD-në e Topit. Sipas tij, kjo parti duhet të bashkëpunojë me PS-në.

Dy forcat kryesore politike “strategji” për të sulmuar kundërshtarin politik
Debatet para zgjedhjeve, statusi kandidat, korrupsioni dhe ekonomia në fokus

Në një kohë kur zgjedhjet 2013 e ardhshme parlamentare duken se janë në prag, dy kampet kryesore në vend, demokratët dhe socialistët pritet të ashpërsojnë gjuhën ndaj njëri-tjetrit dhe po kështu të shtrëngojnë radhët. Gjatë muajit në vijim pritet të konfigurohen dhe temat kryesore të debatit, por duket se retorikat më të forta PD-ja dhe PS-ja do t’i kenë këtë vit me çështjen e statusit të vendit kandidat. Një dështim i mundshëm, për herë të tretë të këtij statusi do ta acaronte tepër klimën politike në vend, duke i çuar palët në pozicione dhe akuza agresive ndaj njëra-tjetrës. Ashtu siç ka ndodhur dhe më parë, të dy palët do t’ia vendosin fajin njëra-tjetrës për dështimin e radhës dhe drejt zgjedhjeve të ardhshme do të shkohet me debate të ndezura dhe me pak gjasa për bashkëpunim mes palëve. Një tjetër çështje, e cila pritet të shërbejë si “burim” për debat do të jetë dhe ajo e korrupsionit dhe e abuzimit me pushtetin.

Në një kohë kur PD-ja ka dalë në zgjedhje me kartën antikorrupsion, PS-ja pritet të shtojë akuzat në lidhje me këtë temë, kryesisht duke sulmuar anëtarët e ekzekutivit shqiptar. Çështja e tregtisë së armëve dhe e përgjimeve ndaj opozitës pritet të marri një dimension më të madh në vjeshtën e këtij viti, në një kohë kur opozita paralajmëron se ajo ka të dhëna dhe fakte që komprometojnë rëndë jo vetëm ministrin e Mbrojtjes, Arben Imamin, por edhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës. Një tjetër temë qendrore gjatë muajve të ardhshëm për politikën pritet të jetë edhe ekonomia. Në një kohë kur qeveria flet për stabilitet ekonomik dhe opozita për krizë të thellë ekonomike, ky sektor kardinal i jetës së vendit pritet të hapë diskutime dhe debate të shumta. Kjo edhe për faktin se mes PD-së dhe PS-së ka një ndarje të thellë përsa i përket koncepteve bazë ekonomike, ku një prej tyre është edhe sistemi i taksimit. Taksa progresive kundër taksës së sheshtë, do të jetë një element i cili mësohet se do të propagandohet shumë shpesh nga opozita përgjatë periudhës parazgjedhore, nisur nga fakti se taksa e profilizuar, sipas llojit të ardhurave, qëndron në themel të programit të socialistëve për zgjedhjet e vitit 2013. Të tjera tema të mprehta, që pritet të diskutojnë palët, janë investimet e huaja, infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia në vend.

Punësimi

Ndonëse i vendosur si prioritet kryesor për qeverinë Berisha, opozita pritet t’i mëshojë faktit se shifrat e papunësisë në vend janë alarmante dhe se situata është përkeqësuar. (Gazeta Shqip / Lezha.eu)

Leave a Reply

© 2012 Lezha Online · Subscribe:PostsComments · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress